Loading…
Punëtorët e Trepçës i druhen një të ardhmeje të zezë
  • 13/08/2017 | 14:20

...

Punëtorët kosovarë dhe serbë në kompleksin minerar të Trepçës kanë një parashikim pesimist rreth të ardhmes së minierës, për shkak të telasheve financiare dhe mosmarrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit.


Kompleksi minerar i Trepçës është i ndarë sipas etnive, por punëtorët serbë në pjesën veriore të kompleksit ish-jugosllav dhe shqiptarët e Kosovës në pjesën jugore janë njëlloj të shqetësuar nëse mund të vazhdojnë veprimtarinë.

Rënia e Jugosllavisë dhe ndarjet etnike të pasluftës kontribuuan në sjelljen e Trepçës në prag të falimentimit.

Një ligj i Kosovës i cili Prishtina tha se kishte për qëllim të ndihmonte në ruajtjen e kompleksit nuk është futur ende në zbatim për shkak se Prishtina nuk ka pasur qeveri që nga prishja e saj më herët këtë vit.

“Aktualisht Trepça nuk ka drejtim legjitim, ndaj është në një vakum institucional dhe ka mbetur në mëshirë të fatit”, tha për BIRN Shyqyri Sadiku, kreu i sindikatës që përfaqëson 1,360 punëtorët shqiptarë të Kosovës në minierë.

“Nëse Trepça vazhdon me këtë menaxhim të keq, do të shkojë në faliment,” shtoi ai.

Ligji, i cili nuk është zbatuar ende do ta transformonte kompleksin e minierave dhe industrisë së përpunimit në një kompani aksionare, në të cilën qeveria e Kosovës do të kontrollojë 80 për qind të aksioneve, ndërsa 20 për qind do t’i mbetet punëtorëve të saj.

Kjo u kundërshtua fuqishëm nga Beogradi, i cili kundërshton pretendimet e Prishtinës për pronësi dhe thotë se do të mbrojë vendet e punës së serbëve që punojnë atje. Lista Srpska, partia kryesore që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, bojkotoi institucionet e Kosovës për gjashtë muaj protestë.

Dushan Dragoviç, kreu i sindikatës që përfaqëson rreth 3,000 punëtorët serbë në pjesën veriore të minierës, tha se nuk ishte optimist për të ardhmen e serbëve që punojnë aty, shumë prej të cilëve duan të largohen krejtësisht nga Kosova.

“E ardhmja e Kosovës do të jetë e ardhmja e Trepçës. Jemi këtu dhe nuk kemi ku të shkojmë. Ata që patën mundësi tjetër, u larguan,” tha ai.

Uebsajti i lajmeve Kossev citoi Most TV të dielën kur tha se “me mirëkuptimin e qeverisë së Serbisë, drejtuesit [serbë] presin që 600-700 punëtorë të vendosin të marrin pagë të parakohshme për ndërprerjen e kontratës” në Trepça.

Dragoviç konfirmoi ofertën për largimin nga puna, por tha se ishte ende në fazën studimi.

“Mendoj se deri tani rreth 500 punonjës kanë aplikuar për të. Aplikimet janë të hapura deri më 15 gusht, me mundësinë e zgjatjes së afatit, pasi kemi punëtorë që jetojnë në Serbi dhe nuk janë të informuar”, tha Dragoviç për BIRN.

Ai shpjegoi se, meqë ana veriore e Trepçës nuk mund të paguajë më punonjësit e saj, qeveria serbe vendosi në 2003 të paguajë rreth 90 euro në muaj çdo punëtor nga buxheti i shtetit.

Rreth një e treta e punëtorëve serbë megjithatë marrin para ekstra nga ky 90-eurosh në muaj, duke punuar në miniera më të vogla rreth kompleksit të Trepçës.

“Në 2005 disa prej nesh filluan punë në miniera të vogla pranë Leposaviçit, ndaj paguhemi. Por jo të gjithë punëtorët mundën të përfshihen, vetëm një e treta,” tha ai.

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ka pasur një rënie në prodhimin e minierës në 6,000 ton, ndërsa kushtet e punës mbeten të dobëta, sipas Sadikut.

“Minatorët janë detyruar të punojnë në punë të rëndë deri në moshën 65-vjeçare. Nga viti 2014 në 2017, 20 minatorë vdiqën dhe shumë të tjerë u sëmurën,” tha ai.

Ai përmblodhi një sërë arsyesh për gjendjen e dobët të kompleksit minerar.

“Kushtet e punëtorëve janë shumë të këqija, gjendja financiare nuk është e qëndrueshme, kemi menaxhim të keq, keqpërdorim, korrupsion dhe nepotizëm, dhe ligji i punës dhe marrëveshja kolektive në negocim nuk po zbatohet”, përfundoi ai. /Kallxo.com/

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë