Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të hënën ka hapur edhe dy konkurse për udhëheqës të një institucioni. Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” është në kërkim të drejtorit dhe udhëheqësit artistik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Javën që shkoi MKRS-ja e kishte anuluar konkursin e brendshëm për udhëheqës artistik në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Kjo është bërë në mungesë të aplikantëve në konkursin e brendshëm.
Drejtorit të “Shotës”, Shefqet Gjocaj, dhe udhëheqësit artistik, Ylber Asllani, u kanë skaduar kontratat më 8 janar.
Gjocaj, i cili është emëruar ushtrues detyre i drejtorit derisa të përfundojnë procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të ri, të hënën i ka thënë gazetës se nuk e ka ende një përgjigje të prerë nëse do të konkurrojë për një mandat të dytë si udhëheqës i “Shotës”, por ka lënë të kuptohet se një gjë e tillë mund të ndodhë.