Loading…
Trump, Brexit… Po shqiptarët?!
  • Nga

  • ZGJIM HYSENI

  • 02/12/2016 | 18:48

...

Erë e rrezikshme po fryen gjithandej botës. Të gjithë e dinë, askush nuk është gati ta pranojë.   

Mbaj mend shumë nga diskutimet me miq për referendumin në Britani, por edhe zgjedhjet në ShBA. Askush nuk besonte se britanikët do të votonin për ta braktisur Bashkimin Evropian (BE). Kur kjo ndodhi filluan rrëfimet komplotiste për elitat e padukshme që këtë gjë e kishin bërë bash për ta ruajtur ‘status-quon’. Askush nuk besonte se Trumpi do të triumfonte midis republikanëve; pas fitores brenda kampit thanë se president nuk bëhet dot. Tash që u bë president flasim nëse do t’u qëndrojë premtimeve të fushatës. A nuk shpjegojnë reagimet e tilla nevojën për t’u kapur pas një fetishi, atëherë kur e kuptojmë se greminën e kemi përpara; kur spiralja e fundosjes ka marrë krye e përlan gjithçka. Asgjë që të detyron për të vënë në punë instrumentet a analizës kritike për demaskim nuk na duhen për fenomet Trump e Brexit. Eshtë gjithçka transparente. Të gjithë e kuptojmë, s’ka asgjë për të kuptuar madje. Por nuk jemi në gjendje ta besojmë. Neve nuk na mungon informacioni, bile vetë fakti që e dimë mirë çfarë po ndodh spërdredh qëndrimin tonë karshi ngjarjes. Këtu edhe qëndron specifika e një forme tjetër që ka marrë ideologjia sot. Nëse dikur analiza simptomatike kërkonte të vërtetën e ndrydhur e të mbuluar, sot vetë ne duhet të shpikim gënjeshtrën që të mbahemi pas saj.

Një mënyrë për të qëndruar është shikimi dhe qëndrimi brenda kushteve të pamundësisë. Vetëm përqafimi i tyre mund të na tregojë se ajo çfarë sot duket pamundësi ontologjike e natyrore është thjesht verbimi ideologjik në kushtet e një kontekst të caktuar historik dominues. Le t’i shohim pra në mënyrë të angazhuar pamundësitë.

Njëri nga miqtë më tha se veç 20 përqind të gjërave që ka premtuar Trump mjaftojnë të realizohen që gjërat në botë të bëhen më të vështira dhe më të pasigurta. Unë do të shkoj edhe më tej: Trump mund të mos bëjë asgjë nga çfarë ka premtuar, por vetë fakti që dikush mund të bëhet president përmes një diskursi ksenofob e racist përbën problem që duhet ta shqetësojw secilin.  Fitorja e Trump nuk mund të shpjegohet thjesht si fitorja e tij. Çfarë ne kemi para syve si ekzistencë aktuale nuk është thjesht përmbajtja e asaj që shohim. Ekzistenca aktuale është edhe mohim i një potencialiteti: quhet Bernie Sanders. Punëtorëve të bardhë amerikanë nuk u apeloi dot Hilary Clinton. Ajo shihej si përfaqësuese e oligarkisë financiare dhe funksionarëve burokratikë. Andaj, lidhjet e shkurtëra e populizmi mbizotëruan prapë karshi të majtës së kastruar në politika identitare.

Referendumi i mbajtur më 23 korrik në Britaninë e Madhe ka nxitur dilema të mëdha mbi perspektivën e Unionit. Qytetarët britanikë në një rezultat të ngushtë i thanë jo Bashkimit Evropian. Aq sa rezultati përfundimtar, i rëndësishëm është debati dhe temat që mbizotëruan në diskutimet për referendumin. Nga këto i kuptojmë nxitjet e shtysat që ndikuan procesin.

Eksponentët kryesorë (me ndonjë përjashtim majtas) të Brexit janë krahu i djathtë brenda Partisë Konservatore dhe Partia për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP). Në anën tjetër, për të mbetur brenda ka bërë thirrja mbarë spektri i qendrës, me gjithë qëndrimin kritik për politikat neoliberale të BE-së, të artikuluara nga lideri i ri laburist. Megjithëse në referendum vendosej për të ardhmen e Britanisë në BE, të gjitha indikacionet tregojnë se polarizimi popullor vërtitej rreth atyre që avokonin për ta ruajtur status-quon, dhe krahut tjetër që kërkonte ndarje hesapesh midis Britanisë e BE-së. Fushata Brexit arriti të triumfojë përballë letargjisë që sugjeronte konzervimin e situatës. E djathta konservatore ka shfrytëzuar më së miri situatën e rënduar ekonomike dhe desubjektivimin e popullit që ishte privuar për një kohë të gjatë nga vendimmarrja. Përmes lidhjeve të shkurtëra e drejtimin e gishtit tek tjetri i ardhur nga jashtë, ata “konkretizuan” problemin ku duhet derdhur vreri: janë emigrantët që na i rrëmbejnë vendet e punës (njejtë siç bëri Trump në ShBA), por edhe bëhen hisedarë të shërbimeve tona publike e sistemit social. Zgjidhja, thonë ata qëndron tek ndalimi i lëvizjes së lirë dhe mbyllja në kufijtë shtetëror. Mungesa e një diskursi që varfërinë e papunësinë i shpjegon si pasoja të politikave strukturore neoliberale (në Britani dhe BE), ishte ndër faktorët kryesorë që siguruan terrenin pjellor për diskursin ksenofob e racist të forcave të djathta.

Nëse njëra palë kanalizonte pakënaqësinë drejt emigrantëve dhe lëvizjes së lirë, pala tjetër nuk ndalej së përsërituri argumentet e frikës mbi rreziqet e mëdha të shpërbërjes së unionit. Fitorja e opcionit që largon Britaninë nga BE nuk është fitore  popullit, por fitore e popullizmit. Më parë sesa të kërkojmë vërtetësinë në opcionet aktuale, referendumi në Britani është këmbanë që na tregon se themelet e ngrehinës dikur të palëkundur po tronditen, dhe projekti dikur i padiskutueshëm po sfidohet seriozisht.

Kriza financiare e vitit 2008 ka nxjerrë në pah probleme që vënë në pikëpyetje mënyrën si është konceptuar Bashkimi. Problemi fillon me mospërputhjen midis zones së përbashkët monetare dhe nivelit të integrimit politik, sistemeve të ndryshme fiskale, por sidomos mungesën e kontrollit kolektiv të monedhës. Në kushtet e zonës së lirë tregtare, kjo ka prodhuar shtete me fuqi të madhe prodhuese të cilave BE u shërben si treg, përballë shteteve që të vendosur në këto kushte performojnë dobët ekonomikisht dhe kompensojnë deficitin përmes kredive pastaj. Përballë këtyre problemeve, qeveritë e shteteve përkatëse, megjithëse të ndryshuara disa herë nga zgjedhësit, nuk kanë arritur t’i adresojnë shqetësimet e qytetarëve mbi rëndimin e gjendjes ekonomike e sociale. Ky është momenti kur kriza ekonomike e Bashkimit Evropian bëhet krizë e demokracisë. Qytetarët votojnë për qeveritë e tyre, por ata nuk e kanë në dorë fatin e zhvillimit të vendit të tyre (rasti i Greqisë). Këto probleme, nëse vazhdojnë të injorohen, siç po i rezistohet çdo nisme reformuese, mund të jenë të patejkalueshme për të ardhmen e BE-së.

Shqiptarët dhe Projekti Evropian

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për mundësitë e kufizuara të shtetit-komb për të trajtuar problemet e mëdha me të cilat përballet bota dhe njerëzimi, siç e dimë që çështjet e pazgjidhura kombëtare janë të ndikuara nga zhvillimet gjeopolitike.

Bashkimi Evropian duhet të pushojë se shikuari Kosovën përmes konceptit të menaxhimit të krizave. Kosova nuk duhet të mbyllet në qasjen konservatore që sugjeron se çdo ndryshim do ta keqësonte situatën. Kosova nuk duhet të jetë çështje e sigurisë, por e zhvilimit dhe drejtësisë. Kurse mungesa e këtyre është rreziku kryesor për vetë destabilizimin e situates të cilit i druhet aq shumë BE-ja, ndërkohë që përmes prezervimit të gjendjes i kontribuon vazhdimisht.

Evropa e bashkuar do të ketë perspektivë nëse ajo do të jetë Evropë e popujve, dhe jo e oligarkisë financiare, apo e burokracisë teknike. Një Evropë e popujve kërkon barazi e trajtim të njejtë midis vendeve të asociuara. Vetëm nga kjo pikënisje e kemi të sigurtë hapjen për një projekt universal. Në të kundërten, BE do të shihet me syrin pragmatist të interesave partikulare, por nuk do të jetë më projekti i përbashkët i vlerave që ndajmë. Një Evropë e popujve fillon me njohjen dhe realizimin e të drejtës për vetëvendosje, edhe për shqiptarët si për gjithë popujt e tjerë. Realizimi i të drejtës për vetëvendosje nuk është në kundërshtim me një projekt të tillë, përkundrazi, ky parim është gur prove për vertetësinë e vet projektit.

Thyerjet  e fundit në Bashkimin Evropian duhet ta bëjnë secilin t’i thërrase mendjes mbi të ardhmen tonë. Elitat politike gjithandej ku jetojnë shqiptarët moti ia kanë dorëzuar të ardhmen e zhvillimit të shqiptarëve këtij projekti. Ky konsensus nuk ka qenë asnjëherë shprehje e ndonjë vizioni apo strategjie që mund të adaptohej, por justifikim për mungesë vullneti e dembeli e mendjes. Ne nuk kemi pse ia këndojmë dështimin BE’së, por duhet këmbëngulur fort që aty të trajtohemi si popull i barabartë. Njejtë siç nuk kemi pse i mbyllim sytë nga kontradiktat e brendshme. Tash që Britania iku, e në Francë ka rrezik të fitojë kandidatja e ekstremit të djathtë pikërisht me flamurin e daljes nga Unioni, nuk mund të mos e denoncoj lehtësinë mbytëse kur shqiptojmë frazën “bashkohemi në BE”.

Zhvillimet e fundit gjeopolitike e tregojnë edhe një herë se projekti kombëtar është i domosdoshëm. Për më tepër, dinamika e zhvillimit të ngjarjeve na obligon të gjithëve për veprime urgjente drejt një strategjie për unifikim veprimesh të faktorit shqiptar në Ballkan. Sa më të ndarë që mbeten shqiptarët, më pak fuqi do të kenë, prandaj edhe kusur më i vogël do të mbeten.

(Autori është Anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Ky shkrim është shkruar enkas për Gazetën Metro)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë