Loading…

​Lista Serbe braktis seancën e Kuvendit për ndalimin e referendumit të Serbisë në Kosovë

  • 15/01/2022 | 15:28

​Lista Serbe braktis seancën e Kuvendit për ndalimin e referendumit të Serbisë në Kosovë

Lista Serbe ka braktisur seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për ndalimin e mbajtjes së referendumit për ndryshime kushtetuese të Serbisë edhe në Kosovë.


Slavko Simiq nga Lista Serbe vendimin e institucioneve të Kosovës për ndalimin e mbajtjes së këtij referendumi e ka quajtur “shkelje të të drejtave të njeriut” dhe ka thënë se nuk dëshirojnë të qëndrojnë më tutje në seancë.

“Me ndalimin që serbët të shprehen në referendum të dielën, kjo qeveri po vazhdon serinë e hapave antiserbe. Do të përkujtoj dërgimin e policisë speciale të armatosur deri në dhëmbë në mjediset serbe në veri, inicimin e proceseve gjyqësore të pabazuara kundër njerëzve tanë të shquar… Dhe tash si kurorëzim të gjithë kësaj, dëshironi që në zemër të Evropës të shekullit 21, të thyeni demokracinë dhe t’ua merrni serbëve të drejtën e shprehjes në referendum. E përsëris, ju po e shkelni të drejtat njerëzore dhe të drejtat demokratike, duke dashur që t’i mohoni… Ju bëj thirrje në emër të popullit serb dhe Listës Serbe që të rishikoni vendimin tuaj dhe të mundësoni shprehjen përmes referendumit në pajtim me parimet e deritanishme që kanë vlejtur në vitet e kaluara…Për të gjitha ato që u thanë, ju njoftoj se deputetët e Listës Serbe nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës së sotme”, tha Simiq.

Ndryshe, Policia e Kosovës mbrëmë në ora 21:40 në Merdare, ka ndaluar një veturë dhe dy kamionë me targa të Serbisë, me materiale për mbajtjen e referendumit në Serbi.

Nesër në Serbi mbahet referendumi për ndryshime kushtetuese. Kryeministri Albin Kurti në një bisedë telefonike i ka thënë kryediplomatit evropian Josep Borrell se nuk do të lejohet mbajtja e referendumit në Kosovë, por serbët lokalë mund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse.

Në lidhje me referendumin në Serbi, Kuvendi i Kosovës po mban sot një seancë të jashtëzakonshme.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë