Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka marrëveshje pas takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Kurti pas takimit thuajse tre orësh me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhiku, nënkryetarin, Lutfi Haziri, e ish-presidenten Vjosa Osmani, tha se u diskutua se çka do të bëhet në vijim dhe për një bashkëpunim të mundshëm.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale, të sfidave që na presin në aq shumë fusha për progresin që i duhet qytetarëve dhe Republikës. Ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por ka edhe shumë vullnet dhe zell për të punuar bashkë në të ardhmen” tha Kurti në konferencë për media.
Kurti u shpreh se lajm do të ishte po të kishte marrëveshje politike, gjë që s’u arrit.
Megjithatë, ai takimin e cilësoi optimist.
“Kjo është optimiste për të dy subjektet tona dhe një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe qytetarët në përgjithësi. Nuk mund të themi që takimet me LDK-në janë lajm në Kosovë; është normale që ato të ndodhin. Unë besoj se takimet mes subjekteve politike në përgjithësi nuk duhet të ishin lajm”, u shpreh ai.
Mes rreshtash, kryeministri në detyrë e përmendi edhe rrezikun e edhe një palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe evitimin e tyre, duke shtuar edhe rëndësinë e emrave konkret për president./gazetametro.net