Loading…

​KOK pret dënim meritor për Serbinë pasi pengoi boksierët: T’i hiqet e drejta për organizime sportive ndërkombëtare

  • 30/10/2021 | 10:41

​KOK pret dënim meritor për Serbinë pasi pengoi boksierët: T’i hiqet e drejta për organizime sportive ndërkombëtare

Moslejimi i boksierëve kosovarë që të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd duhet të pasohet nga një dënim i rëndë. Kështu vlerëson Komiteti Olimpik i Kosovës që thotë se ky është një rast i përsëritur, pasi një gjë e tillë kishte ndodhur edhe me ekipin e karatesë, prandaj presin që Serbisë t’i hiqet e drejta për organizime madhore sportive siç janë kampionatet evropiane apo botërore.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pengesat ndaj boksierëve kosovarë për të kanë qenë një “film i përsëritur” që ka ndodhur më 2018 me Federatën e Karatesë.

Krasniqi ka sqaruar se boksierët nuk do paraqiteshin pa uniformën shtetërore, por kërkesa që të mos vishej rrugës me idenë që nuk do të pranohej nga ana e Kosovës e kështu Federata kosovare e Boksit do të hiqte dorë nga pjesëmarrja duke e lënë palën kosovare fajtore, ishte manovër e dështuar.

“Për mua personalisht ka qenë një film i përsëritur… Unë këtë rast e kam pasur në vitin 2018 me Federatën e Karatesë dhe ka ndodhur e njëjta procedurë e shtetit serb, e politikës serbe, ashtu si ka ndodhur me karatenë, ashtu edhe me boksin… Dua ta sqaroj një problem se shumë njerëz kanë komentuar pse ekipi i Kosovës shkon pa uniformë atje, kjo nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë mirëpo ndoshta ky ka qenë qëllimi i politikës serbe që ne nuk do të shkojmë pa uniforma veshur gjatë rrugës për në Serbi dhe ndoshta do të japim dorëheqje nga shkuarja në Beograd mirëpo ne nuk e bëmë këtë dhe u nisëm edhe në atë mënyrë por prapë se prapë na ndaluan”., tha Krasniqi.

Veprimin e Serbisë, Krasniqi e ka quajtur si një njollë të zezë për sportin botëror dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ai për KosovaPress ka thënë se presin që AIBA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të marrin masa penalizuese shumë të mëdha për Serbinë.

“Unë besoj që në këtë rast, vetëm në Serbi, politika ka fituar në këtë rast me sportin edhe është një gjë shumë e keqe për sportin botëror edhe për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar të cilët e kanë dënuar shumë këtë akt. Siç e dini edhe ju pas vitit 2018 me Federatën e Karatesë ku kishim problem, mospjesëmarrja e Federatës së Karatesë në Novisad në Kampionatin Evropian, prej asaj kohe Serbisë, i është ndaluar prej Federatës Botërore që mos të mbajë asnjë aktivitet ballkanik, as evropian, as botëror në Serbi derisa të zgjidhet problemi i statutit të Kosovës me Serbinë. Besoj se kjo është një arritje shumë e madhe edhe besoj që shumë shpejtë edhe AIBA edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të merr masa shumë të mëdha”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu ka shtuar se në bashkëpunim Komitetin Olimpik Ndërkombëtar janë duke punuar që Serbia të humbasë të gjitha të drejtat e organizimeve të aktiviteteve të mëdha sportive.

“Besoj që i vetmi arter që mund të ndikojnë në, mos të them dënimin mirëpo, për zgjidhjen e këtij problemi përfundimtar me Serbinë është Komiteti Olimpik i Kosovës në kontakt me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ne do të jemi akteri kyç i cili do të mundohet dhe besoj që do ta zgjedhim këtë problem njëherë e përgjithmonë edhe besoj që me këtë rast do të jetë Serbia para aktit të kryer sepse ky shtete dalëngadalë do t’i humb të gjitha të drejtat e organizimeve të aktiviteteve të tilla siç janë kampionati evropian apo botëror”, shtoi Krasniqi.

Mospjesëmarrja e Kosovës në Kampionatin Botëror të Boksit ngjalli reagimin e të gjitha institucioneve në vend, ndërsa u paralajmërua se mund të shtrohet si çështje edhe në Bruksel në kuadër të takimeve mes dy shteteve. Ndërsa, vet Bashkimi Evropian kërkoi që Federata e Boksit e Kosovës të trajtohet njësoj si të gjitha federatat e tjera.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë