Loading…
Thaçi kontakte direkte me Trump’in, alarmohen serbët
  • 12/01/2017 | 10:28

...

Gazeta beogradase “Danas”, shkruan se Hashim Thaçi është lideri i parë ballkanik që ka vendosur kontakte me administratën e presidentit të sapozgjedhur të SHBA Donald Trump.


Këto burime serbe pohojnë se është veçanërisht i rëndësishëm takimi me senatorin Bob Dole, njeri i afërt me presidentin e ri amerikan.

Këto ditë u konfirmua se ish kandidati presidencial amerikan Bob Dole është emëruar si zëvendës kryesues i ekipit tranzitor të Presidentit Trump. Gazeta serbe përkujton se Kosova, pas Izraelit, është vendi i dytë në botë për donacione amerikane për kokë banori.

Siç shpjegojnë burimet e gazetës në Uashington, Thaçi, i cili nga e hëna deri të enjten është në një vizitë zyrtare në SHBA, do të takohet me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë”, por gazeta potencon “se janë konfirmuar edhe takimet e tij me senatorë republikanë me ndikim, siç është Bob Corker, kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, senatoret nga Iova, Joni Ernst, të cilët konsiderohen shumë të afërt me administratën e Trumpit, si dhe diskutime me liderë republikanë dhe demokratë në Kongres”.

Burimet e Danas-it komentojnë se është “edhe më e rëndësishme” që presidenti kosovar është takuar me dy ish-senatorë me ndikim të madh, Bob Dole, “të vetmin ish-kandidat për president i cili e ka mbështetur Trumpin gjatë fushatë zgjedhore, i cili së fundi është emëruar zëvendëshef i ekipit transitor të Trumpit”, si dhe me James DeMintin, shefin e institutit amerikan me ndikim, Heritage Foundation, dhe për të cilin mediet amerikane spekulojnë se “vjen nga një krah tejet konservator i partisë Republikane dhe se është një nga personat më me ndikim në ekipin transitor të Trumpit”.

“Fondacioni Heritage ka përgjegjësinë për të hartuar politikën e administratës së re amerikane, kurse Bob Dole është i njohur si një nga lobuesit veteranë të kosovarëve në SHBA dhe njëra nga rrugët kryesore në Prishtinë mbanë emrin e tij” – pohojnë burimet e gazetës serbe në Amerikë.

Gazeta e Beogradit përkujton se mediet e huaja kanë raportuar se pikërisht Dole e ka bindur Trumpin që të bisedojë me presidentin e Tajvanit, gjë që i ka dhënë fund traditës katër-dekadëshe të presidentëve amerikanë të cilët i janë shmangur kontakteve me Tajvanin për të mos zemëruar Kinën.

Presidenti kosovar, shkruan “Danas”, është shprehur se qëllimi i vizitës së tij në SHBA është “konfirmimi i marrëdhënieve shumëvjeçare strategjike mes Kosovës dhe SHBA-së, diskutimet për integrimet euroatlantike, si dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës”.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë