Loading…

​Kosova ndalon përkohësisht importin e vezëve nga Maqedonia e Veriut

  • 14/05/2020 | 17:00

​Kosova ndalon përkohësisht importin e vezëve nga Maqedonia e Veriut

Kosova ka vendosur masë të përkohshme të ndalimit të importit të vezëve nga Maqedonia e Veriut, me qëllim të parandalimit të rrezikut të përhapjes pas shfaqjes së murtajës te shpezët në dy regjione në këtë vend.


Importi i fundit nga Maqedonia e Veriut është bërë të premten, por zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi për KosovaPress thotë se në bazë të testeve laboratorike të mostrës, është rezultuar se vezët i plotësojnë kushtet për konsum sipas rregullave në fuqi dhe se pas kontrollit të plotë, inspektori ka lejuar qe vezët të dalin në treg për konsum.

Ai tregon se kanë pasur vetëm një ngarkesë importi me vezë nga Maqedonia e Veriut këtë vit.

“Importuesi ka poseduar lejen për import dhe pas plotësimit të të gjithë dokumentacionit, ngarkesa është kontrolluar në aspektin fizik, përputhshmërisë së dokumentacionit apo certifikatës me deklarim për vezët. Dhe pasi ka kaluar të gjitha kontrollet në aspektin e dokumentacionit, është filluar edhe kontrolli tjetër i detajuar – marrja e mostrave për analiza laboratorike. Sapo rezultati ka dalë, ne kemi lejuar importuesit që vezët mund t’i nxjerrin në treg për shitje. Kjo ngarkesë ka dëshmuar se i plotëson kushtet e sigurisë për konsum në bazë të ligjeve të Kosovës dhe rregullave veterinare të kontrollit kufitar”, tha Thaçi.

Ai bën të ditur që është ndaluar përkohësisht importi i shpezëve dhe vezëve që vijnë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, pas njoftimit se në dy adresa në këtë vend fqinj ka shpërthim të sëmundjes së murtajës së shpezëve.

“Ne dje kemi nxjerrë një vendim për ndalesën e importit të shpezëve, produkteve të shpezëve dhe nënproduktet nga shpezët. Vendimi ka ardhur si masë e përkohshme e ndalesës për të penguar çfarëdo mundësie të përhapjes së sëmundjes, murtajës atipike të shpezëve. Ne kemi pranuar apo kemi marrë njoftimin zyrtare që janë publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë, dhe në të njëjtën kohë ka ardhur njoftimi nga ana e Organizatës Botërore të Shëndete, ku na njofton se në dy adresa në Maqedoni ka pasur shpërthim të sëmundjes new castle. Ne në bazë të Ligjit të Veterinës të Kosovës menjëherë kemi ngritur masën e ndalesës, apo vendimin për ndalimin e importit të përkohshëm, derisa të vijë njoftimi tjetër kur kjo e fiton statusin e lirë”, ka thënë Thaçi.

Zëdhënësi i AUV-it tregon se importuesi i vezëve nga ky shtet deri më tani ka pasur leje importi dhe ka poseduar dokumentacionin me të cilin garantohet siguria e vezëve.

“Ferma nga e cila kanë ardhur vezët të premten në Kosovë, nuk i përket regjionit ku ka shpërthyer sëmundja, është në një regjion tjetër dhe në të njëjtën kohë kjo fermë e ka të lejuar edhe eksportin në BE dhe hyn në listën e të drejtës për eksport në BE. Mbi këto kushte, ne të premten kemi lejuar importin e rregullt, por nga dita e djeshme është ndërprerë dhe nuk lejohet asnjë import tjetër”, tha Thaçi.

Shoqata e Shpendarive të Kosovës kishte alarmuar për rrezikun e konsumimit të vezëve që importohen nga Maqedonia e Veriut, pasi sipas tyre, ky shtet pas shfaqjes së murtajës te shpezët, ka eksportuar vezë më sëmundje në vendin tonë.

Ndër tjera, kjo shoqatë ka apeluar te konsumatorët të kenë kujdes gjatë blerjes së vezëve, ndërsa ka alarmuar, se përveç shëndetit, po rrezikohet edhe tregu i prodhuesve vendës.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë