Loading…

​Kurti në njëvjetorin e zgjedhjeve në SHBA: Fitorja e Biden i parapriu fitores historike të VV’së

  • 03/11/2021 | 21:12

​Kurti në njëvjetorin e zgjedhjeve në SHBA: Fitorja e Biden i parapriu fitores historike të VV’së

Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar 3 nëntorin e vitit 2020, kur Joe Biden u zgjodh president i ShBA-së.

Kurti përmes një statusi në Facebook, ka tërhequr një paralele ndërmjet zgjedhjeve të tre nëntorit në ShBA dhe atyre më 14 shkurt në Kosovë, duke thënë se dy palë zgjedhjet, ato më 3 nëntor dhe ato më 14 shkurt, dëshmuan se ajo çka i lidh më thellësisht republikat tona, nuk janë interesa të ngushta gjeopolitike, por parime dhe vlera demokratike.

“Fitorja historike e presidentit Biden më 3 nëntor 2020, i ka paraprirë edhe fitores historike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 14 shkurt 2021, me një program të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë dhe zhvillimit, një program jo shumë larg atij mbi të cilin kandidati Joe Biden ka kërkuar dhe fituar besimin e një shumice të madhe të votuesve amerikanë. Në këtë mënyrë, dy palë zgjedhjet, ato më 3 nëntor dhe ato më 14 shkurt, dëshmuan se ajo çka i lidh më thellësisht republikat tona, nuk janë interesa të ngushta gjeopolitike, por parime dhe vlera demokratike”, ka shkruar ndër të tjerash kryeministri Kurti.

Ky është postimi i tij i plotë:

3 nëntor 2020 ishte një ditë historike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për të gjithë botën. Amerikanët votuan për ndryshim. Qytetarët e ShBA-së, aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, zgjodhën Joe Biden si presidentin e tyre të 46-të. Sigurisht, z. Biden, edhe atëherë, nuk ka qenë i panjohur për ne: për dekada me radhë, si senator e pastaj si zëvendëspresident, Joe Biden ka qenë ndër avokuesit më të zëshëm dhe më të zellshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, e sidomos të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Millosheviqit. Është fat i mirë i Republikës së Kosovës, pra, që, si president i aleatit më të rëndësishëm të shtetit tonë, është zgjedhur miku ynë i provuar për vite me radhë.

Megjithatë, për vendin tonë, rëndësia dhe domethënia e zgjedhjes së presidentit Biden, s’ka qenë vetëm për shkak të avokimit të tij për të drejtat tona në të kaluarën, por edhe për atë që ka premtuar dhe simbolizuar fitorja e tij për të ardhmen. Përkatësisht, fitorja e presidentit Biden i dëshmoi të gjithë botës se demokracia më e vjetër në botë vazhdonte t’u qëndronte besnike disa prej zakoneve më të rëndësishme të çdo shoqërie demokratike: sundimi i ligjit kundër politikanëve me synime diktatoriale, luftimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha format e tyre dhe, mbi të gjitha, respektimi i vullnetit të qytetarëve, të shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të drejta. Me fitoren e presidentit Biden, këto vlera i janë rikthyer jo vetëm vetë ShBA-së, por edhe politikës së jashtme të saj, duke përfshirë në veçanti marrëdhëniet me Republikën e Kosovës.

Fitorja historike e presidentit Biden më 3 nëntor 2020, i ka paraprirë edhe fitores historike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 14 shkurt 2021, me një program të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë dhe zhvillimit, një program jo shumë larg atij mbi të cilin kandidati Joe Biden ka kërkuar dhe fituar besimin e një shumice të madhe të votuesve amerikanë. Në këtë mënyrë, dy palë zgjedhjet, ato më 3 nëntor dhe ato më 14 shkurt, dëshmuan se ajo çka i lidh më thellësisht republikat tona, nuk janë interesa të ngushta gjeopolitike, por parime dhe vlera demokratike.

Me rastin e përvjetorit të zgjedhjes së tij, i uroj sërish presidentit Biden suksese e punë të mbarë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë