Loading…
Zbulimet e Nexhit dhe datëlindja e Adem Jasharit
  • Nga

  • BLERIM LATIFI

  • 19/08/2018 | 16:50

...

Nexhi, si duket nga ngutia për ta publikuar “zbulimin e tij”, ka bërë gabimin fatal, gabim i cili ia diskrediton “zbulimin”. Dhe, cili është ky gabim? Është përdorimi i pakujdesshëm, jokritik, i të dhënës që ka në dorë zbuluesi. Atë që shkruhet në librin amzë, Nexhi e merr si të vërtetë përfundimtare, të pakontestueshme, pasi më parë ka harruar faktin se librat tanë të amzës a të gjendjes civile, janë libra në të cilët, vazhdimisht, janë bërë gabime të pafundme me datat e të lindurve. Në Kosovë mund të gjesh, jo me qindra, por me mijëra raste të këtyre gabimeve. Edhe sot ofiçarët tanë të gjendjes civile lënë shumë për të dëshiruar, e lëre më ata të viteve 60 të shekullit të kaluar. Punësimin me të njofshëm të analfabetëve në administratë nuk e kanë shpikur partitë e pasluftës . E kemi dhuratë nga komunistët e pas vitit 1945.

Mbrëmë vonë, një shok po më shkruante në telefon: e pe Nexhmedin Spahiun çfarë ka shkruar në llogarinë e tij në facebook? Ditëlindja e Adem Jasharit është e falsifikuar. Ai nuk është lindur me 28 nëntor, por me 10 tetor të vitit 1955. Brenda pak minutash, në rrethin tim të miqëve, me të cilët përditë këmbej mendime e pikëpamje të ndryshme, u ndez debati. Ky tekst është përmbledhje e shkurtër e mendimeve të mia, dhënë në atë debat.

E vërteta për Nexhin

Nexhmedin Spahiu është publicist jokonvencional. Do të thotë, një publicist që ka dëshirë të shprehet ndryshe prej linjave konvencionale të dogmave të shoqërisë. Nuk i pëlqen të endet nëpër rrugët e asfaltuara nga dogmat. I pëlqen të endet nëpër shtigje të rrahura rrallë nga të tjerët, në shtigje të braktisura e të harruara nga të tjerët dhe kjo, shpeshherë, atij ia krijon përshtypjen se në ecjen e tij të vetmuar është duke hapur shtigje të reja. I pëlqen të gjurmoj të vërteta e fakte të margjinalizuara, të fshehura e të harruara, qëmoti. Mbase jam duke e tepruar por, duke ndjekur këtë pasion të tij, Nexhi, deri diku, u ngjan atyre që mendimtari francez Michel Foucault i quan “arkeologë të dijeve të nënshtruara”. Dijet e nënshtruara janë dije që, duke qenë në kundërshtim me dijet sunduese në shoqëri, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në sferën e diskursit publik. Duke qenë i tillë, pra një shtegtar që nuk ecën rrugëve të shtruara, por atyre të mbuluara nga balta dhe ferrat, Nexhit i është dashur të përballet me dhunën e etiketimeve, dhunë e cila përbën një nga tiparet më të shprehura të ligjërimit publik në shoqëritë e pamësuara me pluralizmin e vlerave dhe pikëpamjeve. Në këtë dhunë të etiketimeve e kanë quajtur “të çmendur”, “i sëmurë mental”, “palaço”. Nga ana e tyre, “gardianët e kombit”, duke marrë për bazë idetë e tij të paqarta mbi kombin kosovar, nuk kanë hezituar ta rendisin në listat e tyre të tradhëtarëve e spiunëve, ndërsa, nostalgjikët e komunizmit jugosllav, e kanë quajtur fashist, sepse insiston në rehabilitimin e  figurave të tilla si Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica, të cilët njihen si bashkëpunëtorë të nazizmit. Në novelën e tij “Darka e gabuar”, Kadareja i bën një zbërthim të shkelqyeshëm dilemës morale të bashkëpunimit të patriotëve shqiptarë me nazizmin.  Nuk është gjithçka bardh e zi në atë kohë, gjithsesi!

Natyrisht, për këto sulme, një pjesë të fajit e ka vetë Nexhi: Duke mos hezituar t’i thotë mendimet e veta në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa doreza, ai ka lënë përshtypjen e një publicisti, që të drejtën e tij për pasur tjetër mendim, e ushtron në mënyrë të pakujdesshme. Dhe, në këtë pakujdesi, rreziku për t’u keqkuptuar gjithmonë është më i madh se mundësia për t’u mirëkuptuar.

Kur jemi te keqkuptimi, dua të theksoj se, këto që thash për Nexhin, asesi nuk duhet të merren si pajtim i imi me pikëpamjet e tij.

Të kesh tjetër mendim, nga ajo që mendon shumica,- kjo nuk do të thotë, automatikisht, se mendimi yt është i vërtetë.

E vërteta nuk është monopol as i shumicës, e as i pakicës. E vërteta gjendet në fundin e debatit racional, i cili zhvillohet midis shumicës dhe pakicës.  E vërteta është tërësia, thotë Hegeli. Ideja themelore edukative e kësaj sentence është se e vërteta arrihet vetëm pasi t’i kemi mbledhur dhe ballafaquar të gjitha faktet dhe të vërtetat e pjesëshme, që na vijnë nga perspektiva të ndryshme. Kjo rrugë për te e vërteta mbyllet, saherë që një e vërtetë e pjesëshme, një e vërtetë e njëanshme, shpallet si e vërtetë përfundimtare. Kjo shpallje prodhon ideologjitë, intolerancën ndaj tjetër mendimit dhe, në fund, regjimet diktatoriale. Prandaj, secili që dëshiron të mësoj rrugët e vështira të mendimit kritik, duhet t’i kthehet Hegelit dhe principeve metodologjike të tij. Hyrja në botën e mendimit të Hegelit, natyrshëm, shpie të heronjt e tjerë të mendimit kritik, siç janë Kanti dhe Dekarti. “Traktati mbi metodën” i Dekartit, është abetarja e mendimit kritik, dhe sot, të pretendosh se njeh mendimin kritik pa Dekartin, është njësoj si të vazhdosh shkollën fillore pa mësuar më parë abetarën. Këtë e them nisur nga fakti se kam parë shumë “ekspertë të të menduarit kritik”, që nuk kanë lexuar asnjë rrjesht të Dekartit. Pastaj thonë se i kemi keq punët me sistemin arsimor!

E vërteta për ditëlindjen e Adem Jasharit.

Tani të kthehemi në çështjen për të cilën u nis ky tekst. Zyrtarisht dihet se Adem Jashari, figura më e rëndësishme e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është i lindur me 28 nëntor të vitit 1955 në PREKAZ, pra, në një datë shumë simbolike për historinë e kombit shqiptar.

Me 28 nëntor 1443 Gjergj Kastrioti -Skenderbeu nisi kryengritjen e tij 25 vjeçare kundër sundimit osman. Me 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Këto dy ngjarje, në diskursin e nacionalizmit shqiptar, konsiderohen, pothuajse , ngjarje sakrale ( të shenjta), dhe kur atyre u shtohet edhe heroi kryesor i Kosovës, që është i lindur po me 28 nëntor, atëherë shenjtërimi i kësaj date bëhet edhe më i fuqishëm.

Ata që janë të prirur për interpretim religjioz të gjërave do të mendojnë se koincidenca e datëlindjes së Adem Jasharit me datën më të rëndësishme të kombit shqiptar nuk është e rastësishme, por një paracaktim hyjnor. Vetëm Zoti, shumë kohë më parë, mund ta dinte se kush do t’i prij çlirimit të Kosovës, pra përmbylljes së projektit politik të kombit shqiptar, dhe ai duhet të ketë vendosur që ky prijës të vij në jetë në datën më të shenjtë të këtij kombi. Nacionalizmi shqiptar, duke qenë një religjion politik, si shumë nacionalizma tjetër, duke filluar nga ai francez, lë hapësirë për këtë interpretim mistiko-religjioz të datëlindjes së Adem Jasharit.

Por, dikush është i pakënaqur me këtë rrëfim. Nuk pajtohet me të vërtetat e tij. Ky dikush është vetë Nexhmedin Spahiu, që mendon se në krejt këtë rrëfim ka një falsifikim të madh. Ai konsideron se ata që kanë dashur t’ia rrisin edhe më shumë lavdinë Adem Jasharit, e kanë marrë guximin që ta ndryshojnë, datën e saktë të lindjes së tij, duke e zhvendosur atë nga 10 tetori i vitit 1955, në 28 nëntorin e atij viti.

Por, cili është argumenti i Nexhit?

Një libër amzë i shkollës së mesme teknike në Mitrovicë, në të cilin shkruhet : “Nxënësi Adem Jashari, nga Prekazi, i datëlindjes 10.10.1955”. Nexhi, si duket nga ngutia për ta publikuar zbulimin e tij, ka bërë gabimin fatal,  gabim i cili ia diskrediton zbulimin.

Dhe, cili është ky gabim?

Është përdorimi i pakujdesshëm, jokritik, i të dhënës që ka në dorë zbuluesi. Atë që shkruhet në librin amzë, Nexhi e merr si  të vërtetë përfundimtare, të pakontestueshme, pasi më parë ka harruar faktin se librat tanë të amzës a të gjendjes civile, janë libra në të cilët, vazhdimisht, janë bërë gabime të pafundme me datat e të lindurve. Në Kosovë mund të gjesh, jo me qindra, por me mijëra raste të këtyre gabimeve.  Personalisht jam njëri prej atyre që u është bërë një gabim i tillë. Datëlindja ime është me 7 janar, ndërsa në librin amzë figuron 7 shkurt. Edhe sot ofiçarët tanë të gjendjes civile lënë shumë për të dëshiruar, e lëre më ata të viteve 60  e 70 të shekullit të kaluar. Punësimin me të njofshëm të analfabetëve në administratë nuk e kanë shpikur partitë e pasluftës. Kjo nuk i justifikon në asnjë mënyrë ato. Këtë fenomen korruptiv e kemi dhuratë nga komunistët e pas vitit 1945. Një nga njohësit më të mirë të periudhës komuniste në Kosovë, një ditë më tregonte se si në atë kohë Xhavit Nimani, njëri prej funksionarëve më të lartë në Kosovë, në një mbledhje të Komitetit Krahinor, ishte kritikuar se ka punësuar 35 familjarë e farefis të tij në administratën shtetërore.

Por, në këtë kontekst, një gjë duhet të qartësohet: Teza mbi joprefesionalizmin e ofiçarëve të gjendjes civile nuk e rrëzon argumentin e Nexhit. Kjo tezë e argumenton vetëm idenë se të dhënat e librave të gjëndjes civile nuk duhen marrë si të vërteta të pakontestueshme, gabim të cilin Nexhi e bën, siç thash, nga ngutia për të shpallur “zbulimin e madh”.

Këtë zbulim e përgënjështron një e dhënë tjetër : Dosja e  dënimit që iu bë Adem Jasharit nga Gjykata serbe në vitin 1997. Në atë dosje është shkruar se Adem Jashari ka lindur me 28 nëntor të vitit 1955.

Shtrohet pyetja: Pse gjykatat serbe do ta falsifikonin datëlindjen e Adem Jasharit? Për çfarë arsye? Aq më tepër, pse duhej që 28 nëntorin ta bënin datëlindje të tij? Pse mos ta linin ashtu siç ishte 10 tetori?, madje, marrë parasysh rrethanat kur Adem Jashari ishte personi më i rrezikshëm për regjimin serb në Kosovë!

Nuk ekziston asnjëlloj logjike në pandehmën se policia serbe e ka gabuar datëlindjen e tij. Në një regjim represiv, siç ishte regjimi i  Milosheviqit, datëlindja e njeriut më të kërkuar prej tij nuk është çështje e parëndësishme. Përkundrazi, është çështje themelore në dosjen e hetuesisë. Dhe tjetra : në një regjim policor, të dhënat e sigurimit gjithmonë janë më të sakta, se të dhënat e ofiçarëve të gjendjes civile. Në vitet ‘60 Adem Jashari, si mijëra të tjerë, ishte një nxënës anonim, datëlindja e të cilit nuk paraqiste asgjë më rëndësi, mjaft që të kishte një të tillë në librin amzë. Kush lodhej në ishte e saktë ose jo!

Ndërkaq, në vitet ’90, Adem Jashari ishte njeriu i rrezikshëm, të cilin prej vitesh Serbia e ndiqte për ta kapur, dhe datëlindja e tij përbënte një nga të dhënat më të rëndësishme operative të policisë. Dhe, në gjyqin që iu bë Adem Jasharit në vitin 1997, gjyq në të cilin ai u dënua me 20 vite burg në mungesë, kjo datë është 28 nëntor 1955.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë