Loading…
Vdekja e Mehmet Shehut: Vëllau i tij ende dyshon që e vrau Enver Hoxha
  • 28/12/2017 | 08:32

...

Duro Shehu, vëllai i ish-Kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, jeton prej vitesh në Kanada.

Qysh nga koha kur është sistemuar aty, çdo 18 dhjetor pret vizita në nderim të vëllait, që ndërroi jetë në dhjetorin e vitit 1981. Pavarësisht se atje larg janë të paktë në numër miqtë dhe shokët e tij, ai ndihet mirë që bashkë me ta risjellin detaje të ndryshme nga historia e Mehmetit dhe tragjedisë së tij.

Në një intervistë për gazetën Panorama ai tregon rrethanat kur e mësoi për vdekjen e Mehmet Shehut.

“Ajo ishte një gjëmë e paralajmëruar dhe si e tillë pritej, pavarësisht se në çfarë forme do të ndodhte. Mehmet Shehu ishte kryqëzuar qysh më herët. Së paku ne, familjarët e tij, kishim kohë që e dinim. E dinim që midis tij dhe Enver Hoxhës kishte ndodhur një plasaritje e pariparueshme. Shumëkush nga ish-bashkëpunëtorët e Mehmetit thoshte që kjo vinte nga fejesa e Skënderit, djalit të tij, me një vajzë me biografi të keqe. Po kjo ishte thjesht një gjetje për të justifikuar thelbin e konfliktit. Mehmet Shehu ishte shënjuar direkt nga Enveri për t’u sakrifikuar. Dhe kjo që pritej ndodhi…”, shprehet Duro Shehu.

Ai shton me tej se e priste ngjarjen e rëndë të veëlait te tij. “Unë në atë kohë isha në krye të Komandës së Aviacionit. Diçka ndieja nga ftohtësia e eprorëve dhe kolegëve. Kjo, sidomos pas Kongresit të Partisë në nëntorin e atij viti, ku Mehmeti kishte rënë në sy për vrazhdësinë me të cilën ishte shfaqur në krah të Enverit në tribunë

Pastaj, në rrethin e ngushtë të familjarëve dhe miqve flisnim më shkoqur për shkaqet e vërteta të tragjedisë që pritej. E dinim që po të të vinte në rreth Enver Hoxha, nuk shpëtoje gjallë. E kam përjetuar shumë keq këtë histori. Ca më tepër që në atë periudhë nuk ndodhesha në Shqipëri, se kurohesha jashtë shtetit”.

Vdekja e Shehut ende mbetet mister, pasi ai ishte gjetur i vdekur në banesën e tij, por pavarësisht versionit zyrtar që thotë se ai u vetëvra, familja e tij dhe shumë të tjerë thonë që ai ishte ekzekutuar nga regjimi i Enver Hoxhës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë