Loading…
Qeverisja provinciale: Haradinaj i kërkon BERZH’it 60 milionë euro projekte për Deçanin
  • 06/03/2018 | 17:12

...

Ardhjen e Ramush Haradinaj, në krye të Qeverisë duket se më së shumti po ia sheh hajrin vendlindja e tij, Dukagjini.


Premtimin që ua kishte dhënë bashkëvendasëve të tij, qysh kur e mori detyrën, Haradinaj duket se vetëm sa ka filluar ta vë në zbatim, shkruan Infokusi.com.

Kreyministri Haradinaj ka kërkuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbi 60 milionë euro për t’i mbështetur disa nga projektet për Komunën e Deçanit, me të cilën qeverisë bashkëpartiaku i Haradinajt, Bashkim Ramosaj.

Pas projekteve milionëshe që parashihen për këtë komunë me buxhetin e vitit 2018, ku nuk do të mbetej rrugë pa asfaltuar, do të ndërtoheshin shkolla të reja e do të përmirësohej infrastruktura sportive, Kryeministri po kërkon para edhe nga BERZH-i për investime në një nga komunat e këtij regjioni, Deçanin.

Projektet e kësaj komune, për të cilat kërkoi mbështetje Haradinaj, janë: trajtimi i ujërave të zeza në vlerë prej 36 milionë euro, ndërtimi i një kolektori të ujërave të zeza në vlerë prej 15 milionë euro, si dhe rregullimi i shtratit të lumit Lumbardhi, që kap një kosto prej 9 milionë e 700 mijë euro.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar gjithsejt 39 projekte në samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është zhvilluar në Londër, më 26 shkurt.

Projektet tjera për të cilat është kërkuar mbështetje financiare janë nga sektori publik dhe ai privat, dhe janë të dedikuara në infrastrukturën rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, ujit të pijshëm, projekte nga prodhimi i energjisë alternative dhe projekte të prodhimit, vlera e të cilave thuhet se arrin në rreth 600 milionë euro.

Në këtë takim, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së vendit në zhvillimin e projekteve rajonale dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai kishte përmendur projektet si: ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh Kosovën me Shqipërinë, një linjë tjetër që lidh vendin me Malin e Zi, përfundimi i autostradës Prishtinë – Shkup dhe interesimin që Kosova të ketë qasje në gaz-sjellësin Trans-Adriatik.

Edhe ekspertët për çështje ekonomike kanë konsideruar se Kosova mund të përfitojë nga ky samit, për shkak se periudha e kredisë dhe normat e interesit nga BERZH-i janë të favorshme për Kosovën.

Ndryshe, Republika e Kosovës në vitin 2012 është anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

Por, kjo bankë e kishte ndihmuar zhvillimin e Kosovës, duke përfshirë sektorin publik dhe privat, edhe pa qenë anëtare e saj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë