Me ftesë të opozitës, Kuvendi Komunal i Drenasit ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës atë për shfuqizimin e vendimit të komunës për mbylljen e shkollave në Abri, Godancë dhe Gjergjicë.
Por, Ky vendim i opozitës nuk kaloi, pasi nuk u mbështete nga shumica e asamblistëve. Fëmijet e këtyre shkollave, pas dy muajve kanë nisur mësimin në shkolla tjera.
Ky autobus çdo ditë përshkon 12 kilometra rrugë, vajtje-ardhje, për t`i dërguar fëmijët e fshatit Abri në shkollën “Shotë Galica”. E rruga që e bën ky autobus kalon pranë nëndegës së kësaj shkolle që këtë vit është mbyllur me vendimin e Komunës së Drenasit, duke lënë këta fëmijë gati 2 muaj pa mësim.
Kjo është dita e 3 që këta nxënës kanë filluar mësimin, ndërsa prindërit thonë se mbyllja e kësaj shkolle është e jashtëligjshme.
116 nxënës sa vijonin mësimin në nëndegën e shkollës Shote Galica, janë shpërndarë në shkolla të tjera, ndërkohë që prindërit thonë se një pjesë e fëmijëve nuk kanë filluar ende mësimin këtë vit për shkak të pamundësisë për t`i dërguar fëmijët në shkollat përkatëse.
Disa prej tyre kanë dyshimet edhe për transportin që u është siguruar tash vonë nga komuna.
E për mbylljen e këtyre shkollave, sot në Kuvendin e Drenasit është mbajtur një mbledhje jashtëzakonshme. Seanca ishte thirrur nga partitë opozitare, me qëllim që të shfuqizohet vendimi i DKA-së.
Por, ishin 16 këshilltarë nga 31 sa ka Kuvendi i Drenasit, që nuk e mbështeten kërkesën e opozitës, dhe vendimi për mbylljen e shkollave Abri, Godanc dhe Gjurgjicë, mbeti në fuqi.
Thirrje për mosvotimin e këtij ligji kanë bërë grupi nga radhët e PDK-së.
DKA e Drenasit ka mbyllur shkollat për mungesë buxheti, ndërkohë kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit buxhet prej 146 mijë euro në vit për rifillimin e mësimit në këto shkolla.