Loading…

​Nga 14 shkurti te 17 tetori, viti me dy fytyra për LVV-në

  • 03/01/2022 | 15:49

​Nga 14 shkurti te 17 tetori, viti me dy fytyra për LVV-në

Qytetarët e Kosovës në vitin 2021 u sfiduan me dy palë zgjedhje. Kutive të votimit iu drejtuan me 14 shkurt në zgjedhje nacionale dhe 17 tetor e 14 nëntor në zgjedhjet lokale. Lëvizja Vetëvendosje pati një vit me dy fytyra. Nga emocionet e fitores së dimrit te rezultati zhgënjyes i vjeshtës. Përtej çdo parashikimi, LVV mori mbi 50 përqind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit. Por shënoi rënie drastike në zgjedhjet lokale duke mos arritur të fitojë më shumë se katër komuna.


Këto ndryshime për një kohë kaq të shkurtër, njohësit e proceseve zgjedhore i konsiderojnë si një avancim të mendësisë së votimit të qytetarëve kosovarë. Rënia e tillë e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tyre, tregon se qytetarët tashmë votojnë në bazë të projekteve, premtimeve konkrete dhe jo atyre megalomane.

Analisti Gazmir Raci thotë për KosovaPress se zgjedhjet e 14 shkurtit, përveç fitores absolute të LVV-së, vetëdijesuan edhe dy partitë opozitare, PDK dhe LDK që të bëjnë reforma të thella dhe të dalin me figura të reja në zgjedhje lokale.

“Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale ka dal keq në rezultate, ka vetëm katër komuna të fituara. E humbi Prishtinën dhe Prizrenin, nuk ishte në gjendje që t’i mbajë. Po shpresoj që Lëvizja Vetëvendosje do të vetëdijesohet dhe ndryshojë qasjen e Lëvizjes në nivel lokal, pasi ka një problematik të funksionimit të tyre, pasi nuk ka funksionuar dhe kjo rezultoi me këtë rezultat çfarë e morën tani. Sa i përket partive të tjera, kuptohet se dy fituesit e zgjedhjeve lokale janë PDK-ja dhe LDK-ja. Por e kam thënë se edhe PDK dhe LDK duhet t’ia njihnin meritën LVV-së, pasi rezultati i 14 shkurtit vetëdijesoi dy partitë pasi hynë në reforma të thella e që pastaj u solli rezultate pozitive për ta. Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin ndryshim, jo vetëm i qeverisjes, por edhe mentalitetit, koncepteve dhe mendimit të votueseve. Tash e kemi një votues i cili shumë më shumë vendos në bazë të projekteve, premtimeve konkrete e jo iluzioneve dhe premtimeve megalomane”, thotë Raci.

Rezultatin e zgjedhjeve lokale, profesori universitar, Dritëro Arifi po i sheh më shumë si kthim i balancimit të partive politike.

Ai thotë se në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit votimi i qytetarëve më shumë ka qenë me inerci, pas arritjes së një pezmi të madh të tyre. Por sipas tij, pas qeverisjes më shumë se shtatë muajsh të Lëvizjes Vetëvendosje deri në zgjedhje lokale, qytetarët i panë kapacitetet e të gjitha partive dhe vendosën për kandidatët për të cilët kanë menduar se meritojnë postin e kryetarit të Komunës.

“Zgjedhjet që janë mbajtur më 14 shkurt ka qenë një votim me inerci, kuptimin se është mbledhur një pezëm i madh tek qytetarët, pasi shumë vite nuk ka pasur sinjale që qeverisja do të përmirësohet edhe pse ka pasur gjëra pozitive. Këtë zbritësi e ka shfrytëzuar më së miri LVV-ja dhe kanë pasur premtime të mëdha. Gjatë qeverisjes së tyre edhe pse s’ka pasur skandale, pasi nuk do të thotë të jesh i ndershëm dhe mos të bësh asgjë ose të bësh shumë pak. […] Qytetarët janë vetëdijesuar sa i përket votimeve në zgjedhje dhe nuk votojnë kandidat që nuk përfaqëson aspektin intelektual dhe aspektin e një qasje serioze, që qytetari të besojë se ai mund të përmbush një premtim të dhënë”, thekson ai.

Rënien e Lëvizjes Vetëvendosje, analisti Gazmir Raci e arsyeton edhe me dallimin substancial të zgjedhjeve të përgjithshme me ato lokale.

“Kemi të bëjmë me dy nivele të ndryshme të zgjedhjeve, ato janë zgjedhje nacionale, këto janë zgjedhje lokale. Në zgjedhje lokale gjithmonë kemi diskutuar se qytetarët janë të lidhur më shumë me kandidatin për kryetar dhe kandidatët për asamble në bazë të lidhjeve të tyre shoqërore, familjare dhe interesave të caktuara”, thotë ai.

Në krahasim me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, dy partitë tashmë opozitare, PDK dhe LDK shënuan rritje elektorale në nivel partiak në zgjedhjet lokale.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë