Si pasojë e një kërkese të Komunës së Ferizajt për nisje të një procesi të kundërvajtjes ndaj tij, Mustafë Rexhepi, pronar i rrjetit të marketeve “Super Viva”, ka përfunduar në gjykatë. Ndaj tij është caktuar një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Ferizajt të dielën. Rexhepi dyshohet për mashtrime me afate të produkteve të mishit në marketin e tij në Ferizaj.
Të dielën e 9 shtatorit, pronari i rrjeteve të marketit “Super Viva”, Mustafë Rexhepi do të ballafaqohet me drejtësinë në Gjykatën Themelore të Ferizajt. Ai do të përballet me dyshimet se në ambientet e kompanisë së tij janë ruajtur produkte të prishura të mishit dhe me afat të skaduar.
Se Rexhepi do të dalë para gjyqit më 9 shtator e ka konfirmuar për Insajderin, Albnora Bekteshi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Ferizajt.
Ndaj shefit të kompanisë “Super Viva” është bërë një kërkesë për nisjen e një procesi të kundërvajtjes nga Komuna e Ferizajt, pas një aksioni të këtij Inspektoratit të Veterinarisë në ambientet e marketit të “Super Vivës” në rrugën Vëllezërit Gërvalla në Ferizaj.
Më 23 mars të këtij viti, Inspektorati i Veterinarisë kishte konfiskuar pothuajse gjysmë ton mishi të prishur që ishte duke qëndruar në dhomat ftohëse të marketit “Super Viva”. Kishte konfiskuar edhe nënprodukte të tjera të mishit, shkaku i afatave të skaduara.
Mishi që ishte bërë gati për t’iu shërbyer klientëve, nuk i kishte plotësuar kushtet për ngrënie. Sipas konstatimeve të inspektorëve, produktet e mishit ishin me afat të skaduar, të dëmtuar dhe të prishur, të cilat ruheshin në dhomat ftohëse së bashku me produktet tjera të cilat ishin me afat, raporton Insajderi.
“Gjatë inspektimit në dhomat ftohëse në temperaturë +&- gradë C, konstatuam një gjendje jo të mirë të mishit dhe nënprodukteve të tij. Produkte të prishura, skaduar dhe dëmtuara ruheshin në dhomat ftohëse me produktet të cilat ishin brenda afatit të rregullt të përdorimit”, thuhej në kërkesën e Inspektoratit Komunal drejtuar Gjykatës Themelore të Ferizajt, të cilën e ka siguruar Insajderi.
Ndërkaq “Super Viva” kishte qenë në dijeni për mishin e prishur mirëpo ishte arsyetuar se atë ishte duke e ruajtur në depo për tu kthyer tek furnizuesi. Mirëpo edhe me këtë veprim “Super Viva”, kishte vepruar kundër ligjshëm, pasi nuk kishte njoftuar se ishte duke mbajtur mish pa afat.
“Subjekti i lartcekur arsyetohet se produktet me origjinë shtazore janë ruajtur për tu kthyer te furnitori, mirëpo produktet e tilla duhet të ruhen në depo në një pjesë të veçantë dhe të shpenjezohen me (Vërejtje: produkte të skaduar dhe të dëmtuara), për mos me shkaktu huti tek personeli”, thuhet në kërkesën për fillim të kundërvajtjes ndaj pronarit të “Super Vivës”.