Loading…
‘Trepça’ peng i Listës Serbe
  • 18/03/2018 | 18:04

...

Rreth 120 kandidatë kanë aplikuar për pozitën e anëtarëve të Bordit të kompleksit metalurgjik “Trepça”, që sipas zyrtarëve të Qeverisë, pritet të jetë funksional muajin e ardhshëm.


Sipas Ligjit, qeverisja për “Trepçën” bëhet nga Bordi mbikëqyrës dhe Bordi menaxhues. Bordi mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, të cilët nuk mund të jenë anëtarë të forumeve politike, mirëpo duhet të jenë ekspertë në fusha të caktuara, që nevojiten për mbikëqyrjen e kombinatit. Ky bord, më pas, zgjedh edhe anëtarët e Bordit menaxhues të gjigantit metalurgjik “Trepça”.

Bordi mbikëqyrës i “Trepçës”, sipas Ligjit, i cili është miratuar në vitin 2016, ishte dashur të themelohej brenda gjashtë muajve nga miratimi tij në Kuvendin e Kosovës.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së “Trepçës”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shpreson që në muajin prill do të zgjidhet ky bord, por thekson se kjo çështje është neglizhuar nga përfaqësues të komunitetit serb.

“Pengesë në këtë proces po paraqesin përfaqësues të komunitetit serb, pasi, sipas Ligjit, parashihet që në Bord të ‘Trepçës’ duhet të jenë nëntë anëtarë, prej tyre tre nga komuniteti serb (dy përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe një përfaqësues i punëtorëve). Ndërsa, nga shqiptarët, pesë duhet të jenë përfaqësues të Qeverisë dhe një përfaqësues i Sindikatës”, thotë Sadiku.

Bota e rrezikshme e minatorëve

Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një konferencë për media të mbajtur gjatë kësaj jave, ka thënë se për këtë çështje është duke biseduar me partnerin e koalicionit qeverisës, Lista Serbe.

“Kemi pasur bisedime në mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerët e koalicionit qeverisës, Lista Serbe, nga të cilët normalisht se duhet të kemi një aprovim, për arsye se shumë projekte duhet të kalojnë në Kuvendin e Kosovës për zhvillimin e ‘Trepçës’”.

“Negociatat kanë qenë duke u zhvilluar në vazhdimësi, për shkak se ka pasur mospajtime në kohë të caktuara. Por, besoj se këto ditë jemi përafruar mjaft shumë, që japin edhe dritën e gjelbër për rekrutimin e Bordit”, ka deklaruar ministri Lluka.

Edhe zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, thonë se procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit është në vijim e sipër dhe shpresohet se do të përfundojë në fillim të muajit prill.

Gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, do të respektohen të gjitha procedurat ligjore, si edhe kriteret e kërkuara përmes konkursit, të cilat vlejnë për secilin kandidat, pa marrë parasysh se cilit komunitet i përket.

Kombinati “Trepça”, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga më shumë se 20 mijë punëtorë sa kishte në të kaluarën, “Trepça”, aktualisht, numëron rreth 1,400 punëtorë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë