Loading…

​Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë, kërkohet rishqyrtim i bazës ligjore

  • 30/03/2021 | 14:01

​Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë, kërkohet rishqyrtim i bazës ligjore

Bizneset e Kosovës po e kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, i cili sipas tyre sjellë rritje të kostos së prodhimit dhe shtrenjtim të jetës qytetarëve në vend.


Komuniteti i biznesit po ashtu kërkoi rishqyrtim të bazës ligjore për hapjen e tregut të energjisë.

Në takimin e grupeve parlamentare me përfaqësuesit e biznesit për të diskutuar daljen në treg të hapur të energjisë për biznese, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha se qe tri vjet me një sfidë që po iu paraqitet bizneseve dhe operatorëve të energjisë në kalimin nga tregu i rregulluar i energjisë në tregun siç e quajti ai të de-rregulluar të energjisë.

Për këtë Rukiqi tha se liberalizimi i tregut të energjisë ka një kosto të lartë për prodhuesit 30-40 përqind.

“Kjo nënkupton rritje e çmimeve për konsumatorët, sepse nëse rritet një kosto këtë duhet me bartë, ngase askush nuk punon me humbje. Rritet çmimi i produkteve që nënkupton edhe rritje të kostos së jetesës për shumë kënd në këtë vend”, thekson Rukiqi.

Ndërsa, Astrit Panxha drejtor i Klubit të Prodhuesve të Kosovës me këtë rast kërkoi të rishqyrtohet komplet baza ligjore për tregun e liberalizimit.

“Me këtë liberalizim po cenohet interesi publik dhe po rrezikohen vendet e punës. Për këtë arsye duhet me reagua edhe kuvendi, edhe Qeveria që të kemi jo vetëm shtyrje, por duhet të rishikohet komplet baza ligjore e këtij liberalizimi”, tha Panxha.

Kurse, Kushtrim Ajvazi nga kompania “Vipa Chips”, ngriti shqetësimin e tij se kostoja vjetore për këtë fabrikë do të rritet mbi 50 mijë euro më tregun e hapur të energjisë.

“Një prej ofertave që kemi pranuar për liberalizim të tregut është prej KESCO-s dhe ne po kalojmë në një çmim të derregulluar ose liberalizim me të njëjtën kompani që jemi furnizuar deri tash. Me kushte të njëjta, ne do të paguajmë rrymë diku 36 përqind më shumë ose një kosto vjetore mbi 50 mijë euro”, theksoi Ajvazi.

Në këtë diskutim, bizneset morën mbështetjen e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja nga Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se për shkak se bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk është funksional është i kufizuar edhe veprimi i Kuvendit, megjithatë ajo tha se këtë çështje do ta adresojnë në Qeveri dhe tek ministri përkatës.

“Në situatën aktuale janë paradokset që veç u përmenden, por ekziston kufizimi për ne si legjislaturë që me funksionuar përmes Autoritetit Rregullativ të Energjisë, në këtë rast të ZRRE-së për faktin se nuk ka kuorum në bord… Në situatën aktuale dje kemi pasur edhe një takim me përfaqësuesit e ZRRE-së dhe zyrën ligjore të kuvendit me i shqyrtua të gjitha mundësitë që ne si deputet të kuvendit në një seancë të veçantë me pasur mundësi me vendosur ose me sjellë një ndalesë të implementimit të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë… Tash në ngushtimin e fushëveprimit aktualisht ekziston një element tjetër dhe ai është elementi i trajtimit të furnizimit nga ana e KEK-ut te KESCO dhe ndonjë marrëveshje eventuale për këtë periudhë deri në kompletim të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe shqyrtimit të çmimit të derregulluara”, theksoi Kusari Lila.

Deputeti nga LDK-ja Besian Mustafa theksoi se kjo parti është në parim për liberalizim, por sipas tij për një treg që do të sillte çmime më të ulëta se me treg të derregulluar.

“Bazuar në këto dy parime pajtohem me përfaqësuesit e sektorit privat që duhet analizuar mundësia e plotësim-ndryshimit të legjislacionit në fuqi për të reflektuar këto dy parime, parimin e tregut të lirë dhe parimi që në planin afat gjatë të paktën tregu i lirë duhet të kenë çmime më të ulëta se tregjet e rregulluara”, tha Mustafa.

Ndërsa, deputeti nga radhët e AAK-së Besnik Tahiri theksoi se janë kundër çdo rritje të çmimit të energjisë elektrike për sektorin privat.

Tahiri tha se kjo është e papranueshme dhe mund të ketë kolaps të bizneseve prodhuese.

“Jemi kundër çfarë do situate ose me ngritë çmime në këto rrethana për sektorin privat. Jo, pse duam me dëmtuar ndonjë operator siç është KESCO, por për shkak se ne kemi marrë hapa në atë kohë si qeveri për mos me mbyllur ekonominë, sepse ne kemi vendosur me lanë ekonominë hapur për të mos kolapsuar shteti dhe tash po i vendosim çmim më të lartë sektorit privat”, theksoi Tahiri.

Drejtoresha e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj ka thënë po ashtu se tregu i hapur i energjisë pa dyshim që ka me shkaktuar luhatje edhe në çmime të produkteve dhe shërbimeve për qytetarët.

Mësohet se mbi 100 biznese të mëdha në vend që janë të kyçura në tensionin 10 ose 35 kilovoltë kanë afat deri më 1 prill që të nënshkruajnë marrëveshje me ndonjërën nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji. Kjo pasi nga kjo datë ato do të dalin në kategorinë e konsumatorëve me çmim të çrregulluara

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë