Loading…
Zgjedhjet: Çfarë ka ndryshuar në të vërtetë?
  • Nga

  • ARTAN MUSTAFA

  • 29/06/2017 | 22:04

...

Rezultatet e zgjedhjeve nënkuptojnë ndryshime në balancën e bisedimeve Kosovë-Serbi, dhe janë ftesë për rimendim të politikave kryesore publike dhe reforma në partitë e mëdha.


Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare më 11 qershor, që ishin teknikisht të organizuara mirë, në klimë politike në përgjithësi të qetë. Dalja në zgjedhje vazhdonte të binte, mezi kaloi 40%, edhe pse pjesëmarrja e popullsisë rezidente ishte diçka më e lartë se ç’tregon kjo shifër, për shkak se gati gjysmë milioni njerëz me të drejtë vote jetojnë jashtë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve të qeta, ndërkohë, ishte goxha i jashtëzakonshëm. Ai krijoi një balancë të re në disa procese të dialogut që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian – duke nisur nga “bisedimet për normalizim” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një momentum të rimendimit të politikave kryesore publike, dhe një domosdoshmëri që partitë kryesore politike të përfshihen në reforma domethënëse.

Humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve

Qeveria në largim ishte krijuar nga dy partitë tradicionalisht më të mëdhatë – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – si dhe partitë minoritare. Kushtetuta garanton dhjetë vende në Parlament për komunitetin serb dhe dhjetë vende për komunitetet tjera, si dhe përfaqësim kuotal të tyre në Qeveri.

Që të dy partitë e mëdha dolën humbëset kryesore të zgjedhjeve të reja, siç ka ndodhur së voni në shumë vende të Evropës.

LDK-ja, partia më e vjetër që kryesonte koalicionin konservativ krahas Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe Alternativës, humbi zona të mëdha urbane si Prishtina, Gjilani dhe Ferizaj. PDK-ja, duke drejtuar koalicionin e qendrës së djathtë të partive të dala nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe partive tjera të vogla, humbi shumë vota rurale.

Ndonëse “krahu i luftës” – që përfshinë PDK-në, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën – fitoi më së shumti vota më 11 qershor si koalicion. Rritja më e madhe u regjistrua nga Vetëvendosja (VV), për më shumë se 100%.

E krijuar gjatë negociatave të udhëhequra nga OKB për statusin e Kosovës (2005-2007), Vetëvendosja në fillim e përdori nacionalizimin për të siguruar mbështetjen e të rinjve, por gradualisht u reformua drejt një partie më social-demokrate që promovon barazinë sociale, drejtësinë dhe anti-korrupsionin.

Përveç një kampanje të suksesshme që ishte në gjendje të ndërtonte koalicione me struktura të ndryshme urbane dhe rurale, që kanë mbështetur partitë tjera, dinamikat brenda Kosovës dhe ato përreth saj shkuan në favor të VV-së.

Varfëria rurale po rritej për rreth 8% prej vitit 2007, pabarazia e përgjithshme shoqërore në të hyra u bë më e larta në Evropë në vitet e fundit (mbi 43%), që bëri gati 10% të popullatës të emigronte në mënyrë të paligjshme ose të dorëhiqej nga nënshtetësia vetëm gjatë periudhës 2013-2015, dhe perceptimi për nivelin e lartë të korrupsionit në qeveri mbeti negativ.

VV-ja gjithashtu mobilizoi votuesit kundër dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE – një me Malin e Zi dhe tjetra me Serbinë.

Si rezultat, Vetëvendosja mori diferencën më të lartë në përqindje të votave nga partitë tjera në rajonin më të varfëruar, atë të Gjilanit; ndërsa PDK vazhdoi të binte në vota të mbledhura në Drenicë, e cila vazhdon të ketë shumicë rurale, dhe që ishte bastioni i saj. VV-ja, në anën tjetër, mbajti votat e të rinjve.

Brenda komunitetit serb, përkundër daljes më të madhe në zgjedhje, asgjë serioze nuk ka ndryshuar sa i takon rezultateve. Sërish, vetëm një deputet (tash nga Partia Liberale e Pavarur, SLS), ka qenë në gjendje të hyjë në Parlament në garë me Listën Serbe – të përkrahur nga Qeveria e Serbisë.

Plani që është bllokuar

Parlamenti u shpërnda në maj ngase nuk mund t’i kalonte marrëveshjet e gushtit 2015 të ndërmjetësuara nga BE: njëra që përcaktonte vijën kufitare me Malin e Zi, dhe tjetra që krijonte Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (AKS) brenda Kosovës.

PDK-ja, si partia më e madhe, zgjodhi që të bënte koalicion me AAK-në (duke ia premtuar kësaj të fundit postin e Kryeministrit) në pritje të miratimit të këtyre marrëveshjeve ose ndonjë versioni të modifikuar të tyre. Duke llogaritur në meritat e tyre të luftës, liderët e koalicionit kanë besuar se mund të mblidhnin mjaftë pushtet për të kaluar marrëveshjet dhe për të marrë, në shkëmbim, liberalizimin e vizave me BE-në dhe potencialisht disa ndryshime në kushtetutën e Serbisë, e cila ende e konsideron Kosovën territor të saj. Këto marrëveshje do t’ia lehtësonin të dy vendeve progresin drejt BE-së.

PDK, AAK dhe NISMA mund të kenë shpresuar se një sjellje e këtillë “konstruktive” në politikën rajonale do të mund të ishte ndoshta edhe me përfitim për udhëheqjen e dikurshme të UÇK-së, tash që Gjykata Speciale për krimet e luftës të kryera në Kosovë, e financuar nga BE-ja, është ngritur në Holandë.

Përkundër deklaratave publike, edhe lidershipi në Serbi, por edhe fuqitë perëndimore duhet të kenë pritur që koalicioni i partive të dala nga UÇK-ja të bënte qeverinë dhe të lëvizte me marrëveshjet. Tani, ky shteg pothuajse është bllokuar. Edhe pse partitë e dala nga UÇK-ja munden ende të formojnë qeverinë bashkë me minoritetet dhe disa deputetë të koalicionit të LDK-së. Autoriteti i Vetëvendosjes tani është bërë i pakalueshëm.

Shmangia e VV-së nga bisedimet për normalizim me Serbinë do të ishte e njëjtë me mungesën e UÇK-së në negociatat për mbylljen e konfliktit të armatosur më 1999. Prandaj do t’i bënte ato relativisht  jo legjitime. Në të njëjtën kohë, prania e saj krijon balancë të re në dialog, sepse VV-ja kundërshton parimet e marrëveshjeve të lartpërmendura. Në efekt, kjo do të mund të përkthehet në progres të ngadalësuar drejt BE-së, riformatim të negociatave, dhe më shumë hapësirë për nacionalizmin.

Dinamikat e reja në politikën publike dhe partitë e mëdha

Cilado që të jenë rezultatet e bisedimeve për kabinetin e ri, që mund të çojnë edhe në zgjedhje të parakohshme tjera, votimet e qershorit krijuan një dinamikë të re të brendshme në Kosovë.

Sa i takon politikave socio-ekonomike, prej 1999-ës Kosova ka ndjekur kornizën neoliberale të vendosur nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera të mëdha e që koncentrohej në: investime në infrastrukturë, privatizim të ndërmarrjeve sociale dhe rishpërndarje të ulët nën pritjen se punësimi në sektorin privat dhe investimet e huaja do të rriteshin.

Mungesa e rolit aktiv të qeverisë në krijim të punës dhe rregullim të punës, korrupsioni i lartë, si dhe politikat e dobëta rishpërndarëse qëndrojnë në rrënjët e varfërisë dhe pabarazisë në rritje, që kanë shkaktuar emigracion dhe kanë parandaluar zhvillimin e mëtejmë demokratik. Rritja e mbështetjes për Vetëvendosjen, që promovon më shumë drejtësi sociale, është indikacion se politika publike në vitet e ardhshme do të lëvizë drejt programeve social-demokrate.

Në anën tjetër, partitë tradicionalisht të mëdha – në veçanti PDK-ja dhe LDK-ja si humbëset kryesore të zgjedhjeve – përballen me presione të brendshme të reformimit. Përkundër që brenda të dy partive, një numër politikanësh që ishin gjithnjë prezent në Parlament, nuk arritën të rifitonin ulëse – gjë që përbën njëfarë ndryshimi. Edhe PDK-ja edhe LDK-ja kanë humbur koalicione me struktura të ndryshme sociale si pasojë e lidershipit të tyre aktual dhe përformimit të dobët në qeveri. Nëse ato nuk përfshihen në zgjedhje serioze të brendshme, me mundësi të gjera dhe mirëseardhëse të garës së drejtpërdrejtë, parti të reja do të shfaqen duke ndjekur shembullin e Vetëvendosjes si opsionin e vetëm real për reformë domethënëse politike.

Vota kundër partive kryesore ka krijuar një pritshmëri për ndryshim, që është i nevojshëm – siç e kanë demonstruar ngjarjet e emigracionit masiv. Se ç’kahe do të marrë ky ndryshim, Vetëvendosja është aktori kryesor për ta monitoruar në të ardhmen e afërt – qoftë si pjesë e qeverisë, qoftë si parti shumë e forcuar opozitare.

(Artan Mustafa është gazetar dhe publicist i njohur kosovar. Ky artikull është botuar fillimisht në anglisht në EastBlog të Universitetit të Vjenës).

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë