Loading…
Rrëfimi në vetën e parë
  • Nga

  • ISMET CAKIQI

  • 17/10/2017 | 21:36

...

Një shok i imi, me të cilin na lidhë një jetë e tërë, që nga veprimtaria ilegale e viteve të tetëdhjeta e deri sot, në zgjedhjet e sivjetme, është njëri nga ata që ka dalë të kërkojë votën dhe besimin e qytetarëve, në garën për të parin e komunës së Podujevës. Është ky Hajredin Hyseni, që për në rrethin e tij shoqëror dhe për rrethin familjar ka qenë i njohur vazhdimisht si Dini.


I qetë, i arsyeshëm, i vendosur dhe besnik çdoherë, Dini nuk ka njeri që të mos e ketë bërë për vete nëse ka pasur rastin të rrijë së paku një herë me të. Ai i takon gjeneratës që jetoi dhe ju desh të bartë mbi shpatulla zhvillime të rëndësishme për vendin. Ai i takon gjeneratës që ju desh të sakrifikojë dhe të bëjë më shumë se “dy tri fjalë për atdheun”. Është gjenerata që u dhunua, u përndoq e u burgos për arsyen se po sfidonin një realitet të dhunshëm për Kosovën.

I përkushtuar në kauzën për lirin e Kosovës, Dinin, do ta përcjellë fati i burgosjes dhe dënimeve disavjeçare, dy herë me radhë. Kjo nuk e theu dhe asnjëherë nuk më ra ta dëgjojë të jetë zhgënjyer dhe rezignuar për këtë. Aq më shumë, edhe pas burgut të parë, në një moshë të re, ai rrezatonte plot bindje dhe vendosmëri për nevojën që të vazhdojë angazhimin dhe veprimin për lirinë e Kosovës. Mbase do të duhej të ju përkujtojë se ajo ishte një kohë tjetër, dhe për angazhimet e këtilla paguhej çmim i lartë, qoftë me burg e deri edhe me jetë. Mbase kjo është edhe një dëshmi për kualitetet morale e njerëzore të tij.

Atëbotë të paktë ishin ata që merrnin guximin për të vepruar drejtë kontestimit të realitetit të tillë që i ish imponuar vendit tonë. Unë vazhdoj të pyes nëse do të ishte e mundur liria e këtij vendi pa një angazhim të njerëzve si Dini.

Me fillimin e viteve të nëntëdhjeta, kur në Kosovë vendoset një regjim i ashpër i segregacionit, shtypjes dhe dëbimit, angazhimi i Dinit në lëvizjen ilegale ka qenë edhe më përmbajtjesor, në drejtim të përgatitjes së rezistencës së armatosur për lirin e Kosovës. Kjo ka ndodhur në kohën kur kishte filluar ta humbnin kuptimin format tjera të rezistencës. Prandaj e them me plotë përgjegjësi, Dini me veprimtarët tjerë të kohës ishin uverturë e asaj që do të shndërrohet në bartësen e luftës së armatosur për lirinë e Kosovës, që u pagëzua si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nuk ishte e rastësishme pse Dini ishte i angazhuar në këtë rrugë. Ky ishte edhe një përcaktim edhe familjar i tij. Bashkëshortja e tij, Fikria, ishte e burgosur në të kaluarën, vëllai i tij, Fatmiri, do të rreshtohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohën kur Dini ishte në burgjet serbe. Ai edhe do të bie heroikisht në përballje me forcat serbe. Mbase edhe këto mund të ishin dëshmi se përcaktimi i Dinit nuk ishte i rastësishëm.

Në vitin 2001, Dini u lirua nga burgjet serbe dhe u kthye në Kosovën e tij së cilës i kishte dhuruar rininë dhe gjithë ato vuajtje dhe ndëshkime që kishte bartur mbi vete. Ai gjeti familjen, gruan, vajzën dhe babanë e rënduar nga vitet e pleqërisë. Njëri nga vëllezërit tashmë kishte ikur në përjetësi, në altarin e lirisë së Kosovës dhe tjetri dikund në perëndim po siguronte bukën për vete dhe familjen. Por ishte liria e Kosovës që tashmë ndihej kudo në Kosovë, që e mbushte Dinin me arsye për jetë dhe për tu angazhuar me plotë vullnet.

Të rrallët kanë qenë ata që kanë trashëguar një kapital politik, moral dhe kombëtarë në Kosovën e pasluftës si Dini. Ai ka qenë i dëshirueshëm për cilindo subjekt politik në Kosovë. Sepse të gjithëve u bënte nder ta kenë brenda vetës. Për mua natyrshëm Dini u rreshtua në subjektin që është aktualisht, PDK! Për faktin se aty ishte pothuaj e tërë shoqëria me të cilët Dini kishte vepruar gjatë në ilegalitet dhe njihej mjaft mirë me ata. Një gjë duhet ta them me plotë bindje në këtë rast, angazhimi i tij nuk kishte kuptimin e përftimit të favoreve pushtetore dhe materiale.

Në mandatin e dytë dhe të tretë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dini ishte deputet i zgjedhur, ndërsa në dy mandate tjerra zëvendësministër në Ministrinë e Administratës Publike, pozita këto me mjaft përgjegjësi. Më kujtohet dita e shpalljes së pavarësisë. Dini ishte deputet dhe kjo do t’i  mundësojë që të nënshkruaj deklaratën e pavarësisë. Ishte kjo një moment emocional të cilin nuk e fshehu aspak, sepse e përjetonte si një përmbushje të mjaft prej idealeve të tij dhe të bashkëmendimtareve e bashkëpunëtorëve të tij. Por në veçanti të atyre që kishin derdhë gjakun, në këtë rast nuk kishte si të mos i kujtohej vëllai Fatmiri, i cili i bëhej sikur e shikonte nga përjetësia, i kënaqur që po bëhej realitet kjo ëndërr e madhe e shqiptarëve të Kosovës.

Edhe çka duhet të them për Dinin?! Ashtu siç e pashë unë në vetën e parë! Gjithmonë kam frikë se do të mbeten shumë të pathëna për Dinin. Në zhvillimet e pasluftës u thurën mite për grabitje, përvetësime, vjedhje, keqpërdorime për shumë individ. Ndoshta edhe kishte të vërteta nga këto. Por nuk kam si të mos e theksoj një fakt në këtë rast. Pse opinioni nuk i shihte kurrë një armatë të tërë të atyre që në angazhimet e tyre kishte vullnet të sinqertë dhe nuk e bënin asgjë për përfitime të tyre personale. I tillë ishte Dini dhe i tillë mbeti deri sot. Ai nuk u përfol e as nuk u identifikua për edhe më të voglën aferë të keqpërdorimit të pozitave në të cilat gjendej, për përfitime personale. Edhe kjo duhet të vlerësohet lartë në figurën e pastër të Dinit.

Po e marr guximin të ju adresohem të gjithë bashkëvendësve të mi në komunën e Podujevës, që me 22 tetor, kur do të drejtohen drejt kutive të votimit, të mendojnë për profilin e kryetarit që do të zgjedhin për t’i dhënë besimin. Kosovës dhe komunës sonë aktualisht i duhen njerëz në udhëheqje që e duan vendin e vet dhe janë në gjendje të ruajnë ndershmërinë dhe pastërtinë e udhëheqësit. I tillë është Hajredin Hyseni, Dini jonë i dashur dhe i respektuar!

Jam i nderuar që e kam shok, dhe kam besimin e plotë që të ju rekomandojë t’i falni besimin tuaj!

Jam i bindur që ai nuk do të ju zhgënjej asnjëherë!

 Autor: Ismet Cakiqi

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë