Loading…
‘Rruga e Kombit’ ka diskriminuar shqiptarët e Shqipërisë, jo të Kosovës
  • Nga

  • MERO BAZE

  • 28/03/2018 | 11:41

...

Reagimet ndaj vendosjes së pagesës në autostradën Rrëshen- Kalimash brenda vendit, duket se reflektojnë më shumë ndarjet politike, se sa problemet reale që lidhen me atë që e quajmë “Rruga e Kombit”, ndërsa në Kosovë duket se po zbulojnë një ndjenjë të mezipritur për të shfryrë ndaj Shqipërisë. Them se brenda vendit reflektojnë ndarjet politike dhe qëndrimet ndaj qeverisë, qoftë dhe për faktin e vetëm se kritikët, në shumicë mbështetës të opozitës, janë të njëjtët të cilët jo vetëm i kanë dal zot vjedhjes së 1.3 miliardëve në atë rrugë, që në fakt është fillimi i destabilizimit të ekonomisë sonë kombëtare, por kanë qenë mbështetës që kjo taksë të vendosej në vitin 2011 deri 2013, kur qeveria Berisha- Meta tentoi ta vendoste. Pra, është thjesht politikë.

Por përtej reagimeve opozitare, dua të flas për dy problematika të kësaj taksës, që lidhen dhe me disa reagime krahinore dhe raciste nga verilindja dhe Kosova, të cilat tentojnë të maskohen me vello “patriotike”.

Problemi i parë real që ka koncesioni, lidhet me vetë qëllimin e tij. Kur qeveria jep një koncesion për një shërbim që nuk e kryen dot, nënkupton se ajo nuk ka mundësi financiare, dhe ja jep dikujt më të fuqishëm se ajo për të investuar, dhe pastaj për ta nxjerrë investimin përmes taksës, vendos traun.

Kjo është praktikë normale. Por 1.3 miliardë euro të harxhuara nga Berisha e Basha për ndërtimin e “Rrugës ë Kombit”, në fakt nuk e kanë ndërtuar atë rrugë. Autostrada është e papërfunduar, e parrethuar, rruga nga Kukësi në Morinë është me ura gjysmake dhe në shumë vende ka nevojë për ndërhyrje, për të rritur sigurinë.

Qeveria nuk ka fuqi ta bëjë këtë gjë dhe ja ka dhënë një privati. Konsorciumi privat që e ka marrë këtë kontratë qysh në vitin 2016, fillimisht do të ishte mirë të investonte në rrugë, pra të mbyllte urat, të rrethonte autostradën, të rriste sigurinë në vendet e rrezikshme, dhe pastaj të vendoste traun të mblidhte lekët. Ky është problem parimor, që ka të bëjë me natyrën  e koncesionit. Se nëse do të mbledhim njëherë lekët, e pastaj të bëjmë autostradën, atë mund ta bënte vetë qeveria, nuk kishte pse t’ua jepte privatëve. Privatëve u jepet kur qeveria nuk ka mundësi.

Problemi i dytë që ka të bëjë me çmimin, lidhet sërish me koncesionin. Çmimi është i lartë, dhe është lidhur sërish me nevojën që ka konsorciumi të mbledhë lekë në një kohë më të shkurtër për investime, ndërkohë që çmimi duhet të reflektonte shtrirjen në kohë të kthimit të investimit, duke nënkuptuar një konsorcium të fuqishëm. Dhe këto dy probleme janë realisht problemet që shoqërojnë kontratën koncesionare.

Reagimet e tjera pastaj janë të palogjikshme dhe lidhen ose me krahinizmin, ose me “patriotizmin” falls.

Kur Sali Berisha nisi të bënte këtë rrugë, Banka Botërore ja refuzoi ndihmën, pasi i tha është projekt “patriotik” dhe i padobishëm, jo efiçent. Drejtoresha e Bankës Botërore ja tha këtë në sy të të gjithëve në konferencën e donatorëve në Tiranë, në mars 2006. Pas kësaj, Sali Berishës ju errën sytë, pasi ishte duke bërë llogari me gishta sa lekë do fitonte dhe bëri atë deklaratën e famshme, se “do shkrinte dhe florinjtë e nënave dhe vajzave shqiptare dhe do ta bënte rrugën”. Dhe në fakt shkriu më shumë se aq, por ne nuk u ndjemë.

Nuk pashë atëherë ndonjë reagim nga Jugu i Shqipërisë apo nga Tirana, përse po harxhoheshin 1.3 miliardë euro për një rrugë që të çonte në Kukës. Askush nuk reagoi për atë projekt tërësisht korruptiv, që gjithë konsulentët e kundërshtuan. Edhe presidenti turk i ENKA, ndërtuesi i rrugës, ja ka kundërshtuar në zyrë Sali Berishës projektin dhe e ka këshilluar të zgjerojë autostradën Milot- Shkodër dhe të bëjë një rrugë me tre kalime, superstradën Bushat- Gjakovë përmes luginës së Drinit, që më vonë do shoqërohej me hekurudhë. Do ishte disa herë më e lirë dhe më e mirë.

Por Sali Berisha bëri atë që kishte plan në kokën e tij dhe në kokë të tij, i vetmi plan ishin miliardat.

Tani kur pjesa tjetër e Shqipërisë ja toleroi këtë masakër “në emër të kombit”, nuk e kuptoj pse përfituesit kryesorë të rrugës, d.m.th zona e verilindjes dhe Kosova reagojnë për taksën si padrejtësi raciste ndaj tyre. Atë rrugë e përdorim të gjithë dhe do ta paguajmë të gjithë kur e përdorim, por kur ajo ishte pa u bërë, Kosova dhe verilindja e kishte nevojë themelore dhe u “diskriminuan pozitivisht” në raport me pjesën tjetër të Shqipërisë, duke marrë 1,3 miliardë, për të ardhur në Tiranë për dy orë.

Tani ata që mund të ankohen, mund të jetë pjesa tjetër e Shqipërisë, por jo ata që realisht ja shikojnë hajrin asaj rruge.

Pjesa tjetër e Shqipërisë ka përballuar një shifër korruptive 1,3 miliardë euro dhe nuk ka reaguar me ligësi dhe provincializëm ndaj verilindjes dhe Kosovës, për të thënë pse po i harxhojmë paratë për ata. Kurse tani për 5 euro taksë, që në fakt ka problematikën e saj, ka shpërthyer një histeri kundër Shqipërisë, a thua se ne jemi fajtorë që do kalojmë më pak se ata, në atë tunel.

Kjo, sidomos për pjesën e Kosovës. Përderisa rruga për ta është jetike, ata nuk nuk mund të mos jenë kontribues në këtë histori. Qeveria shqiptare ka bërë boll masakra ndaj popullit të vet me këtë rrugë që nga fillimi, por asnjë masakër ndaj Kosovës. Pesë euro për atë që do të vijë në Shqipëri nga Kosova, nuk është arsye për të mallkuar Shqipërinë, përveç rastit kur mezi pret një rast ta mallkosh.

Është njësoj sikur dikush nga Dropulli niset drejt Athinës dhe tani që është bërë autostrada e re, paguan rreth 50 euro për 500 km nga Kakavija në Athinë, dhe të mallkojë qeverinë greke se e ka bërë për inat të grekëve të Shqipërisë këtë taksë, që mos të shkelin në Greqi. E ka bërë për llogari të vet dhe qytetarëve të vet.

Kosova është përfituese nga kjo rrugë dhe të diskriminuar janë shqiptarët, shumica e shqiptarëve që kanë paguar për të dhe do ripaguajnë. Kosova me shëndet do ta bëjë me këto 5 eurot tek tuneli. Mund t’i bien pak më gjatë nëse nuk duan t’i paguajnë, por ta kursejnë helmin ndaj Shqipërisë, se nuk është për ta ajo taksë. Për ata do jenë taksat në autostradën e tyre që do të vihen së shpejti, por ne nuk do t’i mallkojmë. Këto taksa janë për të zezën tonë qysh kur ka nisur ajo rrugë. Nga dëshira për të vjedhur si “patriotë”.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë