Loading…
Pse s’mund të ketë koalicione të mëdha parazgjedhore
  • Nga

  • VALON A. SYLA

  • 13/05/2017 | 19:18

...

Të gjithë partitë që përdorin një kartë të vjetër elektorale si “kundër SHIK’ut dhe PDK’së”, do të ishte e logjikshme të bënin me të vertetë një koalicion parazgjedhor bashkë dhe kundër PDK’së. Por, janë disa arsye që nuk lejojnë të ndodhë një gjë e tillë. Një nga to është uria politike e partive që nxjerrë në pah rrenat për koalicion të madh.


Sa herë i afrohemi zgjedhjeve fillon të ashpërsohet fjalori elektoral ‘për vrasjet politike’ të ngritura nga LDK, apo të këqijat që ia bëri Hashim Thaçi dhe PDK kësaj Kosove, që shpesh i përmend AAK, ose akuzat për tradhti kombëtare që me populizëm dhe histeri i përsëritë Lëvizja Vetëvendosje. Nga të gjitha këto, ka diçka të vërtetë, si arsimi i dobët, shëndetësia e nivelit të ulët, mungesa e vendeve të punës, korrupcioni dhe ndarja selektive e tenderëve. Por, shumë çka tjetër është histerike dhe populizëm nga këto parti që kanë tendenca ta mobilizojnë elektoratin para zgjedhjeve kundër ‘SHIK’ut dhe PDK’së, e që pas zgjedhjeve të gjithë bashkë dhe me radhë t’i futen nën sqetull kësaj partie ‘kaq të urryer’ nga ta.

Pse nuk po humb PDK që tri palë zgjedhje me gjithë këto sharje, akuza dhe skandale?

Pse partitë në këtë fazë parazgjedhore bëhen kinse po krijojnë koalicione të mëdha kundër PDK’së dhe ‘të keqes së këtij vendi’, e në fakt e masin vetëm fuqinë e tyre e cila në rast bashkimi, shkurtohet si druri për djegie, për ta ndezë koftorrin kur është më së ftohti.

Koalicioni i madh dhe votat e deputetëve

Një deputeti të një partie të vogël, siç janë NISMA dhe AKR iu është nevojitur mbi 5000 vota për të hyrë në parlament në zgjedhjet e fundit. Ndërsa, një deputeti nga parti të mëdha, siç janë PDK dhe LDK, ka dështuar të futet në parlament edhe me 8700 vota. Ky është pragu që duhet ta kalojnë deputetët për të hyrë në parlament, sipas sistemit zgjedhor te partitë e mëdha dhe të vogla në llogaritje të pjesëmarrjes siç ishin në zgjedhet e fundit të vitit 2014.

Tash, paramendoni se sa vota do t’i duheshin një kandidati për t’u bërë deputet në rast të një koalicioni të madh ku do të bënin pjesë LDK dhe VV, apo LDK, Alternativa dhe AKR. Në këtë matematikë një kandidati të këtij koalicioni do t’i nevojiteshin mbi 13 mijë vota për t’u futur në parlament, dhe kjo i frikëson shumicën e partive, sepse fuqia e tyre shkurtohet si druri për djegje.

Nëse VV i ka pasur 16 deputetë në mandatin e kaluar, në një koalicion të madh me LDK’në nuk do të arrinte t’i siguronte as 10 deputetë, dhe fuqia e saj në Kuvend kushtimisht do të shkurtohej për 6 deputetë, e përafërsisht kaq edhe për LDK’në. Pra, partitë do të duhej të sakrifikonin shumë njerëz në lista zgjedhore dhe mobilizimi në koalicione të mëdha, lehtë do të mund të përkthehej si demobilizim elekoral në terren. Pra, nuk është njejtë si të futesh në zgjedhje me 240 kandidatë nga dy parti të ndryshme, sikur me vetëm 120 kandidatë në një koalicion të madh.

Partitë e vogla reduktohen me 1 ose 2 deputetë, ndërsa partitë e mëdha sakrifikojnë 5 deri në 8 deputetë. Kur e llogarisin këtë strategët e partive, gjithmonë vendosin kundër koalicioneve të mëdha, sepse kështu reduktohet forca e tyre me ulëse të parlamentit. Dhe egozimi dhe uria politike, apo lakmia e tyre politike gjithmonë i shtynë ata të garojnë si të vetëm për më shumë ulëse në parlament.

Mbrojtja e votës dhe ‘demokracia me bërryla’

Pasi që hidhet vota në kuti, ato tubohen dhe numërohen. Komisarët partiakë fillojnë së pari numërimin e votave të partisë së tyre e pastaj dhe të deputetëve të partisë. Dhe këtu është hesapi i dytë politik. Nëse deputetët nuk janë të favorizuar fortë nga komisarët e partisë së vet, lehtë mund të dëmtohen gjatë numërimit të votave të deputetëve.

Tash paramendoni se si do të mund të organizohej kjo midis dy partive që nuk mund ta shohin jnëra tjetrën në sy, sikur në një koalicion mes LDK dhe VV apo ndonjë koalicioni tjetër të madh…çfarë disponimi do të mbizotëronte mes komisarëve gjatë nuëmrimit. Komisarët do ta shikonin njëri tjetrin si qeni macen dhe në rast pakënaqësie më të vogël do të mund të eskalonte situata. Pra pjesë e demokracisë nuk është vetëm votimi, por edhe mbrojtja e votave, dhe kjo te ne kosovarët quhet ‘demokraci me bërryla’.

Për fund

Koalicionet e mëdha nuk janë asgjë më shumë se sa një retorikë politike për të mobilizuar elektoratet opozitare dhe anti PDK’së secili për vete. Kjo është një kartë e vjetër e cila nuk arriti ta mposhtë PDK’në për tri palë zgjedhje radhazi, e as në raste kur u organizuan si bllok anti PDK për gati gjashtë muaj pas zgjedhjeve.

Përpos dallimeve të mëdha ideologjike e armiqësive të vjetra, koalicionet e mëdha vetëm shkurtojnë fuqitë e bastioneve të partive politike. Liderët e partive nuk e kanë ndër mend t’i humbin numrat e deputetëve që janë arma kryesore për të arritur deri te qeveria.

Fundja, politika dhe zgjedhjet synojnë pushtetin… qoftë edhe me PDK’në të cilët të gjithë po e shajnë, e në fund po i futen me radhë nën sqetull.

Ndoshta, partitë opozitare për këto zgjedhje do të duhej të mendonin ndonjë strategji tjetër për ta mposhtur PDK’në, gjë që nuk arritën ta bëjnë për tri palë zgjedhje rresht.

Në fakt, kjo s’është asgjë e re, vetëm një vazhdimësi e mendësisë së bllokut që dështoi në vitin 2014.

Zarët janë hedhur…

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë