Loading…
“Rasti Blakaj” – bombë me sahat kundër liberalizimit!?
  • Nga

  • HALIL MATOSHI

  • 24/08/2018 | 14:54

...

Ramush Haradinaj, si qytetar dhe burrështeti, ka të drejtë të zemërohet përballë mohimit të së vërtetës nga ish prokurori Elez Blakaj, i cili nga jashtë vendit drejton fushatën mediatike kundër Kosovës, në prag të liberalizimit të vizave. Pra edhe ta cilësojë hajn, sepse ai bëri rreshtin e atyre që duan ta vjedhin të sotmen dhe të ardhmen e Republikës sonë…

Situata pas “Rastit Blakaj” ka degraduar kur në mbrojtje të tij u rreshtuan anarkistë të majtë si Albin Kurti dhe ish nxënësi i Millosheviqit, Ivica Daçiq. Por në këtë fushatë nuk mbetën prapa as kinse institucionalistë të LDK-së.
Shkurt e shqip Kryeministri ka thënë se Blakaj e vodhi besimin e tij, nikoqirllëkun dhe ëndrrat e qytetarëve kosovarë për lëvizje të lire. Ky është rreshti që po e vjedh të sotmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, sepse hajnia nuk është vetëm vjedhje në xhepa!

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, duke qenë jetësisht i interesuar për rritjen e efikasitet të sundimit të ligjit dhe këmbëngulës në qëllimin e tij për etablimin e shtetit të së drejtës, ish prokurorit Blakaj i ka ofruar tërë mbështetjen e kërkuar institucionale, duke i garantuar atij qasje të lirshme në zyrën e Kryeministrit dhe në tërë dokumentacionin për kategoritë e luftës, sipas kërkesës së tij, madje duke ia dyfishuar atij kohën e kërkuar, për selekcionimin dhe bartjen në hetuesi të materialit origjinal të kërkuar, sipas pikës 6 të kërkesës së vet ish prokurorit, nga dy javë, në plot një muaj!

Pra, vini ré, pika dy e urdhëresës së Kryeministrit është përgjigje pikës gjashtë të kërkesës së ish prokurorit Blakaj!?

Prandaj ish prokurori “i guximshëm” po hesht, pasi ia nguli thikën në shpinë atdheut!?

Kryeministri i lejon Blakajt një muaj “hetim” në zyrën e tij, dy javë më shumë nga sa kërkonte ai, jo për t’i përmbyllur hetimet penale sepse kjo nuk është punë për Kryeministrin, por për t’i kryër veprimet hetimore ekskluzivisht në Zyrën e Kryeministrit.

Kryeministri i kishte kërkuar poashtu, që Blakaj të raportojë për çfarëdo parregullësie në dokumentacionin e veteranëve që është Brenda zyrës së Kryeministrit, apo t’i raportojë për shqetësime eventuale ose pengese në punën e tij, gjatë këtyre veprimeve hetimore, nga kushdoqoftë, por ai asnjëherë nuk është ankuar për asgjë.

Sëkëndejmi, raportimet në një pjesë të mediave të Prishtinës, rreth pikës dy, janë të deformuara dhe disa nga mediat, duke u bërë pjesë e fushatës kundër sistemit juridik dhe estabilishmentit të shtetit të ri, po integrohen mirë në luftërat hibride!?

Besoj e dini se kush është i interesuar sot që të destabilizohet Kosova dhe të sulmohet sistemi i saj i drejtësisë!?

Të mbetur pengje të ideve të mëdha të revolucionit komunist të fillimshekullit 20, duke synuar të krijojnë kultin e personalitetit si substrat Stalinist të babës, disa përfaqësues të opozitës me një dorë veglash të tyre nga shoqëria civile, (duke përdor si alibi rastin e një ish prokurori që e ka lënë një punë përgjysmë për të nisur një tjetër, si fushatë antiestabilishment) janë vërsulur shtetit dhe sistemit të tij të drejtësisë, duke e dëmtuar këtë atdhe të vetëm tonin jo vetëm në imazh por edhe në substancë, në momentin kritik kur vendi pret liberalizimin e vizave…

Poashtu besoj se diçka ju thotë mbrojtja e ish prokurorit Blakaj nga Ivica Daçiq, që është në të njëjten valë me avokatinë që ia bë Albin Kurti dhe dytë bashkë, bëhen aleatë (eksponentë të luftërave hibride!?) kundër Republikës së Kosovës!?

Sot, Kurti i bën apologji ish prokurorit Blakaj dhe i del në mbrojtje drejtësisë së kapur – siç e cilëson ai në kontinuitet – duke harruar që ai nuk ka lëshuar rast pa e fyer dhe denigruar rendin kushtetues dhe simbolik të Republikës, madje ai, ka refuzuar në vazhdimësi të njoh dhe të paraqitet para ndonjë gjykate, në raste penale.

Ndërsa shembulli i Ramush Haradinajt është i njohur. Ai si qytetar i përgjegjshëm është paraqitur me respekt para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.

E të flasë për drejtësi njeriu që nuk ka rreshtë së vepruari kundër saj, është moral i dyfishtë.

Dhe kjo fushatë u shqua për fjalinë ikonike: Ku po i dhemb Ramush Haradinajt?

Përgjigja është e qartë si loti. Kryeministri Haradinaj si njëri nga ushatrët shembullor dhe komandanti më unik, që ndër të paktët qëndroi tërë kohën e luftës me ushtarët dhe popullin e tij, nuk e ka kompleksin e veteranëve dhe mundësisë së manipulimit të listave, por ai si lider popullor e ka barrën e 1.7 milionë qytetarëve, të privuar nga e drejta themelore e lëvizjes së lirë. E drejtë që, ndonëse në prag për të ngadhnjyër, është rrezikuar për llogari të dikujt që mund të mos i pëlqejë suksesi i Qeverisë Haradinaj. Por, megjithë tendencat minuese, procesi drejt liberalizimit të vizave  si e drejtë e pamohueshme, do të ndodhë sivjet.

Ja se ku i dhemb Ramush Haradinajt!

Në anën tjetër, disa kinse juristë, OJQ, por dhe deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, thjeshtë po i fabrikojnë faktet për ta manipuluar publikun.

Në emër të kinse kontrollit të qeverisjes, po e kamuflojnë luftën e paskrupullt për pushtet.

Vjosa Osmani si juriste, duhej të mos binte pré e (vet)manipulimit, kur me vetëdije e ka nxjerrë piken Dy të urdhëresës së Kryeministrit nga konteksti i terësishëm, pra brenda kontekstit të pikës Gjashtë të kërkesës së ish prokurorit të prekur nga sindromi i protagonizmit.

Ky fakt, jo vetëm asaj, por të gjithëve që deshpërimisht po kërkojnë kauzë politike në një çështje jopolitike, ua bankroton integritetin profesional dhe moral.

Sepse i ka përfshi pasioni i rrenës!

(Autori është këshilltar politik i Kryeministrit Ramush Haradinaj)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë