Loading…

10 librat më të kërkuar gjatë 2016’ës

  • Nga

  • 22/01/2017 | 12:37

10 librat më të kërkuar gjatë 2016’ës

Ismail Kadare është shkrimtari që nuk ka konkurrencë te lexuesit kosovarë. Ai është autori më i kërkuar i vitit që lamë pas, së paku kështu thonë në tri libraritë kryesore të Prishtinës.


Erza Mati nga libraria Dukagjini tha për gazetametro.net se Kadare dhe librat e tij nuk kanë stinë dhe as kohë, ai kërkohet gjatë gjithë vitit, gjithashtu ajo shtoi se Kadare dhe Fatos Kongoli kërkohen shumë edhe nga shtetas të huaj.

Ben Blushi e Blendi Fevziu, janë dy autorë që kanë rrëmbyer primatin e muajve të fundit, Blushi me “Kandiadtin” dhe “Kryeministrin” ndërsa Fevziu me librin “Pushteti”.

Këta dy autorë del të jenë më te kërkuarit e muajve te fundit në libraritë kosovare, shkruan gazetametro.net.

Sa i përket librave të huaj, Noel Malcolm me librin “Agjentë perandorakë” dhe “Zëra nga Cernobili” i nobelistes, Svetlana Aleksievic, që e ka sjell në shqip shtëpia botuese Buzuku, u prijnë listës së më të kërkuarve përgjatë vitit që lamë pas, por duke mos lënë anash as librin “Harry Potter dhe Fëmija i Mallkuar”.

Më poshtë Gazeta Metro i ka renditur 10 titujt më të kërkuar të vitit 2016, nga tri libraritë kryesore të kryeqytetit: Dukagjini, Buzuku dhe Artini (Toena).

Ismail Kadare – Mëngjeset në Kafe Rostand

mengjeset-ne-kafe-rostand-ismail-kadare

Ideja për të shkruar diçka për Kafe Rostand më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rrethanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë ndaj shoqes së jetës, që duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ka pasur, ose ty të duket se nuk e ka pasur, vëmendjen e duhur, shkruan Kadare.

Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë.

“Ajo kishte diqka të papërcaktueshme, që herë ngjante si shkak, e herë si rrjedhojë e bukurisë së saj”, thotë Kadare.

Ben Blushi – Kandidati

ben-blushi-kandidati

Kandidati është botimi i parafundit i shkrimtarit Ben Blushi. Ky roman, merr përsipër te tregoje, se si zhvillohen zgjedhjet ne Shqipëri. Njeri nga kandidatet për bashkinë e Basenit, vdes papritur, pas hapjes se fushatës zgjedhore por megjithatë fiton.

Kandidati është një roman qe kërkon te vizatojë me fantazi, me cinizëm dhe stil Shqipërinë politike dhe mediatike te ditëve tona, te cilën Ben Blushi e njeh shume mire, transmeton gazetametro.net.

Svetlana Aleksieviç – Zëra nga Çernobili

svetlana-aleksievic-zera-nga-cernobiliSe për çfarë flet ky libër, tregon vetë autorja.

Ky libër nuk flet për Çernobilin, por për botën e Çernobilit. Pikërisht për atë që ne e njohim shumë pak. Për atë që nuk njohim thuajse asgjë. Një histori e munguar: ja kështu mund ta kisha titulluar. Çernobili është një mister që na duhet ende ta ndriçojmë. Mbase është një njollë për shekullin XXI. Një sfidë për këtë shekull të ri. Doja të dija se ç’ka mësuar njeriu, hetuar e zbuluar mbi veten dhe në qëndrimin e tij ndaj botës. Të rindërtoja ndjenjat, e jo ngjarjet… Për tre vjet me radhë, kam udhëtuar dhe pyetur: punëtorë të centralit, ish-zyrtarë të partisë, mjekë, ushtarë, mërgimtarë, persona që janë ngulitur në zonën e ndaluar… Burra dhe gra me zanate, fate, breza dhe temperamente të ndryshëm. Besimtarë dhe ateistë. Fshatarë dhe intelektualë. Çernobili është përmbajtja kryesore e botës së tyre. Ai helmon gjithçka, rreth tyre dhe brenda tyre. Jo vetëm tokën dhe ujin. Tërë kohën e tyre.”

Blendi Fevziu – Pushteti

blendi-fevziu-pushteti

Blendi Fevziu është gazetari më i famshëm shqiptar i tranzicionit dhe autori më i shitur shqiptar me biografinë e Enver Hoxhës. Si i tillë, autori është mjaft i pushtetshëm, pra ai e njeh mjaft mirë enigmën e pushtetit, por pa qenë i detyruar si ata që i kanë thënë “PO”pushtetit,-ai nuk ka qenë i detyruar të pësojë deformimet e pushtetit. Ky është romani, ose eseja e re e Blendi Fevziut. Por pak rëndësi ka se çfarë zhanri është, sepse sot gjithçka është letërsi. Na e kanë thënë Sartri dhe Heminguej dje dhe Nobeli këto dy vitet e fundit. Gjithçka është letërsi. Jeta në radhë të parë,-pushteti aq më tepër.

Noel Malcolm – Agjentë perandorakë

noel-malcolmKy libër flet për gjysmën e dytë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, ku pjesa më e madhe e shteteve të krishtera të Evropës Perëndimore ishin në pozita mbrojtjeje kundër një superfuqie myslimane – sulltanëve të Perandorisë Osmane.

Umberto Eco – Numri Zero

umberto-eco

Ky nuk është një roman historik në stilin e “Emri i trëndafilit”, dhe as si “Varreza e Pragës”. Është një pantomimë e gjatë e gjatë: si funksionon një gazetë dhe si arsyetojnë (disa) gazetarë.

Një redaksi që mbledh lajme dhe që përgatit një gazetë të përditshme, e cila më shumë sesa informacionit i kushtohet shantazhit, hedhjes baltë ndaj të tjerëve, për interesat e ulëta të botuesit të saj.

Kasëm Trebeshina – Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara)

kasem-trebeshina

Ky libër është botuar në 90 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Kasëm Trebeshina duke përmbledhur jetën e autorit që nga fillet e para të shkrimit e deri në ditët tona. Është një libër i ri nga kolana e Botimeve Buzuku, në 90-vjetorin e lindjes së autorit.

“Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme. Ju mos e bëni më të padurueshme, gjer në shkatërrim. Dhe mos harroni. Diktaturat nuk i kemi lënë pas… Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara. Mendohuni mirë… Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë… “

Lamtumirë! Kasëm Trebeshina

J.K. Rowling – Harry Potter dhe Fëmija i Mallkuar, pjesa e parë dhe e dytë

harry-poter

Historia e tetë. Nëntëmbëdhjetë vjet më pas…  Harry Potter tani bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve të moshës shkollore. Përderisa Harry Potter përballet me një të kaluar që nuk pranon të mbetet e tillë, djali i dytë, Albusi, duhet të luftojë me peshën e trashëgimisë së familjes, trashëgimi që ai nuk e ka dashur kurrë. E kaluara dhe e tashmja shkrihen në mënyrë kërcënuese dhe babai dhe djali mësojnë një të vërtetë të pakëndshme: ndonjëherë errësira vjen nga vende të papritura.

Albatros Rexhaj – Zonja Z  

albatros-rexhaj-zonja-z

“Zonja Z” është një libër protestues, një zë revolte e indinjate për shoqërinë shqiptare të përbërë kryesisht nga femra të ndrydhura e meshkuj të tredhur. Dy shpirtra binjakë kërkohen, gjenden dhe të kapur dorë për dore përballen me paragjykimet dhe tabutë shqiptare. Kjo është beteja e shumë të tjerëve dhe përfundimi i trishtë i kësaj historie tingëllon si një kambanë alarmi.

Nicholas Sparks -Më shiko

me-shiko-nicholas-sparks

Kolin Hankoku po bën ç’është e mundur për të shfrytëzuar mundësinë e fundit që i është dhënë. Me një histori dhune e vendimesh të gabuara prapa krahëve dhe me kërcënimin e burgut në çdo hap që hedh, ai është i vendosur të bëjë një jetë pa gabim./gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë