Loading…

​A po rritet vetëdijesimi i raportimit të ngacmimeve seksuale në vendet e punës në Kosovë?

  • 03/03/2021 | 08:12

​A po rritet vetëdijesimi i raportimit të ngacmimeve seksuale në vendet e punës në Kosovë?

Pak njerëz kanë aq guxim sa të ngrisin zërin kur përballen me ngacmime seksuale, e aq më pak kur ngacmohen në vendet e tyre të punës, duke rrezikuar kështu shpeshherë edhe atë pozitë. Përballja me të bëhet më e vështirë kur nganjëherë nuk është e qartë për ta përkufizuar ndonjë fjalë a veprim si ngacmim seksual.


Si pasojë, viktimat gjenden në situata të atilla, që sipas psikologëve, diagnozat më të shpeshta janë depresioni, ankthi dhe çrregullimi i stresit post-traumatik. Madje, disa hulumtime kanë zbuluar që ngacmimet seksuale, sidomos në fillimet e tyre, mund të shkaktojnë simptoma afatgjata depresive.

Ngacmimet seksuale në vendet e punës në Kosovë

Në bazë të një hulumtimi të bërë nga Rrjeti i Grave të Kosovës, “diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë” në mesin e diskriminimeve në vendet e punës, është raportuar edhe ngacmimi seksual. Sa i përket kësaj, RrGK i konsideron shqetësuese gjetjet, sepse pavarësisht që shifrat ishin të mëdha të ngacmimeve, vetëm 4 për qind e të gjithë personave i kishin raportuar ato tek autoritetet.

Shumica e të anketuarve që kishin pësuar ngacmime seksuale e kishin rrëfyer këtë te shoku apo shoqja (41%), kolegu (28%) apo ndonjë pjesëtar i familjes (21%). Ndërsa, “përqindja e burrave që i kishin raportuar rastet e ngacmimit seksual te menaxherët ishte më i madh sesa ai i grave (12%)”, thuhet në hulumtimin e bërë. Arsyet se përse nuk janë raportuar rastet tek institucionet janë të ndryshme, përgjigjet si “nuk kishim dashur”, “duhej të merreshim vetë”, kanë shifra të larta si te burrat ashtu edhe te gratë. E megjithëse krahasuar me këto shifra, heshtja për shkak të frikës së humbjes së vendit të punës është më e vogël, mbetet ende shqetësuese. Janë 21 për qind e grave dhe 13 për qind e burrave që kanë heshtur për këtë arsye.

Ngacmimi seksual sipas Kodit Penal të Kosovës

Tashmë në mënyrë specifike në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, përfshihet vepra “Ngacmim seksual”, i cili hyri në fuqi në vitin 2019, e që më herët nuk kishte ekzistuar. Në nenin 183 të Kodit Penal, ngacmim seksual konsiderohet çdo formë e sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues.

Pra sipas këtij neni, kushdo që ngacmon seksualisht p2ersonin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Ndërsa, paragrafi i tretë i këtij neni parasheh dënim prej gjashtë muajsh deri në 3 vjet për personat që kanë pozitë të autoritetit mbi personat e tjerë.

Vetëdijesimi i qytetarëve për këtë lloj të ngacmimit

Adelina Tërshani, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tregon se cilat janë disa nga format e ngacmimeve seksuale që mund të ndodhin te dikush, veprime të cilat mund të dërgojnë edhe në dhunë seksuale ndaj viktimës.

“Disa prej formave te ngacmimit seksual janë: Pyetje, vërejtje apo shaka seksuale pa dashjen e personit, referimi i personave me fjalë si: loçkë, zemër, syn, llokum etj., fishkëllima në rrugë, postimi i fotove pa lejen e personit në internet, presioni i dhunshëm për favore seksuale, të prekurit, pickimi, shtyrja, mbështetja për trupin e personit, pa lejen e tij/saj, shikime dhe gjeste seksuale pa dëshirën e personit, dërgimi i letrave, thirrjet telefonike pa dashjen e personit, presion për të dalë së bashku (për kafe, drekë, darkë), etj”, tha Tërshani për Akademi Pune.

Ajo thotë që megjithëse ka rritje të vetëdijesimit viteve të fundit, mbesin ende të paqarta disa forma të këtij lloj ngacmimi te qytetarët, duke e bërë kështu shumë të nevojshëm informimin rreth kësaj dukurie.

“Në përgjithësi qytetarët janë të vetëdijshëm se kur ngacmohen, por mungesa e vetëdijes vije në pah disa forma specifike te ngacmimit siç është ta zëmë favorizimi në këmbim të përfitimeve seksuale të cilën formë bazuar në raportin e Rrjetit të Grave realizuar në vitin 2016, vetëm 16.8% e popullsisë e kanë konsideruar si ngacmim seksual. Prandaj, edhe pse vetëdija është rritur gjatë këtyre viteve të fundit gjithçka ngec te mungesa e raportimit të rasteve në institucionet relevante dhe kjo e bënë të qartë nevojën për me shumë informim dhe fuqizim”, shprehet aktivistja.

Bazuar në hulumtimet që deri më tani janë bërë, gratë dhe vajzat janë objektivi kryesor i ngacmimeve. Tërshani thotë që RrGK, ka dhënë ndihmë ligjore për disa raste që kanë raportuar për ngacmime në vende të punës.

“Shumë herë gratë dhe vajzat në Kosovë janë pre e ngacmimit seksual në vendin e punës dhe kjo ka shumë ndikim në përformancen e tyre në pune, mungesës se sigurisë në vendin e punës etj. Ne i kemi ofruar ndihmë ligjore dhe i kemi monitoruar shumë raste të raportuara të ngacmimit seksual në hapësirat e punës, duke ndihmuar kështu gratë dhe vajzat që të raportojnë sa më shumë këtë formë të diskriminimit gjinor në punë dhe që përgjigjja institucionale ndaj rasteve të tilla të jetë serioze dhe me prioritet”.

Në fund aktivistja e të drejtave të njeriut në Kosovë, kërkon që gratë dhe vajzat të raportojnë sa më shumë për këtë lloj të shkeljes që u bëhet. Kësisoj, do të krijohej një hapësirë publike dhe private, ku grave nuk do t’ju cenohej dinjiteti i tyre. /Akademi Pune

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë