Të drejtat e punëtorëve në Kosovë vazhdojnë të shkelën në masë të madhe, si pasojë e mos zbatimit të ligjeve të miratuara. Kjo u tha në debatin parlamentar në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, me ç’rast u bë përgjegjëse Qeveria për mos zbatimin e kontratave, punën jashtë orarit, mos kompensimin e lëndimeve në punë, sigurinë në punë, e tjera.
Iniciuesi i këtij debati, deputeti Bekim Haxhiu tha se është evidente se në Kosovë shkelen të drejtat e punëtorëve. Sipas tij, kushtet e punës, siguria dhe shëndeti në punë janë ndër brengat kryesore të çdo punëtori.
Ai vuri në pah se sipas raportimeve vetëm gjatë 5 viteve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë 61 qytetarë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës, derisa 220 të tjerë janë lënduar. Haxhiu theksoi se shkelja e të drejtave të punëtorëve fillon në shumë raste duke mos iu ofruar fare kontrata e punës, puna me orare të zgjatura deri në 12 orë brenda një dite, punëtorët nuk kompensohen për punën që kryejnë jashtë orarit të rregullt të punës, u mohohet e drejta e shfrytëzimit të pushimit javor dhe vjetor e që është shkelje e së drejtës për pushim, mos respektim i pushimit të lehonisë, ndërprerja e marrëdhënies së punës nga punëdhënësi pa paralajmërim, zgjatja e kontratave mbi vepër më shumë se sa lejohet me ligj, etj.
Edhe deputetët tjerë patën shumë kritika për shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se shkelja e të drejtave të punëtorëve është shqetësuese sidomos tek punësimet e vajzave. Ajo përmendi një rast, kur një e punësuar në një nga bankat e Kosovës, e cila është detyruar të lëshojë vendin e punës pas presionit të jashtëzakonshëm nga punëdhënësi që ta lëshojë vendin e punës. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Grupi parlamentar i LDK-së, ka trajtuar rekomandimet e deputetëve iniciues të këtij debati. Sipas tij tashmë janë të ditura shkeljet e të drejtave të punëtorëve.
Zemaj ka thënë se në sektorin privat shkelja e të drejtave të punëtorëve është e theksuar. Jo rrallë, sipas tij, shkelja e të drejtave të punëtorëve ka pasur edhe me humbje jete të punëtorëve. Ai ka thënë se LDK-ja kërkon që inspektorati i Punës duhet të rrisë llogaridhënien dhe numrin e punëtorëve, në mënyrë që të drejtat e punëtorëve vazhdojnë të shkelen. Deputeti Faton Topalli, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, theksoi se punëtorët e Kosovës, kryesisht punëtorë të ndërtimit, shitës në dyqane, punonjës në furra, fabrika, e shumë të tjerë që iu shkelen të drejtat. Derisa, ekzekutivit të vendit ia ka hedhur përgjegjësinë për shkeljen e këtyre të drejtave.
Në emër të AAK-së, deputeti Pal Lekaj, ka thënë se të drejtat e punëtorëve nuk janë adresuar as para pavarësisë e as pas saj. Ai ka theksuar se përveç nivelit të lartë të papunësisë, edhe te të punësuarit si në sektorin publik, e më shumë në sektorin privat të drejtat e punëtorëve shkelen.
Deputeti i PDK-së, Shaip Muja akuzoi Qeverinë se po i mashtron punonjësit duke i punësuar me kontrata mbi vepër, që sipas tij janë mashtrime një mashtrim i momentit për militantët politik. Ai tha se këto janë politika të momentit që përkthyer do të thotë politika mashtruese.
Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se numri i vogël i inspektorëve po lihet me qëllim, për shkak se sipas tij, me një numër kaq të vogël të inspektorëve nuk mund të presësh respektimin e të drejtave të punëtorëve. Por, ai pati një këshillë për iniciuesit e këtij debati, Bekim Haxhiu e Xhevahire Izmaku.
Por, ndaj fjalës së Kurtit replikoi iniciuesi i debatit Bekim Haxhiu, duke i quajtur demagogji ato që tha ish-lideri i VV-së.
Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, pranoi se ka ngecje në respektimin e të drejtave të punëtorëve, derisa përmendi sektorët e ndjeshëm siç është punësimi i grave.
Pas përfundimit të debatit, nuk u arrit të miratohen rekomandimet, meqë nuk pati kuorum të mjaftueshëm./zëri