Loading…
Tre Fidelë dhe kastrimi i të majtës botërore
  • Nga

  • FITIM SALIHU

  • 26/11/2016 | 19:04

...

Në mendjen time ishin tre Fidelë…

I

Fideli i parë, avokati i ri idealist që vetëm me 12 shokë ia mësyu luftës guerile bjeshkëve të Sierra Maestras për çlirimin e një populli të shtypur nga tirania e një diktature gjakatare. Djaloshi i ri që besonte në drejtësi sociale, liri politike dhe pavarësi ekonomike. Idealisti i ri që rrëzoi një nga diktaturat më të egra dhe më të fuqishme në botë. Djaloshi që vinte nga një prej familjeve më të pasura në Kubë, por që mbi pasurinë personale synonte begatinë e barazinë e gjithë shoqërisë. Fideli i ri përfaqësonte një brez të tërë kubanezësh që besuan një jetë më të dinjitetshme dhe jo jetën nën Kubën e diktatorit Batista: Kubën e 600.000 të papunëve, Kubën e 500.000 fermerëve pa shtëpi të veten, Kubën e 85% të fshatarëve pa tokë, Kubën që njihej “si bordelloja e milionervëve”, Kubën ku gjysma e popullsisë s’kishte parë kurrë energji elektrike, Kubën ku 90% e fëmijëve vuanin nga parazitët dhe Kubën ku analfabetizmi prekte gjer në 40% të popullsisë.

II

Fidel i dytë është Fidel Kastro, president i Kubës, nën pushtetin e të cilit nuk u përmbush idealizmi i rinisë kubaneze që e mbështeti atë në rrëzimin e diktatorit Batista më 1959. Përkundër që, sipas OKB-së, Kuba sot është ndër vendet më të përparuara në shtrirjen dhe cilësinë e shërbimeve arsimore dhe mjekësore, Kuba e Kastros poashtu është e zhytur në një oligarki të varfër e të izoluar (ndonëse kësaj i ndihmoi edhe bllokada ndërkombëtare mbi pesëdhjetëvjeçare), një vend pa liri politike ku edhe familjarët e udhëheqësve më të lartë detyrohen të ikin nga ishulli, një vend që ndaloi sindikatat e pavarura të punëtorëve dhe që për miq kishte diktatorët e vjetër dhe të rinj të botës.

III

Fideli i tretë është Fidel Kastroja që, kur unë si fëmijë dhe shumë fëmijë kosovarë rrezikoheshim të masakroheshim apo disa vetëm sa ishin masakruar nga hordhitë e Milosheviqit, ai lavdëronte “rezistencën e Milosheviqit ndaj imperializmit amerikan” dhe dëshirën e Kosovës për liri e quante “pjellë të imperializmit amerikan”.

Në fakt, ajo që bëri Fideli asokohe ishte trend tek e majta botërore. Jo vetëm tek liderët e vendeve dhe partive të majta, por edhe tek ideologët dhe teoricienët e majtë të kohës – mbase përjashto vetëm Sllavoj Zhizhekun. Lajthitja ku u zhyt e majta pas proceseve transformative të 1989-s dhe 1990-s u reflektua në mënyrë traumatike në të gjitha qëndrimet e saj të mëpastajme – përfshirë rastin e Kosovës.

Ndonëse të qenit teorikisht e politikisht marksist apo majtist nënkupton solidarizim me popujt e shtypur, shumë liderë socialist devizën e antiimperializmit – apo më mirë thënë antiamerikanizmit – e nxorrën në pah mbi maksimën e lirisë dhe barazisë. Sikurse më 1999, edhe sot, “kokat” e majta e vlerësojnë një aksh lider që i reziston ShBA-së, qoftë edhe me çmimin që ai lider të jetë autokratik e diktatorial. Kjo ndodhi jo vetëm me Milosheviqin më 1999, por edhe më pas me Sadam Huseinin, Muamer Gadafin, Ahmadinexhadin, Lukashenkon, Asadin apo Putinin. Pra, e majta sot është kastruar, ashtu siç Kastro kastroi idealizmin e tij më 1999.

IV

Sot e vajtoj Fidelin e parë dhe gëzohem për dy Fidelët tjerë. Por, ata janë të pandashëm. Fideli nuk është asnjëri nga të tre veç e veç dhe njëherit që të tre bashkë. Fideli është idealisti i ri, diktatori i pastajshëm dhe përkrahësi i Milosheviqit. Jeta e tij s’mund të lexohet bardhë e zi sepse Kastroja ishte komplementar në të tre Fidelët.

Andaj, sot, vajtoj personin-frymëzim se si duhet dashur atdheu dhe se si duhet luftuar për barazi dhe liri, sikurse festoj humbjen e një diktatori që varfëroi popullin e vet dhe mallkoi popullin tim të vogël vetëm pse e deshi lirinë.

Fidel, atë që kërkoje vetë kur ishe i ri idealist – lirinë – na e mohove ne të tjerëve. Ra ai mort dhe u pamë. Ne po masakroheshim, ti u bëre me kasapin tonë. Dikush mund të thotë se e bëre për arsye gjeostrategjike sepse ne ishim miqtë e armiqve të tu. Mirë, pra. Atëherë edhe ti ishe miku i armiqve tonë… Adios, Fidel!

Autori është studiues i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ky opinion është shkruar enkas për Gazeta Metro.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë