Dikush e lartëson deri në profet e gjeni të letrave shqipe, të tjerë e cilësojnë tradhtar e spiun. Me dy përshkrime skajshmërisht të kundërta është përballur sa ka qenë gjallë. Por edhe pas vdekjes Kasëm Trebeshina do të ndiqet nga portretizimet që i janë bërë qysh prej viteve ‘50 të shekullit të kaluar.
Ai mbetet shkrimtari i përplasjeve të mëdha. Edhe në jetën personale që e çoi deri në vetëmohim të identitetit, edhe pas vdekjes kur përplasjet vazhdojnë rreth figurës së tij.
Është prej atyre figurave që disa nuk gjejnë fjalë për ta lartësuar sa ua merr mendja se e meriton. Disa të tjerë thjesht heshtin. U anatemua për dekada, e kjo hije e përcolli edhe pas komunizmit dhe duket se do ta përcjellë edhe pas vdekjes.
Të martën u dha lajmi se vdiq një ditë më parë në Ankara, në moshën 91-vjeçare dhe u varros pa ndonjë ceremoni në Tiranë. Iku pa bërë bujë, shkruan disa, por zhurmë bëhet sa herë që i përmendet emri, shkruan sot Koha Ditore.
Gjithçka shkoi në heshtje dhe shteti shqiptar nuk organizoi ndonjë mbledhje përkujtimore siç ndodh për disa shkrimtarë të tjerë. Ata që kanë studiuar veprën e tij këtë e shohin me habi, por edhe veprim të qëllimshëm. Luftëtar, student i regjisë, dramaturg, poet e romancier, Trebeshina shumë gjëra i kaloi me heshtje sa ishte gjallë.
Në raste të veçanta mundohej të jepte shpjegime për sjelljet që ka pasur shteti dhe shoqëria ndaj tij. Këtë e ka bërë në autobiografinë e tij “Një ditë në natën pa fund”, botuar nga shtëpia botuese “Buzuku” më 2007. Edhe vetë titulli dukej si një parandjenjë për errësirën që ndjek figurën e tij.