Loading…
Romantikët e parë shqiptarë
  • 04/06/2018 | 17:33

...

Duke shfletuar e lexuar poezitë e hershme të shkruara nga shkrimtarët tanë kombëtarë, mund të mendojmë se ne nuk kemi pasur një traditë romantike në letërsinë tonë, ku tema më mbizotëruese duket ajo atdhetare. Dua të them, për realitetin dhe kontekstin kur ata jetonin, populli kishte nevojë për një nxitje kombëtare, por kjo nuk ka ndaluar edhe të shkruarit e poezisë romantike.


Rasti më i bukur është ai i ndërthurjes së temës atdhetare me atë romantike, në veprën “Këngët e Milosaos” të autorit arbëresh Jeronim de Rada. Historia e Milosaos me Rinën është sa e këndshme, aq edhe mësimdhënëse dhe, në këndvështrimin tim, diçka profetizuese për të ardhmen e autorit. Kujtoj se, në letërsi, të tilla profetizime spontane nuk ndodhin rrallë. Për shembull, fati i Onjeginit do të përndiqte më vonë edhe vetë Pushkinin.

Pas de Radës, vlen të përmendet edhe Pashko Vasa. Thuajse njëkohësisht me të mëdhenjtë e letërsisë botërore si Flober apo Tolstoi, ai shkruar për figurën e gruas shqiptare duke e vënë atë në qendër të një rrëfimi tragjiko – realist. Nën petkun e Bardhës mbështillet fati i thuajse çdo vajze shqiptare të sapobërë grua, ndërsa nën atë të Bajraktarit të Temalit, i çdo djali që nuk do të bëhet burrë asnjëherë, pasi për të, duket sikur do të burrërrohet nëna dhe gjithë Bajraku që e mban nëpër gojë.

Nuk mund të lihet pa përmendur i madhi dom Ndre Mjeda. Karakteri i tij i ndjeshëm dhe lirik vihet re që nga formimi. Ai studioi në Austri ku u njoh me Gustav Majer të cilit i kushton edhe poezinë “Gjuha Shqipe”. Kur u kthye, u shugura meshtar i Kongregatës Jezuite, tepër e mbyllur ndër rregullat e saj. Por një poet lirik nuk mund të rrijë i mbyllur, prandaj, sapo iu dha rasti, la kongregatën dhe iu bashkua Dioqezës së Shkodrës. Ipeshkvi i atëhershëm e emëroi famullitar në Kukël ku dhe jetoi gjer’ në të mbramë të jetës së tij.

“Andrra e Jetës”, një poemë që shpalos filozofinë e dom Mjedës ku ndërthuret karakteri sentimental, familjar dhe ai fetar. Apo “Bylbyli”, një poemë e jashtëzakonshme e cila i flet çdokujt që robninë e jeton në çdo çast. E të tjera e të tjera, plot simbole që më vonë do të përdoren edhe nga Filip Shiroka në të vetmin vëllim të tij me poezi.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë