Loading…

100 ditëshi i Qeverisë Kurti

  • Nga

  • FITIM SALIHU

  • 10/04/2020 | 19:45

100 ditëshi i Qeverisë Kurti

Shkruan Fitim Salihu 

1. Në Shkenca Politike dhe në histori politike është i hapërdarë një koncept që njihet si “100-ditëshi i parë qeverisës” dhe që nënkupton (s)provimin e një qeverie – ose një presidenti, në shtetet me sistem presidencial – gjatë 100 ditëve nistore të udhëheqjes. Duke i munguar një përkufizim ‘de rigueur’, një “kodifikim” teorik, ky koncept ka lënë hapësira të shumta interpretative.

Për herë të parë u përdor për ta përshkruar 100-ditëshin e presidentit të 32-të amerikan, Frenklin Delano Ruzveltit, një ndërkohë prej inaugurimit të tij më 4 mars dhe gjer më 11 qershor 1933. Duke e përmendur gjatë një adresimi në radio, Ruzvelti u bë në fakt pionieri i përdorimit të këtij koncepti. Pasi që e kishte marrë mandatin në kohën e Depresionit të Madh, atij iu desh që në fillim të ndërmerrte masa të shpejta për ta stabilizuar situatën socioekonomike.

Brenda 100-ditëshit të parë, Ruzvelti kaloi 15 projektligje në Kongres që kryesisht kishin të bënin me stabilizimim ekonomik të vendit. Entoni Bexhër, historian i Universitetit të Kembrixhit, do të shkruante se 100-ditëshi i parë i Ruzveltit do të shërbente si model lidershipi për presidentët pasues. Kurse, Xhonatan Alltër, i cili e quante 100-ditëshin e parë të Ruzveltit “triumf i shpresës”, në librin e tij, “The Defining Moment”, shpjegon se këtë koncept aq të mitizuar Ruzvelti e kishte huajtur nga 100-ditëshi i famshëm i Napoleon Bonapartës – prej arratisë së tij nga internimi në ishullin e Elbës në mars gjer në abdikimin e tij pas disfatës në betejën e Vaterlosë në qershor 1815.

2. Albin Kurti ka marrë postin e kryeministrit më 3 shkurt të këtij viti, rreth 70 ditë më parë. Paçka që ai është shkarkuar pak a shumë 50 ditë pasi që u zgjodh kryeministër, spikat një prirje që kjo qeveri nuk duhet kritikuar gjatë 100 ditëve të para të saj. Në parim, ‘prima facie’, pajtohem. Por, janë dy argumente që do i parashtroj kundruall kësaj qasjeje.

I pari argument është se ne nuk po kalojmë një situatë normale, siç ka thënë edhe vetë kryeministri Kurti. Ditët nistore të qeverisjes së tij përshkohen nga dy çështje të nxehta.

E para është ajo e qëmotshmja, gogoli i çdo qeverie kosovare, imanenca e trazimit politik – negociatat me Serbinë. Të hiqet apo të mos hiqet tarifa, të zbatohet apo të mos zbatohet reciprociteti. Këto ishin disa nga ndërdyshjet që kishte kjo qeveri, sikurse ajo e kaluara. Duke marrë parasysh kompleksitetin e negociatave me Serbinë dhe kompleksitetin e raporteve kardinale me ShBA-në, natyrisht që mburoja e 100-ditëshit ishte e lëmekët dhe e pamjaftueshme për ta mbrojtur Kurtin nderazi shigjetave politike që binin në drejtim të tij.

E, sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, qeveria Kurti u përball edhe me një situatë tjetër serioze – menaxhimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë së virusit Covid-19. Paçka që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, korri simpati për punën e tij, nuk munguan as kritikat ndaj qeverisë, sidomos rreth mbylljes së vonshme të kufijve që solli ardhjen e shthurur të qindra kosovarëve nga emigracioni brenda pak ditësh, gjë që bëri që edhe të infektuarit e parë të ishin pikërisht nga diaspora.

Pra, duke e marrë parasysh gjendjen delikate me situatën e pandemisë, “100-ditëshi” nuk mjaftonte për të kërkuar prej qytetarëve dhe opozitës që mos ta kritikonin dhe të mos ngritnin pikëpyetje mbi qeverinë Kurti. T’i thonim koronavirusit “hajde më vonë se tash jemi në 100-ditëshin e parë”?!

Kur ia shton këtu edhe pakënaqësitë qytetare me emërimet partiake në borde ndërmarrjesh publike dhe kritikat rreth karantinimit në veri, duket sikur heshtja gjatë një 100-ditëshi është një utopi e një të kaluare te largët.

Pos këtyre tri-katër situatave serioze me të cilat u përball kjo qeveri, ekziston një argument i dytë përse është irelevante fshehja pas konceptit të 100-ditëshit të parë. E, ai argument është vetë e kaluara e Albin Kurtit opozitar. Dorën në zemër, ajo që më së paku e ka karakterizuar opozitarin Kurti ka qenë mirëkuptimi dhe tolerimi i qeverive.

Në janar 2015, ndërkohë që Isa Mustafa po i jetonte 60 ditët e para si kryeministër, Albin Kurti dhe Vetëvendosja – por edhe partitë tjera opozitare të kohës, AAK-ja dhe Nisma – mbushën sheshet e Kosovës për të protestuar kundër një deklarate skandaloze të një ministri serb të qeverisë së Kosovës. Dikush mund të thotë se deklarata e ministrit Jabllanoviq ishte e rëndë dhe si të atillë nuk e mbronte as koncepti i 100-ditëshit. Mirë, atëherë, edhe këto çështje të sotme që i përmenda sipri nuk mund të presin. Madje, deklaratë të rëndë ka lëshuar edhe ministri Blerim Reka rreth koridoreve, prandaj nuk mund të kërkohet amnisti duke u thirrë në “100-ditëshin’.

Në fakt, edhe në janar 2008 kur qeveria Thaçi 1 akoma nuk kishte mbushur 100 ditë dhe vendi po kalonte në një situatë të brishtë, kur trazirat mund të çonin ujë në mulli të gabuar, Albin Kurti dhe Vetëvendosja kërkuan protesta sepse thanë që pavarësia s’po vinte dhe nëse shpallej ashtu siç pritej, atë nuk do ta njihte as ShBA-ja. Arsyetimi i tyre atëbotë ishte se kur vjen puna tek raportet me Serbinë, nuk mund të përfillet heshtja 100-ditore. Por, pasi që shumica e kritikave të sotme ndaj Qeverisë Kurti kanë për shkak raportet me Serbinë, besoj që standardi i njëjtë i mosheshtjes do vlente edhe sot.

3. Tekembramja, tekqë ndaj kryeministrave të tjerë kanë protestuar akoma pa e pritur përmbylljen e 100-ditëshit, ndaj Albin Kurtit vetëm po kritikojnë. Në një farë mënyre, prapëseprapë kjo shoqëri – në 100-ditëshin e parë qeverisës – po tregohet më e duruar dhe më favorizuese ndaj Kurtit se ndaj kryeministrave paraprak.

Megjithëkëtë, jo vetëm në Kosovë – me protestat e VV-së në janar 2015 – kemi shembuj kur protestohet ndaj një qeverie që në 100-ditëshin nistor. Protesta dhe kritika jetësohet si parandalim dhe paraprirje e gjasshmërisë. Si një gjykim i fillimit nga frika se mos, siç do thoshte Hajdegeri, fillimi e tejpërshkon atë që do të vjen dhe e invadon të ardhmen tonë.

Në Kolumbi, në dhjetor 2018, qindra-mijëra studentë nisën demonstrata masive kundër presidentit të vendit, Ivan Duke, vetëm sepse në 100 ditët e para nuk mbajti premtimet elektorale dhe vazhdoi me avazin e keqqeverisjes sikurse qeveritë pararendëse.

Pra, me evoluimin e demokracisë, është venitur koncepti i tolerimit të qeverive gjatë 100 ditëve të para. Në terme medicinale do thosha se ka rënë edhe imuniteti i “100-ditëshit” ndaj kritikave edhe toleranca e kritikës ndaj “100-ditëshit”.

Zakonisht 100 ditët e para të kryeministrave kosovarë janë perceptuar si antologjikë. Hashim Thaçi i filloi muajt e parë më 2007-08 me deklarimin e një lufte të ashpër ndaj korrupsionit, kurse ngarendja e Ramush Haradinajt për të instaluar rend e rregull në qeverisje në 100 ditët e para më 2004-05 është lavdëruar aq shumë sa që ka marrë përmasa gjysmëmitologjike.

Pra, 100 ditë nuk mjaftojnë për ta kuptuar të vërtetën e një kryeministri. Por, kjo nuk nënkupton që 100 ditë nuk duhet të kritikohet fare ai kryeministër.

(Autori është politolog dhe merret me studimin e Politikave Krahasuese dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ky artikull është shkruar enkas për Gazetën Metro.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë