Loading…
SHBA dhuron pajisje për kontrollin e kufirit
  • 05/10/2017 | 14:00

...

Ministria e Punëve të Brendshme, Ministra e Financave dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë pranuar donacion pajisje në vlerë prej 1 milion e 100 mijë dollarë për kontrollin kufitar.


Departamentet të cilat kanë fituar këtë donacion nga Ministria e Punëve të Brendshme është Policia Kufitare dhe Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, nga Ministria e Financave janë Doganat, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është Departamenti për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike dhe Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tha se ministria që drejton është e përkushtuar që të punojë me ambasadën e SHBA-ve, ministritë e tjera si dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar me qëllim të forcimit të kufijve të Kosovës.

Ai tha se kufijtë e fuqishëm promovojnë sigurinë e brendshme, si dhe atë rajonale.

“Policia Kufitare, programi për kontrollin e eksportit dhe sigurimin e kufijve dhe departamentin e shtetit për energji kanë lidhur partneritet për ofrimin e trajnimit të pajisjeve të cilësisë së lartë të zyrtarëve të Policisë kufitare. Me qëllim të përmirësimit të kontrolleve kufitare, zbulimit të rrezatimit, kundër terrorizmit, krimeve ndërkufitare si dhe me identifikimin e operacioneve nga armët për shkatërrim në masë. Siç e dini Ministria e Punëve të Brendshme menaxhon Qendrën Kufitare për menaxhimin kufitar, synimi im është që kjo qendër të bëhet krejtësisht funksionale për shkak të rëndësisë që ajo ka për sigurinë kombëtare të Kosovës”, tha ministri Sefaj.

Ndërsa, Ambasadori i ShBA-ve, Greg Delawie, tha se janë të përkushtuar për të punuar me autoritetet kosovare për përforcimin e kufirit, pasi sipas tij kufijtë e fortë u lehtësojnë udhëtarëve të ligjshëm të kalojnë kufirin,  por edhe parandalojnë krimin dhe korrupsionin.

Delawie tha se pajisjet për ndalim të teknologjisë së informimit do të përdoren nga policia kufitare dhe dogana për shtimin e operacioneve të kontrollit të kufirit.

“Për shembull javën e kaluar 10 zyrtarë janë aftësuar për përdorimin e pajisjeve për gjetjen e eksplozivit dhe të lëndëve narkotike, pajisjet për zbulimin e rrezatimit do të përdoren nga Policia kufitare në kufi dhe nëpër pikat kufitare, si dhe nga agjencia e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe për siguri bërthamore në veprimtaritë reaguese. Por, edhe nga njësiti policor për rendin publik në ngjarje të ndryshme kombëtare. Javën e kaluar 13 zyrtarë janë trajnuar për përdorimin e makinave për zbulimin e rrezatimit dhe për pajisjet përkatëse. Përditësimi i pajisjeve të teknologjisë informative për Qendrën Kombëtare për menaxhimin e kufirit do të rris aftësitë e saj për luftimin e trafikimit ndërkombëtar, krimit trans nacional, përhapjes së armëve për shkatërrim në masë dhe terrorizmit përmes shkëmbimit të informatave dhe analizave të rrezikut dhe raporteve të inteligjencës dhe të cilësisë së lartë”, tha ambasadori amerikan.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se janë të vetëdijshëm që tërë zhvillimi i Doganës gjithmonë është ndihmuar me donacione nga Qeveria e ShBA-ve, e kjo sipas tij e ka bërë Doganën institucionit më të pajisur me teknologjinë më të re për të luftuar kontrabandën e mallrave, drogave, armëve dhe të tjera.

Po ashtu, Hamza tha se përfitimet e këtij donacioni të tanishëm janë shumë dimensionale.

“E para Dogana e Kosovës do të jenë të pajisura me pajisjet dhe informatat më të besueshme nga baza e re e të dhënave që po përditësohet në Qendrën Nacionale për menaxhimin e kufijve që ndikojnë në rritjen, efikasitetin dhe kualitetin e punës së Doganës. E dyta, do të përfitoj Ministria e Financave dhe bizneset. Ministria e Financave do të ketë të hyra më të mëdha në buxhet nga luftimi i kontrabandës, ndërsa bizneset do të kenë një ambient më të mirë për të bërë biznes dhe një konkurrencë shumë më të drejtë. E treta, që është më e rëndësishmja përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Kosovës të cilët do të ndihen të sigurt nga përdorimi i llojit të mallit që gjendet në tregun tonë, duke përfshirë edhe luftimin e hyrjes së drogave të ndryshme, armëve e të tjera”, tha ai.

Kurse, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, u shpreh i bindur se këto pajisje të dhuruara do të ndihmojnë në zbatimin e përgjegjësive mbi kontrollin e eksportit dhe importit.

“Ky bashkëpunim shpresojë që do të vazhdoj edhe në të ardhmen për tu arritur edhe objektivat e parapara të cilat janë në funksion të ligjit, rregulloreve dhe udhëzimeve për të cilët po ashtu ka dhënë një kontribut të çmuar. Besoj që këto pajisje të dhuruara nga ju do ti ndihmojnë dukshëm departamentit tonë për të zbatuar përgjegjësinë e kontrollit mbi eksportin, importin, transitin , ri eksportimin e mallrave dhe ri transferimin e mallrave strategjik. Të tilla si  materialet për armët të shkatërrimit në masë, mallrat me përdorim të dyfishtë të cilët mund të përdoren për zhvillimin e këtyre programeve dhe armët konvencionale ”, tha Hasani.

Sipas tij  ky kontroll i tregtisë me mallra strategjike është i domosdoshëm për të siguruar se mallrat dhe teknologjia të mbahen larg duarve të terroristëve.

Donacionin prej 1 milion e 100 mijë dollarë për Kosovën e ka mundësuar Programi për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurisë së Ndërlidhur Kufitare të SHBA-ve (EXBS) dhe Departamenti i Energjisë (DOE). /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë