Loading…

“100% shtet”: Kompania e vëllait të Avni Arifit, siguron qasje ilegale në autostradë

  • 22/11/2020 | 20:02

“100% shtet”: Kompania e vëllait të Avni Arifit, siguron qasje ilegale në autostradë

Me objektin e ndërtuar pranë autostradës R-7 Prishtinë-Podujevë, por në pamundësi të qasjes, kompania “Erc Trade-Belux” ka filluar punimet për t’i krijuar vetes qasje në autostradë.


Ligji për rrugë nuk lejon ndërtimet në afërsi të autostradës brenda një distance prej 100 metrash nga brezi mbrojtës i rrugës. Por, objekti i kësaj kompanie është ndërtuar pas hapjes së autostradës dhe atë në distancë prej rreth 10 metrash nga autostrada. Qasja është bërë në pjesën ku kanë qenë të parapara pushimoret e autostradës, por që nuk janë ndërtuar ende.

Në të dy anët e autostradës, pranë objektit të kësaj kompanie, vërehet se është punuar për të krijuar qasje në këto pushimore. Burime të KOHËS kanë treguar se kamionët e kësaj fabrike përdorin këto hyrje-dalje ilegale për t’u kyçur në autostradë.

Kompania “Erc Trade-Belux” është pronë e Arben Arifit, vëllait të ambasadorit të Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili ishte edhe këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Përveç qasjes ilegale në autostradë, kompania ka vendosur pano reklamuese edhe në urën e afërme mbi autostradë. Panot përmbajnë logon e kësaj fabrike dhe produkteve që ajo importon dhe përfaqëson në Kosovë. Vendosja e reklamave në atë vend ndalohet me legjislacionin në fuqi.

Sipas Udhëzimit administrativ për vendosjen e panove, përkatësisht neni 6 i tij, thotë se panoja reklamuese nuk lejohet që të vendoset në autoudhë dhe në brezin mbrojtës të autoudhës në distancë më të vogël se 100 metra, matur nga rrethoja e autoudhës.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me ish-ministrin e Infrastrukturës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, për të pyetur lidhur me këtë qasje, por ai nuk është përgjigjur.

Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës, gjatë inspektimeve më 27 gusht të këtij viti, kishte vënë re qasjen ilegale në hyrje-dalje, si dhe vendosjen e panove reklamuese në autoudhë, konkretisht në vendin Trudë.

“Më datën 27.08.2020, nga Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës, është bërë inspektimi i operatorit ekonomik ERC-TRADE-BELUX dhe në vendin e ngjarjes është vërejtur qasje ilegale (hyrje dhe dalje) dhe vendosja e panove reklamuese ne auto-udhën R-7 Prishtinë –Podujevë, konkretisht në vendin Trudë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Aty thuhet se Inspektorati i ka lëshuar procesverbale me numër (0001898 – 0001987) dhe vendime me numër (11025/504/2019 dhe 11025/505/2019) për ndërprerjen e punimeve të qasjes në autoudhë, si dhe për largimin e panove reklamuese.

Për këtë çështje, kompanisë “Erc Trade-Belux” paraprakisht i është bërë edhe kallëzim penal nga Policia e Kosovës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se në stacionin policor Veriu në Prishtinë është hapur një rast vetëgjyqësi. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, kallëzimi penal është proceduar në Prokurori”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.

Por, pronari i kompanisë, Arben Arifi, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se gjithçka rreth kompanisë së tij është konform ligjit dhe se, siç ka thënë ai, nuk i interpreton dëshirat apo mendimet individuale.

Ai ka mohuar se kanë krijuar qasje në autostradë.

“Kompania ‘Erc Trade’, konform ligjit, është pajisur me leje ndërtimi nga Komuna e Prishtinës. Nëse keni pyetje në lidhje me këtë, drejtohuni te komuna. Ne kemi 75 punëtorë në punë dhe, duke marrë parasysh se çdo gjë është konform ligjit, nuk i interpretojmë dëshirat apo mendimet individuale të çdo individi. Çdo kërkesë e keni në Ministri nga viti 2018. Por, ka kërkesa që asnjëherë s’kam marrë përgjigje”, ka thënë Arifi.

Përurimi i fabrikës së gotave nga letra dhe depove të saj pranë autostradës është bërë në fund të vitit 2019. Në përurim kishte marrë pjesë edhe kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj. Ndërsa deputeti Daut Haradinaj, në vitin 2012, kishte deklaruar se ka qenë këshilltar i jashtëm në këtë kompani.

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë