Në kohën kur poezia po shpërfytyrohet gjithnjë e më shumë, “Strehë Dashnie” na vjen si vlerë e padeformuar, duke e ruajtur thelbin e mirëfilltë të poezisë, me një shije të stërholluar estetike. Përderisa erotika në poezinë shqipe është trajtuar si ankth dhe ka vërshuar si liri e munguar, në Strehën e autorit Besnik Camaj, atë e ndjen si ndjenjë fisnike, si përjetim hyjnor, me një thelb plot filozofi.
Mes faqeve të librit, lexuesi jo vetëm strehohet në ngrohtësinë e vargut, por takon edhe ndjenjën më të bukur njerëzore, dashurinë. Dhe kjo ndjenjë është e kultivuar në mënyrë shumë të çiltër nga autori. Aq natyrshëm përjetohet kjo ndjesi mes rreshtash, sa që vetvetiu kuptohet se i vetmi synim i autorit është, ta ndajë dhe ta përçojë tek lexuesit këtë ndjenjë.
Në vargjet e Strehës, përpos që janë shkrirë dy muza të poezisë, euterpa dhe errata, në poemat e saj Republika dhe Art-i, është shkrirë edhe muza epike, kaliopa, që i jep përmasa shumëdimensionale veprës dhe një diskurs lirik me botë të thellë përceptimi.
Para së gjithash, tek Streha nuk mund të mos e vërejmë edhe dialektin e poetit, si simbolikë e veçantë që tashmë i karakterizon ligjërimet e tija dhe e bën poezinë e tij shumë më semantike duke ndërtuar një stil thuajse origjinal.
Libri fillon me poemën e Republikës, totemit të veprës siç e quan prof. Zija Vukaj, dhe vazhdon me pjesën e parë Brigjeve, ku autori ndërton raportin e tij me “mëkatin”, por që, në të njejtën kohë ec brigjeve përkrahë tij.
Shkruan: Vlora Ademi