Raporti i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) e ka nxjerrë rajonin e Gjilanit më të papastrin në nivel vendi. Ky rajon, që përbëhet nga 7 komuna, është më i ndoturi nga mbeturinat.
Në bazë të raportit, i cili trajton çështjen e menaxhimit të mbeturinave komunale në rajonin e Gjilanit janë identifikuar 228 deponi ilegale të mbeturinave, i cili rajon përbëhet nga komuna e Vitisë, Novobërdës, Kamenicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe Gjilanit. Kompania e pastrimit “Ekohigjiena” është e angazhuar për ofrimin e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave komunale dhe transportimin e tyre deri tek deponia rajonale e mbeturinave që gjendet në Velekincë të Komunës së Gjilanit, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas raportit, kompania e pastrimit kishte mbledhur dhe deponuar mbi 30 mijë tonelata të mbeturinave për vitin 2017 dhe se kompania në fjalë mbulon me shërbime Komunën e Gjilanit, Vitinë, Novobërdën dhe Kamenicën. Kurse komunat e tjera më të vogla në këtë rajon menaxhojnë vetë me sistemin e grumbullimit të mbeturinave. Mbledhja e mbeturinave në këtë rajon nuk është në nivelin e duhur ngase vetëm 51 për qind e territorit mbulohet me shërbime.