Loading…

​Haradinaj refuzon ftesën e Kurtit për takim me liderët opozitarë

  • 28/09/2021 | 17:03

​Haradinaj refuzon ftesën e Kurtit për takim me liderët opozitarë

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj iu përgjigj përmes një letre kryeministrit Albin Kurti lidhur me ftesën për takim të mërkurën në mëngjes, me temën për projektin amerikan të gazit, duke thënë se nuk do të marrë pjesë.

Haradinaj tha se “në maj 2019, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga unë si kryeministër i vendit, miratoi propozimin për të përfituar nga granti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt. Si rezultat, ne krijuam dhe mbështetëm një ekip ekspertësh vendor dhe me ç’rast nënshkrova marrëveshjen e Fondit të Zhvillimit Kompakt (CDF).” – duke vazhduar se “Si rezultat, programi Kompakt u zhvillua në koordinim të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjencisë MCC dhe politikat e Qeverisë Amerikane, dhe pas shumë konsultimeve me të gjithë akterët në sektorin e energjisë, u identifikuan projekte brenda programit për mbështetje për të cilat janë kryer studime të para-fizibilitetit, siç janë zhvillimi i sektorit të gazit -diversifikimi i sektorit të energjisë, balancimi i Sistemit të Gjenerimit përmes krijimit të rezervave të energjisë për rrjetin e Transmisionit dhe fuqizimi i sektorit të energjisë.

Haradinaj ka shtuar se “…zhvillimet që kanë pasuar me Qeverinë Kurti, politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për vendin si dhe partneritetin me SHBA-në”.

Ai ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sepse ai “e etiketoi dhe e përshkroi Projektin e Gazit si një projekt rus, mohoi vendimet e qeverive të mëparshme dhe dezinformoi publikun me shumë të pavërteta të dëmshme”.

Haradinaj në letrën e cila është postuar edhe në llogarinë e tij në Facebook, ka kërkuar nga Kurti distancim publik nga deklaratat e Bislimit dhe thirrja e të njëjtit në përgjegjësi, pasi që “qëndrimet e zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit janë në pajtueshmëri të plotë”.

Për këtë shkak, Haradinaj konsideron se “në këto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideron si të panevojshëm”, duke bërë me dije se nuk do të jetë pjesë e takimit të Kurtit me liderët opozitarë.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që “të marrë vendimet e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e projektit të Kompaktit bazuar në studimet e kryera deri më tani nga të gjithë aktorët e përfshirë”.

Gjithashtu Haradinaj ka bërë të qarta edhe rekomandimet e tij, që janë me sa vijon:

Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit të mbështetet nga Qeveria dhe të integrohet në planifikime strategjike.

Revidimi i Strategjisë së Energjisë të mos vonohet dhe të integroj në vetvete zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe kapaciteteve gjeneruese.

Përveç mbështetjes së Kompaktit për këtë projekt, Qeveria e Kosovës duhet të përkushtohet në avancimin e negociatave me BERZH-in dhe BE-në për të siguruar financimin e projektit të gazit.
Qeveria e Kosovës të fillon krijimin e kushteve per krijimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).

Të mbështetet studimet e mëtejshme për komponentën e prodhimit të gazit në energji për të adresuar nevojat për rezerva dytësore dhe terciare për të balancuar sistemin e rrjetit të transmisionit.

Haradinaj shtoi se është “në dijeni që zbatimi i projekteve me interes strategjik për vendin kërkon kohë dhe qasje në financa, prandaj presim që studimet shtesë që janë duke u zhvilluar të ndihmojnë në matjen e këtyre kërkesave”.

“Në fund, mbështes përpilimin e Programit Kompakt siç rekomandohet në studimin e para-fizibilitetit dhe shpresoj se rezultatet e fizibilitetit do të vlerësojnë kushtet e tranzicionit të prodhimit të energjisë në Kosovë, nga thëngjilli në gaz, dhe potencialisht në burime të tjera që janë më miqësore për mjedisin,” përfundoi Haradinaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë