Loading…
Rrugëtimi i AKP-së dhe Erdoganit në krye të Turqisë
  • Nga

  • SHKODRAN RAMADANI

  • 26/06/2018 | 19:24

...

Sulmet e 11 shtatorit e bënë të dukshme nevojën e Turqisë për një lëvizje politike njëkohësisht të moderuar dhe konservatore. Një lëvizje që, në njërën anë, është e hapur për dialog dhe bashkëpunim me ekonomitë e tregut të lirë dhe shoqëritë liberale të perëndimit dhe, që në anën tjetër artikulon, përfshin dhe mobilizon elementet lokale dhe tradicionale të shoqërisë turke. Një nevojë e tillë ishte reflektuar edhe në mesin e SHBA-së dhe BE-së.

Menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit, vendet perëndimore filluan të identifikojnë dhe të mbështesin organizata muslimane politikisht liberale dhe kulturalisht konservatore për të ulur rëndësinë e lëvizjeve ekstremiste në shoqëritë muslimane. Lëvizjet konservatore do të shërbenin si sfungjerë që thithin energjitë e organizatave ekstremiste fetare që ishin katalizatorë të dhunës. E gjithë kjo ndërmarrësi do të ndihmonte në krijimin e urave diplomatike mes shteteve perëndimore dhe Turqisë, një nga vendet më të rëndësishme me shumicë muslimane.

Këto zhvillime përkuan me një periudhë krize të rëndë ekonomike në Turqi. Gjatë vitit 2001 Turqia çalonte nga një përkeqësim i raporteve mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Arsyeja kryesore ishte fakti që Presidenti Ahmet Necdet Sezer vazhdimisht përdorte veton kundër vendimeve të Qeverisë, ndërkohë që Kryeministri Bulent Ecevit besonte se Presidenti po i tejkalonte fuqitë e parapara kushtetuese. Më 19 shkurt 2001, për herë të parë në historinë e Këshillit Nacional Turk të Sigurisë, konflikti mes Presidentit dhe Kryeministrit u bë publik dhe kjo ndikoi negativisht menjëherë në tregjet financiare.

Në këto rrethana më së miri u gjet një grup politik konservator i qendrës së djathtë që përpiqej të mobilizonte përkrahje. Mes vitit 2000 dhe 2001, politikanët me prapavijë islamiste dhe liberale bashkuan forcat dhe krijuan Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP). Përmes AKP-së, vetëm 5 vite pas grusht-shtetit ushtarak që detyroi Kryeministrin Necmettin Erbakan të dorëhiqet, shokët e tij politikë u kthyen në skenën politike. Ata analizuan mirë situatën e brendshme dhe zhvillimet në politikën ndërkombëtare dhe dizajnuan një platformë për të depërtuar në politikë. Në botën post-11 shtator kjo lëvizje e re konservatore ishte e gatshme të bashkëpunonte me SHBA-të dhe BE-në në nivel diplomatik, ekonomik dhe në luftën kundër terrorizmit.

Në vitin 2002, në zgjedhjet e saj të para, AKP-ja fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare në Turqi. Ajo mori 34% të votave dhe siguroi 363 nga 550 ulëset në parlament. Partia Republikane Popullore (CHP) fitoi 19% dhe 178 ulëse në parlament. Kështu AKP-ja i dha fund dominimit të partive tradicionale politike. Ky ishte një tërmet politik që do të rikonfiguronte strukturën socio-politike në Turqi për një periudhë të gjatë. Në këtë rrugë, AKP-ja ishte udhëhequr nga Recep Tayyip Erdoğan, që edhe u zgjodh Kryeministër i Turqisë më 2003.

Në vitin 2007 AKP-ja filloi konsolidimin e pushtetit të vet kur injoroi paralajmërimet e establishmentit militar dhe zgjodhi kandidatin e saj për President. Nga ai moment, qeveritë e AKP-së punuan që të demokratizojnë dhe liberalizojnë Turqinë. Këtë e bënë përmes reformave ligjore dhe institucionale të realizuara si procesit integrues në BE. Nga 2002 deri më 2007, përmes pakove të reformave të BE-së për Turqinë, qeveritë e AKP-së adoptuan ligje për heqjen e dënimit me vdekje, dhënien e të drejtave për edukim dhe media për kurdët, si dhe e bënë gjyqësorin turk pjesë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pakoja e shtatë e reformave eliminoi mekanizmat strukturorë përmes të cilëve ushtria turke kontrollonte sistemin politik në vend. Kjo ishte reforma më e rëndësishme dhe përfshinte: kufizimin e fuqive ekzekutive dhe përgjegjësive të Këshillit Nacional të Sigurisë (KNS). Më parë, KNS-ja udhëhiqej nga ushtria dhe kishte të drejtën të përpilonte doktrinat e sigurisë kombëtare turke dhe politikës së jashtme, të cilat ia kalonte qeverisë për implementim. Reforma i la ushtrisë vetëm rol këshillues në bordin e KNS-së. Ky do të ishte një hap shumë i madh për të ardhmen e Turqisë.

Nga viti 2007, ushtria humbi ngadalë edhe mekanizmat joformalë, si aftësia për të mbajtur fjalime publike dhe konferenca shtypi për të ushtruar presion dhe për të kërcënuar politikanë siç bënte në të kaluarën. Në të njëjtën kohë, ajo humbi fuqitë ligjore për t’u përballë me kërcënimet e brendshme, sikur PKK-ja. Në vitin 2010 humbja e ushtrisë u thellua edhe më shumë kur amandamentet Kushtetuese e kufizuan edhe më shumë jurisdiksionin e gjykatave ushtarake, shkatërruan të drejtën e ushtrisë për të kryer operacione të brendshme pa lejen e autoriteteve civile dhe rritën kontrollin mbi shpenzimet ushtarake.

Qeveritë e AKP-së kanë implementuar një sërë reformash për njohjen dhe zgjerimin e të drejtave të pakicave. Për shembull, nën AKP-në ka pasur rritje efektive të të drejtave kulturore dhe gjuhësore për kurdët, megjithëse ka probleme të shumta në zbatimin e tyre. Një tjetër ndryshim i madh është bërë në përfaqësimin e grupevve kurde si parti të veçanta politike në parlament. Përveç kurdëve grupe tjera, kryesisht fetare, janë njohur nën qeverisjen e AKP-së.

Pasi AKP-ja kishte fituar zgjedhjet parlamentare edhe në vitet 2007 dhe 2011, në vitin 2014 në Turqi u mbajtën zgjedhjet presidenciale. Përballë kundërkandiatëve Ekmeleddin İhsanoğlu dhe Selahattin Demirtaş, Erdogan fitoi me shumicë absolute (51.78%) që në rrethin e parë, duke e bërë të panevojshëm rrethin e dytë zgjedhor. Erdogan pasoi Abdullah Gül-in (anëtar i AKP-së deri më 2007) si President.

Ndërkohë Ahmet Davutoğlu (anëtar i AKP-së) zëvendësoi Erdoganin në postin e Kryeministrit dhe në kreun e partisë. Ky i fundit ishte zgjedhur 3 herë në këtë post. Më pas AKP-ja fitoi edhe një herë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2015. Në po atë vit u mbajtën zgjedhje të parakohshme dhe përsëri AKP-ja fitoi. Davutoğlu u bë Kryeministër i vendit. Motori elektoral i AKP-së vinte nga shtresa e mesme turke e forcuar nga reformat politike të AKP-së. Me ideologjinë e saj konservatore, etjen për kapitalizëm dhe dëshirën për të participuar në procesin e globalizimit, kjo shtresë e mesme është kontribuesi kryesor zgjedhor.

Në ndërkohë AKP-ja e ka shtrirë aq shumë pushtetin e saj në Turqi, sa po përdorë sektorë të shtetit për të mbrojtur dhe avancuar e saj të veçanta. Kjo mund të vërehet sidomos në gjyqësor. Ligji i vitit 2007 për Gjykatës dhe Prokurorë ishte një hap konkret drejt kontrollit të AKP-së mbi gjyqësor. Më herët gjykatësit dhe prokurorët ishin të obliguar të intervistoheshin dhe t’u nënshtroheshin testeve me shkrim. Me këtë ligj intervistat do të mbaheshin nga Ministria e Drejtësisë. Në fjalë tjera, gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm do të zgjidheshin nga qeveria. Me këtë ligj Qeveria poashtu siguroi pushtetin që të ndikojë në balancin e fuqisë në Këshillin e Lartë të Gjykatësve dhe Prokurorëve.

Në vitin 2010 u bënë ndryshime Kushtetuese dhe AKP-ja e ndryshoi Gjykatën Kushtetuese në mënyrë drastike. Këto ndryshime ia pamundësuan Gjykatës të drejtën që t’i nominojë kandidatët e vet për anëtarësi në Gjykatë. Kjo e drejtë tash i takon Presidentit të Republikës. Nga viti 1982 Presidenti mund t’i emëronte 11 gjykatës të rregullt dhe 4 gjykatës rezervë. Nga 2010 Presidenti mund t’i emërojë 14 nga 17 gjykatës të rregullt. Derisa në një anë ndryshimet kushtetuese dobësonin rolin e ushtrisë në politikë, në anën tjetër ato po e zmadhonin rolin e presidentit.

Më 15 korrik 2016, një grusht-shtet ishte tentuar kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë Qeverinë dhe Presidentin Erdogan. Përpjekja ishte kryer nga një fraksion i Forcave të Armatosura Turke. Operacioni kishte dështuar. Grusht-shtetasit cekën gërryerjen e sekularizmit, eliminimin e rregullit demokratik, shpërfilljen e të drejtave të njeriut dhe humbjen e kredibilitetit të Turqisë në arenën ndërkombëtare si arsye për grusht-shtet. Qeveria akuzoi Fetullah Gülenin, biznismen dhe klerik që jeton në SHBA, si organizator të veprimeve. Ai mohon të ketë organizuar një operacion të tillë. Megjithatë Lëvizjen e tij Güleniste Turqia e shpalli terroriste dhe nga atëherë kërkon nga amerikanët ekstradimin e Gülenit, ndërkohë një gjë e tillë deri më tash nuk është bërë.

Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, Qeveria e Turqisë deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme dhe mori masa të ashpra kundër atyre të cilët i akuzoi për grusht-shtet. Pas arrestimeve të stafit ushtarak të akuzuar, arrestimet ishin zgjeruar dhe prekën edhe elemente të Shërbimit Ushtarak Turk, si dhe shërbyes civilë dhe biznese private. Në mesin e të arrestuarve kishte shumë njerëz që nuk kishin lidhje direkte me sulmin, por që kishin lidhje me lëvizjen e Gülenit.

Numri i të arrestuarve dhe suspenduarve nga vendet e punës është mbi 160 mijë persona. Afër 1600 dekanë dhe 6000 akademikë në mbi 100 universitete në vend ishin suspenduar. Mbi 1000 shkolla private dhe 15 universitete që kishin lidhje me lëvizjen e Gülenit ose me PKK-në ishin mbyllur. Megjithëse BE-ja, SHBA-ja, OKB-ja dhe organizata të ndryshme, si Human Rights Watch, dënuan grusht-shtetin, ato poashtu dënuan sulmin mbi sektorët civilë dhe mbi aktivistët e të drejtave të njeriut, nga duke kërkuar respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë arrestimeve.

Në prill të 2017, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Turqia organizoi një referendum rreth zgjerimit të fuqive kushtetuese të Presidentit. Këto ndryshime kushtetuese do ta transformonin Turqinë nga një republikë parlamentare, në republikë presidenciale. Ndryshimet parapanë heqjen e postit të Kryeministrit dhe e bënë Presidentin edhe kryetar të Qeverisë. Presidenti tani kishte të drejtë të ishte pjesë e partisë. Presidenti kishte të drejtë të emëronte ministra, të përgatiste buxhetin, të zgjidhte shumicën e gjykatësve dhe të adoptonte ligje përmes dekreteve.

Presidenti do të kishte të drejtë të shpallte gjendje të jashtëzakonshme dhe të shpërbënte parlamentin. Parlamentit do t’i merrej e drejta e mbikqyrjes së ministrave dhe e inicimit të hetimeve. Paditja e Presidentit nga parlamenti do të jetë komplekse. Për ta bërë këtë duhen 2/3-tat e deputetëve dhe miratimi nga Gjykata Kushtetuese, aty ku Presidenti veçse ushtron kontroll të madh. Praktikisht do të jetë e pamundur. Parlamenti nuk do të ketë të drejtë mocioni, e as t’u bëjë pyetje me gojë anëtarëve të ekzekutivit. Deputetët mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm me shkrim. Kushtetuta e vjetër ia mundësonte parlamentit që me shumicë të thjeshtë t’i kalonte ligjet të cilat ktheheshin mbrapsht nga Presidenti. Ndryshimet ia dhanë Presidentit të drejtën e vetos në çdo ligj dhe parlamneti mund ta tejkalojë këtë vetëm me 2/3-tat e votave.

Përkundër pohimeve të Erdoganit se këto ndryshime kushtetuese do ta bënin Turqinë me një sistem presidencial sikur ai amerikan, e vërteta qëndron ndryshe. Në një raport të lëshuar nga Komisioni i Venedikut, thuhet që ka pak ngjashmëri mes dy sistemeve, duke thënë që në Turqi Presidenti ka fuqi më të madhe dhe ka më pak mekanizma kontrollues mbi punën e tij. Një këshilltar i Erdoganit e arsyetonte këtë duke thënë se nëse Presidenti pasqyron vullnetin e popullit, atëherë institucionet tjera nuk kanë të drejtë ta mbikqyrin atë sepse do të shkelej demokracia.

Referendumi kaloi dhe reformës iu hap rruga. Rezultati ishte shumë i ngushtë. 51% votuan për. Megjithatë, fushata ishte me shumë parregullsi. Këshillit i Evropës (KE) vlerësoi se referendumi ishte mbajtur në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, ku procesi demokratik ishte penguar nga aparatusi shtetëror. Kjo ia ka pamundësuar kundërshtarëve të referendumit të promovojnë lirshëm agjendën e tyre. 2 liderë dhe 11 deputetë të HDP-së, partisë së katërt në vend, ishin burgosur për shkak të akuzave nga autoritetet shtetërore se po bënin thirrje për luftë.

KE-ja vlerësoi se kampanja “PO” dominoi mediat, kurse kishte pasur shtrëngesa mbi mediat e “JO”- së. Gazetarë kritikë të Erdoganit ishin arrestuar, kurse një numër mediash ishin mbyllur. Kjo e ka ulur qasjen e votuesve në pluralitetin e vështrimeve mbi referendumin. Sipas Human Rights Watch, mediat kritike të Erdoganit ishin heshtur pas grusht-shtetit, me 160 mediume të mbyllura dhe me 120 gazetarë dhe punëtorë mediatikë në burgje.

Në zgjedhjet e fundit, Erdogani shënoi një fitore tjetër dhe u zgjodh President që në rrethin e parë të zgjedhjeve me 53%. Ai rikonfirmoi edhe njëherë dominimin e tij në politikën turke. Njëherësh, fuqitë e fituara të Presidentit përmes referendumit do të jenë në dispozicion të Erdoganit. Në këtë mënyrë ai ka konsoliduar pushtetin e tij edhe më tej.

Kështu, i gjithë rrugëtimi i AKP-së dhe Erdoganit në krye të Turqisë përshkohet nga paradokset, me demokratizim dhe liberalizim të vendit në pjesën e parë të qeverisjes dhe me rritje të autoritarizmit në pjesën e dytë të qeverisjes. Pak vite pasi erdhi në pushtet, AKP-ja eliminoi autoritetin tutor (ushtrinë) nga politika turke, por ndërtoi një sistem ku një mori elementesh jodemokratik dhe iliberale (dhunimi i lirive qytetare, zgjedhje jo fer dhe garë e pabarabartë politike) u përhapën. AKP-ja nisi një projekt demokratizues dhe përfundoi në një regjim hibrid ku politika elementet liberale janë të shtypura dhe deformuara nga institucionet dhe praktikat iliberale. Në Turqi është ndërtuar një raport gati direkt mes monopolit të dhunës dhe qytetarëve, me liberalizmin që vibron në margjina të institucioneve dhe e ardhmja e të cilit mbetet e mjegullt.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë