Loading…
Skënderbeu në Skënderaj
  • Nga

  • BLERIM LATIFI

  • 15/11/2018 | 20:28

...

Kjo konferencë që po mbahet sot këtu në Skënderaj, paraqet një rëndësi të dyfishtë për qytetin tonë. E para: Duke organizuar këtë konferencë, komuna e Skënderajt i bashkohet përkujtimit gjithëkombëtar që këtë vit po i bëhet figurës historike të Skënderbeut, në 550 vjetorin e vdekjes së tij. E dyta: Skënderaj ka një lidhje të veçantë me emrin e Skënderbeut dhe kjo lidhje ka të bëjë me dy gjëra: Me vetë emrin e qytetit dhe me disa ngjarje historike që kanë ndodhur në Drenicë, e domethënia e të cilave lidhet me simbolikën kombëtare të figurës së Skënderbeut.

Në pjesën e parë të ligjëratës sime, do të ndalem tek raporti i historisë së Skënderajt me simbolikën e figurës së Skënderbeut. Ndërsa në pjesën e dytë, do të përpiqem të paraqes rëndësinë që ka figura e Skënderbeut në historinë identitare të kombit shqiptar.

I

Jo vetëm ideologjitë moderne, por edhe mitologjitë e lashta e shpërfaqin emërtimin e gjësendeve si atribut të pushtetit. Në mitologjinë biblike sundimi i Adamit në tokë fillon me emërtimin e gjësendeve prej tij. Shkrimtari britanik, George Orwell, në romanin e tij politik, 1984, emërtimin e gjësendeve e nxjerr si njërin ndër mekanizmat thelbësor të funksionimit të makinerisë totalitare staliniste. Emërtimi si pushtet, shfaqet edhe në politikën demokratike: në luftën e tyre për opinionin publik partitë gjithë kohën përpiqen t’i emërtojnë çështjet publike me etiketa që shprehin bindjet dhe interesat e tyre.

Edhe historia e emrit të qytetit të Skënderajt, e reflekton emërtimin si manifestim të pushtetit.

Përgjatë gjithë sundimit disa shekullor osman, rajoni i Drenicës kishte gëzuar statusin e një rajoni gjysmë autonom. Administrata osmane, asnjëherë nuk kishte vendosur ndonjë prezencë fizike në këtë rajon. Këtu, autoritetet më të larta ishin bajraktarët dhe krerët e fiseve, ndërsa ligji themelor ishte Kanuni i Lekë Dukagjinit. Aty kah fundi i shekullit të 19, autoritetet osmane e menduan që ta ndryshojnë këtë gjendje. Ato planifikuan që në Drenicë të vendosin një prezencë fizike të administratës së tyre. Në mes të fshatit Llaushë dhe Klinë e Ulët, përzgjodhën një vend ku do të ngriheshin ndërtesat e para të kësaj prezence. Ndërtesat do të quheshin Sarajet Hamidie, dhe do të shërbenin si bërthama e qytezës së re. Emri Hamidie u përzgjodh në nderim të Sulltan Hamidit, i cili në atë kohë ishte në pushtet në Stamboll.

Këtë veprim, krerët e Drenicës e morën si cenim të lirisë së tyre dhe në një mëngjes të ftohtë të vitit 1891, qindra burra të armatosur, nën udhëheqjen e Ahmet Delisë, bajraktarit të Prekazit, i sulmuan dhe u vunë zjarrin sarajeve osmane.

Mesazhi i këtij veprimi ishte se Drenica nuk pranonte prezencë osmane në territorin e saj. Reprezaljet që pasuan nga ana e ushtrisë osmane, nuk ndikuan që drenicasit të ndryshojnë qëndrim dhe në fund edhe vetë autoritetet osmane hoqën dorë nga projekti i tyre për të ndërtuar një qytezë osmane në Drenicë. Tridhjetë vite më vonë, pas vrasjes së Azem Bejtës dhe shuarjes së Lëvizjes Kaçake në Drenicë dhe në Kosovë, pushtuesit e rinj, serbët, iu rikthyen projektit osman. Ata vendosën të themelojnë një qytezë pikërisht në vendin ku ishte menduar të ndërtoheshin Sarajet Osmane. Qyteza do të kishte funksione administrative dhe do të shërbente si vendbanim për kolonë serbë, të cilët Serbia po i vendoste gjithandej Kosovës, në kuadër të asaj që quhej reformë agrare, e që në fakt ishte plan i kolonizimit të Kosovës me serbë të sjellë nga pjesët tjera të Mbretërisë së atëhershme të Jugosllave. Me këtë, kuptohet, synohej ndryshimi i strukturës etnike të popullatës së Kosovës, e cila në shumicën e saj ishte shqiptare. Qyteza e sapothemeluar u quajt Serbicë. Thuhet se ishte menduar edhe emri Kralevë e Vogël. Të dy emrat, në mënyrë shumë eksplicite, shprehnin qëllimin e pushtetit serb: serbizimin e territorit të Drenicës dhe kjo gjë duhej të fillonte me emërtimin. Ishte fati historik që sundimi monarkist serb nuk zgjati shumë. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, prishi planet e qeverisë së Beogradit për pastrimin etnik të Kosovës, për arsye se Jugosllavia monarkiste u pushtua nga Gjermania naziste, ndërsa Kosova, në pjesën më të madhe të saj, u la nën pushtetin e Italisë fashiste. Regjimi i Musolinit, vendosi në pushtet një qeveri shqiptare, e cila e njihte autoritetin sovran të Mbretërisë Italiane dhe Kosova u bë pjesë e kësaj qeverie, me kryeqytet Tiranën.

Drenica u përfshi në prefekturën e qarkut të Pejës, ndërsa në “Serbicë” u vendos administrata e nënprefekturës. Në ato ditë sekretari i nënprefekturës së Drenicës, një kuksian, me emrin Kadri Sinamati, pati një ide: T’i ndryshohej emri qytezës. Emri “Serbicë” ishte emër që reflektonte sundimin serb dhe meqë ky sundim kishte marrë fund, tani duhej gjetur një emër që do të reflektonte historinë dhe identitetin kombëtar të popullatës së Drenicës.

Po, cili emër meritonte të përzgjidhej?

Në ato vite, si pasojë e ndikimit të historiografisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe të ideologjisë monarkiste të Zogut, në mesin e shqiptarëve, Skënderbeu ishte figura më e vlerësuar historike.

Kjo figurë u shkonte përshtati si nacionalistëve shqiptarë, ashtu edhe autoriteteve italiane, për shkak se raportet politike në mes shqiptarëve dhe italianëve, nën regjimin e Musolinit, shiheshin edhe si ringjallje e raporteve dhe aleancave që kishte pasur dikur Skënderbeu me shtetet italiane mesjetare, Venedikun, Napolin dhe Shtetin e Papatit. Në funksion të këtij perceptimi pragmatik politik, në vitin 1940, në Romë, u vendos shtatorja e Skënderbeut dhe një shesh mori emrin “Piazza Skanderbeg”. Inaugurimin e sheshit e bëri vetë Benito Musolini. Sheshi, edhe sot, ka të njëjtin emër dhe shtatorja e Skënderbeut përbën një nga atraksionet turistike për turistët që udhëtojnë në Romë.

Në kontekstin e këtij valorizimi të madh që i bëhej Skënderbeut në vitet e pushtetit italian, Sinamati nuk e kishte të vështirë të gjejë emrin e duhur për qytezën e vogël në zemër të Drenicës. Dhe emri që ai kishte në mendje ishte Skënderaj. Si nacionalist që ishte, Sinamati nuk dëshironte që emri të kishte prapashtesën turke beg dhe të quhej Skënderbeg, por prapashtesën aj të gegënishtes, me të cilën emri merrte formën Skënderaj. Ideja për emrin e ri të qytezës, iu propozua qeverisë së Tiranës, e cila e miratoi menjëherë dhe më 28 nëntor të vitit 1942, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në qytezën që tani quhej Skënderaj, u ngrit flamuri kombëtar. Prandaj, 28 nëntori në Drenicë ka peshën simbolike të një feste të shumëfishtë: Është Dita e Flamurit, Ditëlindja e Adem Jasharit, themeluesit të UÇK-së, Dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ditëlindja e emrit të qytetit të Skënderajt. Meqë këtu ndodhet kryetari i Komunës së Skënderajt, kam një propozim për të: Në shesh të qytetit, të vendoset një pllakë përkujtimore për Kadri Sinamatin, njeriun që ia dha këtë emër kaq të bukur dhe kaq domethënës qytetit tonë, duke e lidhur simbolikisht emrin e tij me emrin e Skënderbeut.

II

Tani dëshiroj të dalë tek çështja e dytë e ligjëratës sime:Skënderbeu dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve.

Ekzistojnë dy figura të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: Skënderbeu si figurë reale historike dhe Skënderbeu si figurë identitare. Si figurë historike, Skënderbeu është një personalitet politik dhe ushtarak, i cili, në rrëmujën e madhe ballkanike të shekullit të 15-të, u përpoq të ndërtojë shtetin e tij e autonom.

Në rrafshin identitar, Skënderbeun e gjejmë si figurë e cila përdoret për t’u dhënë kuptim situatave, ngjarjeve dhe ndryshimeve historike e politike.

Gjatë këtij përdorimi, janë sajuar mitet për Skënderbeun dhe i pari në mesin e tyre është Miti evropian për Skënderbeun. Sikurse dihet, rreziku osman për Evropën nuk ekzistonte vetëm gjatë kohës së Skënderbeut. Edhe më vonë, pas vdekjes së tij, dhe gjatë gjithë shekullit të 16-të dhe 17-të, ky rrezik ishte real. Ushtritë osmane nuk kishin arritur të kalojnë Adriatikun e të pushtojnë Romën, por në veri, ato kishin arritur deri tek muret e Vjenës. Kësaj Evrope të kërcënuar nga pushtimi osman i duhej një figurë që frymëzonte rezistencën dhe heroizmin antiosman dhe nuk kishte ndonjë figurë tjetër që plotësonte më mirë se Skënderbeu këtë nevojë psikopolitike të kohës. Kjo gjë solli lindjen e mitit të Skënderbeut si mbrojtës i krishterimit dhe i civilizimit perëndimor nga pushtimi osman. Në shekujt 16, 17, 18 në Evropë zhvillohet një literaturë shumë e pasur mbi figurën e Skënderbeut: libra historikë, poezi, drama, kronika të ndryshme historiko-letrare, vepra të artit pamor, vepra muzikore, ndërsa biografia e Marin Barletit për Skënderbeun gjatë kësaj kohe njeh shumë ribotime.

Në fund të shekullit të 19-të, Perandoria Osmane, ishte futur në krizën e shpërbërjes. Kjo ishte koha e lindjes së kombeve. Popujt e sunduar me shekuj prej Perandorisë Osmane, njëri pas tjetrit, po ngriheshin në kërkim të pavarësisë së tyre kombëtare, por sikurse dihet në procesin kompleks të formimit të një kombi një rol vendimtar luan memoria historike. Kjo, sepse siç thotë historiani i madh britanik, Eric Hobsbaum, kombi pa histori është term kontradiktor. Kombet nuk mund të formohen pa një përfytyrim për të kaluarën. Ky princip i inxhinieringut nacionalist, i shtyu popujt e Ballkanit që, në procesin e tyre të kombformimit, t’i kthehen të kaluarës së tyre para osmane, si pikëmbështetje për sajimin e historisë kombëtare.

Kështu, serbët iu rikthyen miteve historike për Mbretërinë Mesjetare Serbe të Nemanjiqve, të Stefan Dushanit e Car Llazarit. Këto mite pastaj shërbyen për ndërtimin e mitit serb mbi Kosovën. Në jug të Ballkanit, grekët bënë të njëjtën gjë duke iu rikthyer trashëgimisë së Greqisë së vjetër dhe asaj të Perandorisë Bizantine, ndërsa në lindje, bullgarët vepruan njëjtë duke iu rikthyer kujtimit të mbretërisë së tyre mesjetare.

Po shqiptarët si vepruan në këtë rast?

Ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e rizbuluan trashëgiminë e Skënderbeut, si referencë historike të cilën shqiptarët duhej ta ndiqnin në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga Perandoria Osmane dhe më pas edhe për të ndërtuar shtetin e tyre kombëtar.

Rilindësit e zbuluan Skënderbeun në Arkivat e Evropës. Ata e lanë të paprekur figurën e tij identitare si hero i krishterimit evropian, por ia shtuan asaj një dimension të ri: dimensionin e heroit kombëtar të shqiptarëve. Përmes këtij pasurimi identitar të figurës së Skënderbeut, rilindësit shqiptarë synonin të dërgonin një mesazh të qartë në Evropë dhe tek bashkëkombësit e tyre: Shqiptarët janë popull evropian. Ata dikur kanë luftuar për Evropën dhe sot Evropa ka për obligim t’i njoh dhe t’i pranoj ata si komb i lirë në hartën e re politike të saj, e cila po krijohej në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Në këtë mënyrë, Skënderbeu mori rolin e figurës kryesore identitare të nacionalizmit shqiptar. Ka një arsye shumë bindëse e cila na dëshmon se pse në këtë proces të ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar, figura e Skënderbeut ishte e pakonkurrencë. Arsyeja lidhet me zgjidhjen që dha vetë Skënderbeu për dilemën civilizuese të shqiptarëve. Kjo dilemë, për shekuj, ka qenë në epiqendër të historisë së tyre. Ajo është pasojë e faktit se shqiptarët kanë pasur fatin të jenë një popull kufitar, që do të thotë një popull që jeton në kufirin mes civilizimeve të ndryshme. Ky fakt i të qenit popull kufitar daton që nga koha kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë, në Perandorinë Romake të Perëndimit dhe Perandorinë Romake të Lindjes. Kufiri mes tyre binte pikërisht nëpër territoret e banuara nga etnia shqiptare (ilire, arbërore). E njëjta gjë u përsërit edhe më vonë, kur Krishterimi u nda në Kishën Katolike të Perëndimit dhe Kishën Ortodokse të Lindjes. Kufiri mes dy kishave binte mes përmes territoreve arbërore. Me ardhjen e osmanëve në Ballkan, dilema u shndërrua në trilemë: Tani shqiptarët u bënë një popull që jetonte në kufirin mes tri civilizimeve, Krishterimit perëndimor, Krishterimit ortodoks dhe Islamit osman. Kjo situatë bëri që shqiptarët, sidomos prijësit e tyre, gradualisht, të adoptojnë kursin e pragmatizmit politik, që do të thotë, kursin e bashkëpunimit të hapur me të gjithë faktorët, sipas interesave ditore.

Kështu, feudalët shqiptarë, ndodhte që në mëngjes ishin aleatë me Romën, në mesditë me Bizantin dhe në mbrëmje me Osmanët. Madje, ata ishin mësuar që edhe fenë ta ndryshonin sipas nevojës. Kur u leverdiste bëheshin muslimanë, por nëse ndryshonin rrethanat në favor të fuqive të krishtera, nuk vononin të ktheheshin përsëri në të krishterë, qoftë katolikë, qoftë ortodoksë.

Faktin se ne sot kemi tri fe dhe faktin se parapëlqejmë tolerancën fetare, në vend të fanatizmit dhe ekstremizmit fetar, në njëfarë kuptimi, i kemi trashëgimi prej këtyre feudalëve shqiptarë.

Cila është zgjedhja e Skënderbeut në këtë kontekst?

Ai vendosë të mos jetojë dhe veproj brenda trilemës civilizuese. Vendimi i tij është t’i japë fund kësaj trileme. Ai pranon vetëm një aleancë politike dhe religjioze: Aleancën me shtetet evropiane dhe 25 vite të rezistencës së tij e dëshmojnë katërcipërisht këtë përcaktim.

Ishte pikërisht ky përcaktim që e shtyu Evropën ta kanonizoj Skënderbeun si hero evropian, dhe më vonë Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila aspironte evropianizimin e shqiptarëve, nuk mund të gjente një figurë tjetër më adekuate se Skënderbeu, për t’i frymëzuar shqiptarët në arritjen e këtij qëllimi. Më vonë, në regjimin komunist të Enver Hoxhës, Skënderbeu u përdor si simbol propagandistik në luftën imagjinare që ky regjim bënte me imperializmin amerikan dhe social-imperializmin sovjetik. Diktatorit shqiptar i pëlqente krahasonte rrethimin osman të shtetit mesjetar të Skënderbeut me izolimin ndërkombëtar të Shqipërisë komuniste, edhe pse ky izolim ishte vepër e drejtpërdrejtë e tij.

Ndërkaq sot, figura e Skënderbeut ka të njëjtin rol identitar si në kohën e rilindësve, kuptohet pa harruar specifikat e konteksteve të ndryshme historike: Ajo i frymëzon shqiptarët në rrugën e tyre evropiane, perëndimore. Nuk është e rastësishme që ato forca të cilat duan t’i këpusin lidhjet identitare të kombit shqiptar me botën perëndimore, e sulmojnë pamëshirë figurën e Skënderbeut. Këto forca duan që në vend të tij të valorizojnë Ballaban Pashën, pashallarët dhe vezirët e ndryshëm osmanë, të cilët kishin origjinë shqiptare, por që kurrë nuk bënë asgjë për vendin e tyre të origjinës. Ta konsiderosh për krenari faktin se kemi pasur vezirë e pashallarë në krye të hierarkisë së Perandorisë Osmane, është njësoj si ta konsiderojmë për krenari faktin se Sinan Hasani e Ali Shukriu ishin në hierarkinë e lartë të pushtetit komunist jugosllav. Këto forca të mbrapshta, sigurisht që do të dështojnë në arritjen e qëllimit të tyre, dhe për një arsye të vetme: Shqiptarët kanë lindur si komb evropian dhe mund të ekzistojnë vetëm duke qenë evropianë. Prandaj, duke mbrojtur vetën si komb, ata natyrshëm mbrojnë trashëgiminë e Skënderbeut dhe duke mbrojtur trashëgiminë e tij, janë më të bindur dhe më të sigurt në vizionin perëndimor për të ardhmen e dy shteteve të tyre.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë