Loading…
Vizita e Vucicit dhe impotentca e Thaçit dhe Jasharëve
  • Nga

  • VALON A. SYLA

  • 09/09/2018 | 21:28

...

Nuk mundesh të jesh briliant në diplomaci me Serbinë, nëse udhëheqë si Pashë impotent, ashtu siç sillet Presidenti Thaçi, që i mungojnë numrat në parlament, impotencë në qeverisje, siguri, e sidomos mos kooordinim dhe dëgjim i komandantave të zonave. Sidomos atyre të Jasharëve.


Mjaftoi një vizitë e Presidentit dhe Kryenegociatorit serb Aleksandar Vucic, që ne skenën politike të vendit të shfaqen 4 palë variante simultante kundërthënëse të qëndrimit kosovarë, para një Serbie që duket më unike.

Çfarë loje briliante e nisur nga Presidenti Hashim Thaçi, përfundoi me një humbje vendimtare diplomatike. Duke nxitur përsëri vëmendje të hatashme vendore e ndërkombëtare kah vetja, përfundoi në një debakël diplomatik, i shkaktuar lehtësisht nga një plan i thjeshtë taktik i Aleksandër Vucicit.

Serbit të dalë mode që ende nuk di t’i zhveshë teshat e Yumco’s së Vrajës, i mjaftoi vetëm një kërkesë provokuese për vizitë në Drenicë, për të shfaqur impotencën e ‘Pashallëkut Thaçit’, servilitetit të pakoordinuar të Qeverisë, injorancën ambicioze të Jasharëve, dhe opozitën e kastruar e demobilizuar, pjesërisht nga sëmundja e liderit të saj Isa Mustafa e po aq nga dogmatizmi ideologjik komunist i social-media-kracisë demokratike të Shpend Ahmetit dhe Albin Kurtit.

1. Pashallëku i Hashim Thaçit

Loja dhe tendenca diplomatike e Hashim Thaçit që e nisi nga fillimi i gushtit, për oferta jashtë formatit të deritashëm të zakonshëm me Serbinë, pra ku flitet edhe për territore dhe përmirësime kufijsh, do të konsiderohej briliante nëse do të përfundonte me sukses, me diplomaci unifikuese dhe unikonceptuale, sot para vizitës së Presidentit Vucic.

Por, kjo dështoi pikërisht përshkak të sjelljes prej autokrati dhe vetjaku, që të çon mallin e një Pashe nga Hashim Thaçi, i cili tash e disa herë, komplet skenën politike e lë në terr informativ, të pa kordinuar, dhe me arrogancë… pastaj, kërkon mbështetjen e saj, e cila po shihet se më nuk po e përcjellë ashtu si dikur.

Këtë e tregojnë edhe numrat e koalicionit që rrjedh nga ai në parlament, që si afrohen më as shumicës së thjeshtë prej 61 deputetësh. Mos të flasim që oferta e tij diplomatike dhe diskursi i tij i fundit, për territore dhe zgjidhje perfundimtare me Serbinë, gjithsesi i nevojitet një mbështetje parlamentare prej 80 votave, e po ashtu çfardo marrëveshje tjetër që do ta sjellte kryenegociatori kosovar nga bisedimet në Bruksel.

Por jo, u tregua impotencë para Brukselit dhe diplomacive kompetente, që kosovarët asnjë agjendë për vizitë zyrtare nuk mund ta sigurojnë në Jug të Ibrit, e sidomos në Drenicë prej nga vjen Kryenegociatori se lere më në Veri te Ujmani/Gazivoda. Sot Presidenti Thaçi, mas gjithë e kësaj zavërrzllame, shkruan statusa nga bregdeti shqiptar, i shoqëruar nga një President tjetër me tipare Pashe si Ilir Meta… duke ndejtur pikë në gadishmëri për ta emëruar fajtorin e radhës, që natyrsiht se kurrë nuk është ai. Kjo për Presidentin tonë të pagabuar duket se është gjithmonë e pamundur, edhe pse prej kërshëndellave të kaluara dhe filmat kundër tribunalit e deri te kjo e fundit me Vucicin, s’po i dhezin në fund.

2. Qeveria Servile e Pashallëkut

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vendosur të mos përzihet në punët e politikës së jashtme, përveç kur i vjen radha të emëroj ndonjë Ambasador, ashtu siç vjen edhe radha sipas ndarjes së pushtetit me shokët e luftës me shumë zëvendëministra, dhe numra të trefishtë të veteranëve. Ka qasje servile se për këtë kujdeset tash Ministri i Thaçit në Qeverinë e Kosovës, Z. Behgjet Pacolli. Ai kujdeset që agjenda fillimisht për punët e Brukselit të kryhet vetëm nëpërmes Thaçit dhe të Implementohet nga Ministrat e AKR’së në Ministrinë e Jashtme dhe të Brendshme të cilat dihet se dirigjohen nga Thaçi, e që mandati i kësaj qeverie shkoi duke u arsyetuar kishe edhe Haradinaj, Limaj e Pacolli, kanë kompetenca e hise aty.

Për ambasadat e huaja dihet për ndikimin e fortë kur thirrin me telefon, e disa edhe bërtasin, kur atyre duhet pranuar herë kërkesat Vucicit e herë të Thaçit, lidhur me agjendat e Brukselit, që kjo Qeveri shihet se ende nuk i di, sepse janë tepër sekrete, dhe duket se për ta mjafton t’i dijë Thaçi, bashkë me Mogherinin e Vucicin për të cilët në byfetë dhe korridoret e kësaj qeverie servile, flitet se do të bëhen njerëz të paqes së ardhshme historike.

Fundja për këtë Qeveri Servile edhe nëse dështon dikush si sot në diplomaci, i bjen se ka deshtuar Thaçi. Sepse ata janë aty vetëm për punë nga orët e hershme të mëngjezit, rroga dhe asfalltë.

3. Komandantat e Zonave dhe Jasharajt

Përveç serbëve të Kosovës, që qesin barikada në asfalt në shekullin 21, është edhe një klasë politike që e bënë të njejtën. Këta janë “Komandantat e Pavarur të Kosovës”, nga Komuna e Skenderajt dhe gjetiu, ose pasardhësit e tyre, të cilët as nuk janë me Thaçin, as me Veselin. As nuk janë me Qeveri e as me opozitë. Bile as me Albin Kurtin. Ata thonë se janë me popullin.

Kjo klasë politike është e veçantë dhe me traditë që shfaqet duke mos i zbritur Xhipit Range Rover dhe shilteve kur ulen këmbëkryq nëpër oda tradicionale, por që kanë edhe me mikrofna e zërim elektrik. Herë i sheh duke kcyer qyqek nëpër salla dasmash, të stërmbushur me meshkuj e aty këtu me ndonjë hoxhë… e herë duke pozuar me musteqe kreshniku, çaj rusi e çiftelia, diku në oda, duke imituar fotografitë e Marubit, me malësorë të fundshekullit XIX.

Por, kjo bëhet vetëm për foto dhe propagandë elektorale dhe për Facebook, sepse shumica prej kësaj klase, ka një jetë paralele në banesa luksoze e moderne në lagje të Prishtinës, ku jetojnë jetë të dyfishtë, në raste speciale edhe me dashnore, që kanë qef t’i quajnë ‘shvalerka’ si komunistat jugosllavë.

Kur vjen rasti patriotik, ata kthehen në vendlindje, në kullat e ndërtuara rishtaz. Nëse gjuajnë me allti, për dritare me xhama të kaltëruar, edhe mund të bëhesh Zv. Ministër, e ndoshta edhe Zv. Kryeministër, që ki lidhje edhe me anën tjetër të familjes Rugova.

Por këtë të diele, komandantat paskan dalë, për ta ndalur Vucicin në Drenicë. Në krye me ambiciozin e ri, Bekim Jashari, Kryetar i Skenderajt, për t’i treguar Thaçit se nuk janë me ta, dhe as me Qeverinë Haradinaj, por as me opozitë. Bile as me Kadri Veselin.  Por vetëm me kryeneqsinë e tyre të pavarur dhe të painformuar… dhe kjo në fakt s’ka lidhje me Vucicin dhe vizitën e tij. Këto raste më shumë kanë lidhje që Qeveria s’ju ka jep ndonjë favor, apo Ministri në rindarjen e fundit të pushtetit… dhe pa e ditur skenarin, e marrin rolin kryesor dhe sabotojnë skema të mëdha diplomatike, që ambasadorët ameikanë, u deshtë t’i dënojnë nga zyrja e Beogradit, e Prishtinës dhe e tërë Ballkanit.

Natyrisht, sepse një marrëveshje e sukseshme diplomatike, për komandantat ambicioz me armata të veteranëve fallcë, do t’i linte pa karrierë politike dhe pa profesion. Sepse, nderin e dinë se e kanë humbur moti, e disa se kanë pasur as atëherë. Drenica ka hjekë dhe sakrifikuar shumë, kjo që e kam shkruar nuk ka lidhje me mos njohjen e meritave, përkundrazi.

4. Opozita e kastruar

Në krejtë këtë lojë, opozita e kastruar nga Thaçi dhe nga vetëvetja e tyre, nuk ka as rrol, as mision. Si bizantinët e vjetër luten të ndodhë dështimi, që të mund të thirrin edhe një konferencë për media më shumë, sepse, s’janë të aftë as ta rrëzojnë qeverinë e as ta marrin situatën në dorë. Tash e sa kohë presin që Hashim Thaçi të jep dorëheqje ose të shkel kushtetutën, që pahiri e rrëzojnë me ndonjë pyetje në Gjykatë Kushtetuse. Në LDK presin se mos Thaçi është hidhëruar mjaftë me Veselin dhe rrëzohen vetë e ja lëshojnë rrugën ambiciozit nga Rahoveci Abdullah Hoti, i cili edhe në Komunë të vetën doli i treti.

Por as nuk janë që i bashkohen, dhe e kapërcejnë këtë agoni së bashku, duke dhënë afate apo ultimatume të caktuara për Qeverinë. Për opcion publik dihet se nuk dalin, sidomos ata të Vetëvendosjes, të cilët ende janë në fazë të leximit të librave, për çka mbajnë edhe lista me shënime speciale se kush ka lexuar mas shumti. Natyrisht, prijnë ata që kanë hangër burg mas shumti, se kanë pasur kohë, pas hedhjes së një molotovi apo rrotullimit të xhipave, si gjuhë kryesore diplomatike e kësaj lëvizje të dhunshme liridashëse.

5. Për fund

Presidenti Thaçi, nesër zgjohet dhe kthehet në Prishtinë nga bregdeti. Edhe Niset për Preshevë ndoshta duke menduar se kishte pasur sukses kur e kishte bërë koalicionin me Haradinajn për t’i siguruar votat për demarkacion me Malin e Zi. Por që ka dështuar për t’i siguruar votat për demarkacion e ardhshëm me Serbinë?

Një gjë është e qartë, ai nuk tërhiqet me dorëheqje. E as nuk mund ta shkarkojnë, se krejt ata që munden rrëzohen me të.

Brilianca e Thaçit, e ka një pikë të dobët. Vetën e vet vetiake, që nuk e ndanë as me miqtë e vjetër, as me të ri të politikës. Kohën e fundit nuk po i dhezë as ajo me Tribunalin e Hagës, e as afatet e shpejta për marrëveshje me Serbi në Bruksel. Këtë Vucici shihet se e ka kuptuar. Ai po insiston se kërkesa për bisedime Beogradi duhet ta bëjë vetëm me Thaçin, se kinse vetëm ai ka kompetencë ta garantojë një marrëveshje për Kosovën, e që në fakt tregon impotencë politike. Kjo u pa edhe me vizitën e sotshme të Vucicit që u shënua edhe një debakël diplomatik.

Serbia e ka kuptuar se kush është i konzumuar, kush është impotentë, kush ambiciozë e kush i tredhur në Kosovë. Një demarkacion me Malin e Zi u nevojitë 3 vite për tu zgjidhur. Edhe sa vite i vynë Pashallëkut të Thaçit për ta arritur marrëveshjen historike me Serbi. Edhe 4 vjetë tjera? Apo më shumë sepse dialogu do të jetë “tepër, tepër i vështirë” siç po deklaron Thaçi, që duket se e ka për të siguruar edhe një mandat më shumë, bashkë me Vucicin në Serbi.

Mos harroni se Presidenti Thaçi është i vetmi i informuar në këtë rreth, dhe i vetmi që po i dinë marrëveshjet e fshehta që do të kryhen në Bruksel. Besoj se është edhe i vetmi që i di të vërtetat për vetëvetën, e që është si zakonisht i pagabueshëm. Natyrisht se askush nuk flet për impotencën e tij dhe mungesëne fuqisë reale në parlament. A s’kanë folur kështu për secilin lider të mitizuar?

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë