Loading…
Selimi: Jam ndër deputetët më të varfër të Kuvendit
  • Nga

  • GRESE SERMAXHAJ

  • 11/01/2017 | 16:43

...

Rexhep Selimi, që prej prej vitit 2010 kur u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë pjesë e emrave më të përfolur të skenës politike. Si njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm ai shumë herë ishte pre edhe e kritikave me shënjestër pasurinë e tij personale. Ai për gaztametro.net u përgjigjet këtyre zërave, duke thënë se është ndër deputetët më të varfër të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, duke pasë për bazë arrestimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt në shtetin francez, ai thotë se pushteti reagoi në mënyrën më hipokrite të mundshme.


Ai ka akuzuar koalicionin PDK-LDK se po bën lojëra me çështjen e Haradinajt, sepse siç ka thënë ai këtë problem për ish-luftëtarët e UÇK-se kanë pasur mundësi që ta shmangin qysh moti.

“Pushteti në Kosovë ka reaguar në mënyrën më hipokrite të mundshme në rastin e Haradinajt. Ky pushtet vetëm bën lojëra me këtë çështje sepse ka mundur qysh moti ta evitojë këtë problem. Shumë prej atyre që sot janë në pushtet interesohen vetëm për interesin personal dhe përfitimet politike me rastin e arrestimit të luftëtarëve të UÇK-së nga kushdo, qoftë edhe nga Serbia përmes Interpolit”, theksoi Selimi.

Për më tepër, sipas tij koalicioni PDK-LDK-Lista Serbe vetëm sa do të mundohen të përfitojnë nga kjo situatë e “eleminimeve” të kundërshtarëve politik.

Selimi, edhe pse gjendet në të njejtën listë më Haradinajn thotë të ketë udhëtuar lirshëm kudo, përveç Serbisë.

“Unë kam udhëtuar nëpër shumë shtete dhe kontinente të ndryshme të botës. Poashtu kam udhëtuar dhe udhëtoj nëpër shumë vende të Bashkimit Europian dhe të rajonit, përveç në Serbi, dhe nuk kam pasur asnjëherë problem. Nuk kam pasur probleme sepse deri më tani asnjë shtet demokratik nuk i ka zbatuar urdhërat për arrest nga Interpol Serbia sepse është e ditur se ato kërkesa të Serbisë janë jo valide për qytetarët e Kosovës dhe në veçanti për luftëtarët e UÇK-së”, tha ai për gazetametro.net.

rexhep-selimi-brenda

Ai thotë se i vie mirë që është armik i Serbisë, përderisa Serbia është armik i shqiptarëve.

“Unë e kam të ngritur një aktakuzë nga Serbia qysh në vitin 1996  me të ashtuquajturin Grupin e parë të UÇK-së, në të njejtin grup më Adem Jasharin dhe poashtu jam i dënuar në mungesë nga Gjykatat e Serbisë me 20 vjet burgim në vitin 1997. Rrjedhimisht edhe jam në listat e të kërkuarëve nga Serbia. Njëkohësisht asnjëherë nuk do të doja aministi nga Serbia, Kështu që më vjen mirë që jam armik i Serbisë përderisa Serbia është armik i shqiptarëve”, ka deklaruar deputeti Selimi.

Sa është i pasur Rexhep Selimi

Ai nuk la pa përmendur edhe kritikat që u bën ndaj tij lidhur me pasurinë personale.

“Unë e kam të deklaruar pasurinë time në AKK dhe renditem  i 106-ti në mesin e deputetëve aktual të Kosovës për nga pasuria. Pra, janë vetëm 14 deputetë që kanë pasuri më të vogël sesa unë. Gjithçka që kam përtej kësaj që e kam deklaruar unë marrë përgjegjësi politike dhe penale. Kështu pra ju përgjigjem atyre zërave që thonë se unë jam i pasur”, deklaroi ai.

Sipas tij luftëtarët e UÇK-së janë shtresa më e varfër e shoqërisë, ndërsa janë pasuruar vetëm një kategori, por jo që kanë qenë luftëtarë, por që, siç ka thënë ai kanë përfituar nga lufta e atyre që sot janë të varfër.

“Luftëtarët e UÇK-së janë shtresa më e varfër e shoqërisë. Shumë prej tyre edhe kanë bërë vetëvrasje nga varfëria. Shumë prej tyre janë të pa punë. Shumë prej tyre kanë ikur me turmat e refugjatëve ilegal nëpër Europë. Pra, ky është realiteti i ish-luftëtarëve të UÇK-së”, shprehet Selimi.

“Përceptimi reth “pasurimit të hovshëm” të ish luftëtarëve të UÇK-së është më se i pa vërtetë.Nuk është e vërtetë që luftëtarët “janë pasuruar hovshëm” por është e kunderta, janë varfëruar skajshëm”, përfundoi ai lidhur me pasurinë e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Ndërsa, ka diçka që sipas Selimit e ka bërë Kuvendi i Kosovës e që se ka bërë asnjë parlament në rajon, vendi i të cilit ka dalë nga lufta. Madje as Serbia se ka bërë një gjë të tillë. Është fjala për barrën e përgjegjësisë që ka marrë me rastin e Gjykatës Speciale.

“Shumica parlamentare e Kuvendit të Kosovës ka bërë diçka që nuk e ka bërë asnjë parlament në rajon, vendi i të cilit ka dalë nga lufta. Madje as Serbia agresore se ka bërë një gjë të tillë. Pra, Parlamenti i Kosovës ka marrë përsipër se populli i tij ka bërë krime, deri në spastrim etnik, të cilat krime duhet t’i gjykojë një Gjykatë Speciale. Përgjegjësinë për këtë akt tradhëtie do ta bartin krerët e pushtetit në Kosovë. Kjo për lëvizjen Vetëvendosje ka qenë dhe mbetet e papranueshme. Kundërshtimi ynë ndaj kësaj Gjykate ka qenë dhe mbetet kundërshtim ndaj padrejtësisë që po u bëhet shqiptarëvë”, tha Selimi për gazetametro.net.

Sipas tij ndërkombëtarët nuk janë të parët që e bartin barrën e kësaj padrejtësie ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, mirëpo padrejtësia mbetet e tillë ngado dhe nga kushdo që vjen, siç u shpreh ai.

Për fund, ai tha se krerët e shtetit të Kosovës kanë bërë një akt tradhëtia ndaj luftës çlirimtare të Kosovës në momentin kur e kanë sponzorizuar në kuvend votimin e kësaj gjykate.

“Dikush prej tyre ndoshta ka menduar ta shpëtojë veten nga kjo Gjykatë, por kurrë nuk do të mund të shpëtojë veten nga gjyqi i historisë”, përfundoi Selimi. /gazetametro.net.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë