Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujton sot me nderim Petro Markon në 107-vjetorin e lindjes, një klasik i letërsisë shqipe, nga vepra e të cilit kujtojmë “Hasta la vista”, “Nata e Ustikës” dhe “Shpella e Piratëve.”
Krijimi i parë i tij daton shumë herët, qysh në vitin 1930, data 9 dhjetor, pra kur ende ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, boton poezinë e tij të parë “ Flamurit” në gazetën “Shqipëria e re”, nr. 448, f. 4, të Kostancës (Rumani), me pseudonimin Vlonjati. Dhe pas këtij viti deri sa mbyll sytë, ai shkruan pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, që nga poezia e deri tek dramaturgjia. Numërohen mbi 50 organe shtypi ku ndihet pena e tij. Me qindra poezi, tregime, fragmente romanesh, shkrime publicistike, përkthime nga autorë të ndryshëm, veçanërisht ata hispanikë zënë vend në këto organe. Shquajnë shqipërimet nga Rafael Alberto dhe Federiko Garsia Lorka, si një shërbim plot dashuri e talent.
Për kontributin e tij, Petro Marko është vlerësuar me dy nga titujt më të lartë: më 1998 me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe më 2003 me Urdhrin “Nderi i Kombit”./ QKLL/ GazetaMetro