Loading…

100 ankesa në PZAP: Kur mund t’i certifikojë rezultatet KQZ’ja

  • 08/11/2019 | 15:25

100 ankesa në PZAP: Kur mund t’i certifikojë rezultatet KQZ’ja

Jan dorëzuar 100 ankesa në PZAP lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit, shkruan Gazeta Metro.


PZAP ka bërë të ditur se pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), janë dorëzuar rreth 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatëve për deputetë.

Nisma Socialdemokrate është njëra nga partitë e cila ka bërë të ditur se ka dorëzuar një ankesë të tillë, duke  akuzuar KQZ-në se ka  fabrikuar rezultatet, meqë ka lejuar numërimin e votave të ardhura ilegalisht nga Serbia.

Si pasojë e këtyre ankesave, certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja mund të stërzgjatet. Procedura ligjore  në vend sa i përket kësaj çështje është e atillë që para përfundimit të të gjitha ankesave deri në nivelet më të larta gjyqësore, nuk mund të bëhet certifikimi i rezultateve.

Por, Ismet Kryeziu nga KDI, ka sqaruar se nëse aplikohen të gjitha procedurat dhe afatet kohore, certifikimi i rezultateve duhet të bëhet të premten e ardhshme.

“Rreth 100 ankesa nga subjekte dhe kandidat janë dorëzuar në PZAP. Nëse aplikohen të gjitha procedurat dhe afatet kohore, të ankesave dhe apelit të vendimeve në PZAP dhe Gjykatë Supreme, dhe nga këto vendime nuk do të anulohen rezultatet në një vendvotim apo qendër votimi dhe të urdhërohet KQZ-ja të përsëris votimet, apo të bëhet rinumërim, atëherë të Premten e ardhshme mund të bëhet certifikimi i rezultateve zgjedhore”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Ndërkaq rreth kësaj teme për Periskopin ka folur Valmir Elezi nga KQZ duke thënë se nuk dihet nëse certifikimi i rezultateve mund të ndodhë të premten, për shkak se kjo gjë varet nga vendimet që merren fillimisht nga PZAP, e deri të Gjykata Supreme.

“Ne nuk e dimë se kur mund të ndodhë certifikimi, kjo varet nga vendimet që merren fillimisht në PZAP pastaj dhe në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, pala e pakënaqur mund të ankohet në Gjykatën Supreme”, ka thënë Elezi.

Kujtojmë se Nisma Socialdemokrate ka këmbëngulur në vazhdimësi se do të ndjek të gjitha  rrugët ligjore deri në instancat më të larta, siç është Gjykata Kushtetuese për të arritur të drejtën që kjo parti konsideron që e ka fituar përmes votës së qytetarëve për të qenë pjesë e përbërjes së ardhshme të legjislativit në Kosovë.

Sipas ligjit, në rast se PZAP nuk merr vendim në favor të ankuesve, atëherë këta të fundit kanë të drejtë brenda 24 orëve të ardhshme t’i drejtohen Gjykatës Supreme. Më pas, Gjykata i ka tri ditë, apo 72 orë afat që të marrë vendime në lëndët e pranuara nga të ankuarit./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë