Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se njerëzit të cilët kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike, nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Kosovës.
Ai tha se pret të takohet me partitë politike në fillim të javës duke u bërë thirrje atyre që, siç tha, të gjejnë formulën që Kosovës i jep një qeveri të qëndrueshme, funksionale dhe efektive dhe që merr vendime që e çojnë vendin përpara dhe jo që e izolon vendin.
Sa i përket datës së konstituimit të Kuvendit, ai tha që ajo do të vendoset pas takimit me partitë politike që është caktuar për të hënën, kurse për mandatarin për Kryeministër të Kosovës, tha që ai duhet ta udhëheqë një qeveri që ka për obligim integrimin e Kosovës dhe kryerjen e detyrave që i kanë mbetur Kosovës.
“Unë nuk jam paragjykues ndaj askujt si individ apo si formacion politik, por përdorimi i dhunës për qëllime politike bie ndesh me frymën kushtetuese, me rendin kushtetues, me ligjin dhe me të kaluarën dhe të ardhmen tonë euro-atlantike por edhe si demokraci në Kosovë”, tha Thaçi.
Thaçi foli edhe për dialogun me Serbinë, ku ai ka shprehur gatishmërinë të marrë përgjegjësi. Presidenti tha që pjesa tjetër e dialogut do të vazhdojë në fund të stinës së verës apo në fillim të vjeshtës.
Thaçi dha përgjigje edhe për kritikat që mori sa i përket përfshirjes së tij në dialogun me Serbinë, duke thënë që kompetencat e Presidentit i japin atij të drejtë për të drejtuar dialogun. /gazetametro.net