Komuna e Gjilanit pak ditë më parë përuroi projektin e instalimit të pajisjeve digjitale të navigimit, përkatësisht sistemin GPS në të gjitha automjetet e saj zyrtare, për të monitoruar kështu përdorimin e tyre dhe për të mënjanuar mundësitë e keqpërdorimit eventual. Megjithatë, sot Gazeta Metro raportoi se kryetari i komunës, Alban Hyseni shkoi në Tetovë të kryejë punë private në Universitetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut.
Lexues të Gazeta Metro dërguan fotografi nga Tetova, ku sipas tyre vetura në fotografi ishte e kryetarit të Gjilanit dhe ishte fotografuar pikërisht sot në ditë vikendi (e shtunë).
Ndërsa, jozyrtarisht ata bënë të ditur gjithashtu se ai kishte shkuar në Tetovë për intervistë të doktoratës në Universitetin e këtij qyteti.
Por, Hyseni në një postim në Facebook më 21 shtator kishte thënë se projekti i instalimit të sistemit të navigimit në vetura është ”një avancim tutje në ruajtjen e të mirës publike dhe pasurisë që u takon edhe qytetarëve.”
Për më tepër, në postimin në Facebook të Komunës së Gjilanit në ditën e përurimit thuhej se ai kishte thënë që ”punët e tilla duken të vogla, por kanë një efekt të madh dhe janë shumë të rëndësishme, sepse automjetet ruhen më shumë se më përpara, kursehet buxheti i Komunës dhe ndërkohë sigurohemi që të gjitha veturat përveç atyre që kanë leje, kthehen në autopark dhe nga këtu pastaj shpërndahen nëpër drejtoritë përkatëse dhe përdorën për qëllimet e destinuara.”
Ky projekt i kishte kushtuar Komunës me një shumë simbolike rreth tre (3) mijë euro.
Kujtojmë se Alban Hyseni u zgjodh kryetar i Gjilanit pasi mposhti Lutfi Hazirin e LDK’së në zgjedhjet lokale të 2021.
Duhet theksuar se, Gazeta Metro ka dërguar pyetje në Komunën e Gjilanit për këtë veprim nga Alban Hyseni, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje. /gazetametro.net
Alban Hyseni i VV’së, me veturë zyrtare shkon në Tetovë për të kryer punë në fakultet