Liderët e Ballkanit Perëndimor sot po takohen në Trieste, në kuadër të Nismës së Berlinit, ku edhe thuhet se janë pajtuar për një treg të përbashkët rajonal.
Lajmin se i tërë rajoni është dakordu për themelimin e ‘Zonës Rajonale Ekonomike’ e ka bërë të ditur pjesëtarja e Shoqërisë Civile, Besa Shahini, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se kjo u është bërë e ditur në Trieste, në panelin me kryeministrat e rajonit, shkruan Gazeta Metro.
Për dallim nga Shqipëria që është pro këtij projekti rajonal, Kosova ishte shprehur kundër që në fillim.
Kryeministri në shkuarje i Kosovës, Isa Mustafa, që në fillim të iniciimit të kësaj ideje, në mars të këtij viti, ishte shprehur kategorisht kundër, ndërsa ende nuk dihet se çfarë qëndrimi ka mbajtur Kosova në takimin e sotëm në Trieste.
Mustafa më 17 mars të këtij viti, duke reaguar për këtë projekt rajonal, kishte thënë se “tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve”.
Ai ishte shprehur se “Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është. Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri”.
Mustafa këtë treg të përbashkët e kishte parë si rikthim të Jugosllavisë, dhe ishte deklaruar kategorikisht kundër kësaj ideje.
“Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!”
“Kosova thellësisht mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, heqjen e të gjitha barrierave të të bërit biznes dhe tregti me vendet e Ballkanit Perëndimor; punën e përbashkët në tërheqjen e investimeve të huaja, bashkëpunimin ndërmjet NVM-ve, njohjen dhe respektimin e diplomave, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.
Kosova vendin e vet e sheh në tregun unik Evropian, mbi bazën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.
Në anën tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama është treguar entuziast pro kësaj ideje, dhe së fundi këtë e ka përkrahur edhe me një opinion autorial të botuar në prestigjiozen “The Wall Street Journal”.
Rama në këtë opinion të tij, ka thënë se në Trieste të Italisë, ku janë mbledhur liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me rastin e konferencës së përvitshme të Procesit të Berlinit midis të tjerave, do të u kërkohet që të mbështesin, krijimin e një zone ekonomike rajonale, dhe ai si kryeministër i Shqipërisë, do të argumentoj pro saj.
Rama ndër të tjera, krijimin e kësaj zone rajonale ekonomike e ka cilësuar si, një gur themeli që do të lehtësojë procesin e anëtarësimit të shqiptarëve në Bashkimin Europian.
“Ekzistojnë disa dyshime mbi këtë plan. Disa prej kolegëve të mi të Ballkanit Perëndimor i frikësohen idesë se kjo zonë ekonomike rajonale mund të jetë një rrugë pa krye, një stacion në të cilin Brukseli do të na braktisë. Disa vende anëtare dhe disa liderë europianë, në fakt, kanë shprehur hezitim për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së”.
“Megjithatë, mjafton të shohim Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Europës Qëndrore, marrëveshje në të cilat të gjashtë vendet tona janë firmëtare, për të kuptuar se zona ekonomike mund të ndihmojë, e jo të pengojë progresin tonë. CEFTA u krijua fillimisht nga Republika Çeke, Polonia dhe Sllovakia. Ata e përdorën këtë marrëveshje për të dëshmuar aftësinë e tyre për të punuar bashkë, pavarësisht diferencave politike apo kulturore, e për të treguar se ishin plotësisht të kualifikuar për të qenë anëtarë me të drejta të plota të BE-së”.
Tutje, Rama ka thënë se përfitimet e një zone ekonomike rajonale janë të menjëhershme. Sipas tij, tregu i Ballkanit Perëndimor prej 20 milionë banorësh është më tërheqës për tregtinë dhe për investitorët, se sa tregu shqiptar me më pak se katër milionë banorë. /gazetametro.net