Loading…
Receta e patateve me piper të kuq dhe salcë mishi
  • 24/09/2018 | 21:12

...

Patatas bravas është një nga recetat spanjolle më të njohura në botë, që shpesh përdoret si aperitiv në “tapas bar”.


E veçanta e tyre është që skuqen dy herë në temperatura të ndryshme, që të jenë sa më krokante (për këtë duhet të kemi në shtëpi termometër që të matim temperaturën e vajit, pasi skuqen në dy temperatura të ndryshme) si edhe salca me të cilën shoqërohen. Në fakt, nga udhëtimet që kam bërë në Spanjë, kjo është një nga recetat që më ka mbetur në kujtesë, bashkë me Paella dhe Pastel de Nata.

U krijua si recetë në Spanjë, në vitet ’60, në dy bare “Casa Pellico” e “La Casona”, të cilat aktualisht rezultojnë të mbyllura.

Receta ka pësuar shumë ndryshime ndër vite dhe sipas disa teorive, receta origjinale nuk kishte salcë domatesh dhe ngjyra e kuqe e salcës vinte nga specat e kuq pluhur, ndërkohë që në shumë bare e përdorin salcën e domateve.

Përbërësit për 5/6 persona:
1 kg patate
2 lugë të vogla piper i kuq pluhur, jo djegës
1 lugë e vogël piper i kuq pluhur, djegës – ose sipas dëshirës
1 lugë miell
200/250 ml lëng mishi i trashë – i përgatitur në shtëpi me kocka ose lëng mishi i gatshëm, që shitet me kuti
4 lugë vaj ulliri
1 lugë e vogël niseshte misri – nëse do të na nevojitet
vaj për të skuqur patatet – mundësisht kikiriku
kripë sipas nevojës

Përgatisim salcën bravas
1. Vëmë lëngun e mishit të ngrohet (e kemi kulluar më parë me sitë të imët) në zjarr të ulët.

2. Në një tenxhere të vogël ngrohim vajin, por jo sa të krijojë tym, pasi në të kundërt speci pluhur do të digjet dhe ndryshon shije. Heqim tenxheren nga zjarri, shtojmë piperin e kuq dhe i përziejmë mirë me lugë druri. Nëse piperi i kuq është i cilësisë së mirë, ai do të tretet mirë në vaj. Shtojmë miellin dhe e përziejmë akoma, derisa brumi të mos ketë kokrra.

Vëmë tenxheren në zjarr të ulët dhe shtojmë pjesë-pjesë lëng mishi të nxehtë, duke e përzier për pak minuta me rrahësen e vezëve me dorë, derisa të shohim që salca është trashur, aq sa të mos jetë shumë e trashë, por as e hollë. Nëse salca mbetet e hollë, tresim niseshte me pak ujë të ftohtë dhe e shtojmë te salca për ta trashur, duke e përzier me shpejtësi. E rregullojmë me kripë sipas shijes personale. Nëse dëshironi, mund të shtoni disa pika tabasko për ta bërë më pikante.

3. Patatet: që të kemi patate sa më krokante, i qërojmë, i presim në feta të gjata dhe jo shumë të gjata. I lëmë në një tas me ujë të ftohtë për 2 orë, që të humbin niseshtenë. Më pas i shpëlajmë dhe i lëmë të kullojnë në kullesën e makaronave. Pas kësaj, i fshijmë lagështirën me një pecetë të pastër, që të jenë plotësisht të thata.

Ngrohim vajin në një tenxhere. Ai nuk duhet të jetë shumë i nxehtë. Bëjmë provën me një kruajtëse dhëmbësh dhe nëse krijohen flluska, vaji është gati. I skuqim në sasi të vogla që të mos ulim temperaturën e vajit dhe ato të mos jenë mbi njëra-tjetrën. I heqim nga zjarri dhe i thajmë me letër thithëse kuzhine.

I spërkasim me pak kripë e piper të kuq pluhur dhe i shërbejmë menjëherë, pasi hahen të ngrohta.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë