Loading…
Ringjallja e etnonacionalizmit në Ballkan: Efekti shkatërrues i krizës së vonuar ekonomike
  • Nga

  • DUSAN JANJIC

  • 31/05/2017 | 13:12

...

Kur para katër muajsh Policia e Francës e arrestoi Ramush Haradinajn në bazë të fletë arrestit të Serbisë, për dallim nga viti 2015, kur në bazë të të njëjtit u ndal në Lubjanë, “rasti Haradinaj” u zgjerua në një test të armëpushimit politik brendashqiptar. Kjo u dëshmua me vendimin e Kuvendit të Kosovës që “Dialogu i Brukselit” të ndërpritet përderisa Haradinaj nuk kthehet në Kosovë. Me këtë, ky rast njëkohësisht u bë test i marrëdhënieve serbo-shqiptare. Për shumë individë në pushtet dhe në publikun e Serbisë ky ishte një test i drejtësisë së “bashkësisë ndërkombëtare”, e për shumë sosh në mesin e shqiptarëve – sfidë për solidaritetin mbarë shqiptar.


Ky “rast”, në kontekst të gjykatës, përfundoi me vendimin për refuzimin e kërkesës së Serbisë për ekstradim, me një mesazh juridiko-politik që ekstradimi i Haradinajt në Serbi do të mund të shkaktonte “pasoja jashtëzakonisht të rënda për personalitetin e tij, e para se gjithash për shkak të rolit të tij në konfliktin e armatosur dhe në jetën politike në Kosovë, si dhe për shkak të shtetësisë kosovare të tij – të një shteti të cilin Serbia nuk e njeh”. Këtë mesazh shumë nuk duan të dëgjojnë sepse gjykata rikujtoi të kaluarën e afërt, hija e së cilës është shtrirë mbi Ballkanin Perëndimor në dy javët e fundit.

Derisa zhvillohej kontesti juridiko-politik, propagandistik dhe mediatik lidhur me ekstradimin e Haradinajt, nga e kaluara na u rishfaq gogoli, ose tregimi për “bashkimin mbarë shqiptar”, “bashkimin e të gjitha tokave shqiptare”, “Shqipërinë natyrore” dhe/ose “Shqipërinë e Madhe”.

Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë ndryshuar mesazhin e dikurshëm anti-nacionalist dhe pro-evropian drejtuar shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve në Ballkan në Evropë – se në vend të bashkimit në “Shqipërinë e Madhe” të gjithë shqiptarët do të jenë bashkërisht në “Evropën e Madhe” – të cilën asokohe e kishte dërguar Paskal Milo duke hapur perspektivën euro-atlantike për shqiptarët në Shqipëri, me mesazhin – nëse nuk na pranoni në BE, nuk përjashtohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Si përgjigje në këto mesazhe, në Serbi disa medie dhe politikanë, siç janë Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vullin, ndërtuan një imazh në të cilin ideja “e Shqipërisë së Madhe” kishte arritur majat e saj – dhe që atë e ndajnë, pak a shumë, të gjitha partitë politike dhe liderët shqiptarë, ish luftëtarët e UÇK-së, AKSH-së, UÇPMB-së, e që pas idesë qëndrojnë “fuqitë e mëdha” (me aluzione drejtuar NATO-së, posaçërisht Turqisë dhe SHBA-ve). Në një moment në tërësi u “ngri” imazhi i “ardhmërisë evropiane” dhe idesë së sapo iniciuar të “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”.

Janë fuqizuar zërat nga jashtë pasi nuk ka “ballkanizim” pa përfshirje të të huajve. Në Observer, një “ekspert” amerikan i sigurisë, Gjon Shindler, thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet “të pranoj gabimet e veta në Juglindjen e Evropës dhe t’i përmirësojë, para se këtë ta bëjë Kremlini”, respektivisht të bëjë Ballkanin “rezistent ndaj Putinit”. Sipas këtij “eksperti”, detyra e parë është shpalosja e lojërave spiune ruse, gjë të cilën do të duhet ta “kryenin shërbimet e sigurisë të NATO-së, duke i ndihmuar kolegëve në lokal”. E pasi të përfundoj “gjuetia e spiunëve” atëherë, sipas modelit të dëshmuar kolonialist, do të duhej të pajtoheshin fiset e hasmuara duke iu vizatuar nga jashtë kufijtë e ri shtetëror. Ky mesazh u pranua jashtëzakonisht mirë nga shumë “spiunë ballkanik”, posaçërisht prej atyre të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, pasi i mban në iluzion se gjithnjë “e kanë mirë”, respektivisht të kenë mashtruar historinë dhe se munden të përfundojnë “planet” e tyre për ndryshimin e kufijve. Kjo, sipas “ekspertit” dhe pasuesve të tij, para se gjithash do të prekte Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Gjithsesi, ata e dinë se kjo do të “përfshinte” në konflikt Malin e Zi dhe Kroacinë.

Me të vërtetë nevojitet që BE-ja dhe SHBA-të të flasin me një zë, të dakordojnë politikat ndaj Ballkanit Perëndimor. Përderisa nuk e bëjnë këtë nuk do të kuptojnë veçorinë e kësaj krize, nuk do zbatojnë interesat e tyre në mënyrë efektive në këtë pjesë të Evropës dhe nuk do të ketë një përgjigje të efektshme në “sfidën ruse”.

Me tre maj Ambasadori Rus në BE, Vlladimir Çizov, publikisht nxori edhe një “gjemb” nga kjo sfidë, kur tha se Rusia mund të ofrojë alternativa ndaj “integrimeve euro-atlantike” – Maqedonisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. E që madje edhe në ditët e sotme “Euro-Azia” paraqet më shumë projekt, se sa program i cili po zbatohet, e që nuk ka as lidhje fizike e as çfarëdo lidhje tjetër me Ballkanin Perëndimor, vetëm ia lehtëson punën Ambasadorit të “fuqisë së madhe” të ngacmoj BE-në dhe për të nxitur shpresën në mesin e ithtarëve të tij në Ballkanin Perëndimor – në diçka që nuk do të bëhet.

Mbi të gjitha, është më se e sigurt se vuajtjet e sotme në Ballkan nuk janë rezultat i përzierjes së Rusisë, BE-së, SHBA-ve ose Turqisë, por para së gjithash janë rezultat  i efektit të vonuar, por edhe shkatërrues, të krizës globale e cila në vitin 2008 ka lëkundur Perëndimin. Kjo krizë në Ballkanin Perëndimor ka marrë përmasat e ripërtëritjes së mobilizimeve dhe mesazheve etnonacionaliste për shkak të pasojave negative ekonomike, politike dhe sociale të “reformave” të nisura, të cilat u përkufizuan vetëm në bashkëngjitje ekonomisë neoliberale, e cila, në vet shtrofullën e saj – në SHBA – përjetoj humbjen.

Kur kësaj ia shtojmë trashëgiminë e rëndë të së kaluarës, moskryerjen e shtet ndërtimeve, mosefikasitetin e institucioneve dhe pushtetit ekzekutiv, fitohet pasqyra e tashme – në Maqedoni tanimë duhet të ripërtërihet puna e institucioneve; opozita bojkoton punën e parlamentit në Shqipëri dhe Mal të Zi; Kosova dhe Kroacia me vështirësi mirëmbajnë punën e parlamentit; për Bosnje dhe Hercegovinën kriza e jetës politike dhe dobësia e institucioneve paraqesin “gjendje normale” që një kohë të gjatë; Aleksandër Vuçiq sundon me zgjedhje të shpeshta në të cilat “vërtetohet mbështetja popullore”, margjinalizohet opozita, dezintegrohen partitë politike dhe fragmentohet skena politike, ndërsa kjo fuqizon tendencat autoritare dhe paralizon pavarësinë dhe efikasitetin e veprimit të institucioneve. Dhe në fund, erozioni i sundimit të ligjit, korrupsioni endemik dhe lidhjet e fuqishme të një pjesë të lidershipit politik dhe krimit të organizuar kanë zhveshur papërgjegjësinë dhe mosgatishmërinë, madje edhe paaftësinë e lidershipit politik, që të bind qytetarët se do t’i shpëtoj qytetarët nga pasiguria ekonomike dhe jetike, që do t’i garantoj sigurinë.

Në vend të kësaj, në luftën për fitimin, ose qëndrimin në pushtet, politikanët nisin grindjet dhe mobilizimet etnonacionaliste, fuqizojnë ksenofobinë e drejtuar ndaj “armiqve të vjetër kombëtar”, si në mesin e fqinjëve, ashtu edhe në mesin e vetë shqiptarëve, serbëve, maqedonasve etj. Kjo shihet qartë në refuzimin e VMRO-së të “largohet nga pushteti”, e cila edhe ka nisur një fushatë të fuqishme kundër “tradhtarëve kombëtar” nga koalicioni rreth LSDM-së dukë ia shtuar kësaj “kartën shqiptare”. Gjatë kësaj, VMRO as nuk lodhët për faktin se gati gjashtëmbëdhjetë vjet ka qeverisur në koalicion me BDI-në.

Nuk kontestohet se kriza në Ballkanin Perëndimor është në rritje, por edhe se shumë mësime nga e kaluara nuk janë mbajtur mend, se kujtimet e së kaluarës, dhunës dhe viktimave janë të fuqishme në të gjitha anët; se është zbehur ndjeshmëria ndaj vuajtjeve të të tjerëve dhe se mungon gatishmëria për të folur për përgjegjësinë e vet. Mosbesimi është i fuqishëm dhe i ndërsjellë, e me të nuk mund të zgjidhen problemet që mundojnë të gjallët. Në mungesë të ilaçit më të mirë, madje edhe vet Ivica Daçiq, pas disa deklaratave zjarr nxitëse u kujtua se ideja e BE-së është e gjallë dhe se paraqet “ilaç qetësimi” për Ballkanin Perëndimor.

Kësaj iu bashkëngjit Hashim Thaçi me këtë mesazh: “Kuptojmë se BE-ja është lodhur nga zgjerimi. Por synimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen BE-së nuk duhet të vuaj nga kjo lodhje. Vonesa në BE për të përafruar regjionin e Ballkanit Perëndimor paraqet kërcënim për sigurinë”… “Ideologjitë tjera, nacionaliste dhe religjioze, nguten të zënë vakumin që lë BE-ja”, duke shtuar: “Koha është për një cilësi tjetër të dialogut dhe ai duhet të shndërrohet në një proces pajtimi, miqësie dhe bashkëpunimi të fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Dy ditë pas kësaj, Qeveria e Serbisë përmes personaliteteve të Jadranka Joksimoviqit dhe Marko Gjuriqit – ambasadorëve të BE-së iu paraqiti Non Paper-in e saj. Edhe pse ky Non Paper nuk është përgjigje e drejtpërdrejtë në Non Paper-in e Komisionit Evropian, në të cilin komentohet mospërparimi në Kapitullin 35, nga shkurti i vitit 2017, ai paraqet një orvatje të Beogradit, e cila meriton vëmendjen, për të dalë nga fushata e nxehur ideologjike-propagandistike dhe inxhinieringu i sigurisë dhe për të përgatitur publikun e tij për kthimin në binarët e dialogut, si dhe për të zbutur dyshimet në rritje, në Serbi dhe në Bruksel – se Qeveria e Serbisë “faktikisht” po mundohet të ndalë procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

A është i mundur dialogu edhe pas të gjitha këtyre? Kjo është pyetja e cila më del pas javëve të kaluara, gjatë të cilave publikut iu paraqit pasqyra e josigurisë, frikës dhe “ballkanizimit” të ri të mundshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jam i bindur se javët në vijim do të sjellin ripërtëritjen e tentimeve që Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e Brukselit, të përgjigjen nëse “e ardhmja e përbashkët evropiane” është ajo për të cilën pajtohen. Nga kjo shumë do të varët edhe dinamika e mëtutjeshme në marrëdhëniet serbo-shqiptare, të cilat janë qenësore për marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë