Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka përsëritur se është i vendosur në vendosjen e taksës për automjetet që duan të hyjnë në qendër të Prishtinës, megjithatë do ta shqyrtonte heqjen e saj vetëm nëse Qeveria ia plotëson kushtin e vendosur nga ai, shkruan Gazeta Metro.
Rama ka konsideruar se taksa për hyrjen e automjeteve në qendër të Prishtinës, do të tërhiqet nga diskutimi publik nëse Qeveria e Kosovës i zhbllokon fondet e BERZH-it, të parapara për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit.
Sipas planit të Ramës, ndërtimi i unazës do ta lironte trafikun e Prishtinës nga koonat e shumta.
“NËSE QEVERIA I ZHBLLLOKON FONDET E BERZH-IT PËR NDËRTIMIN E UNAZËS SË KRYEQYTETIT, NUK DO TË KETË TARIFA PËR ASKËND!”, ka shkruar Rama.
Ai ka sqaruar se kjo nuk është një tarifë e vendosur por një diskutim publik.
“Po e ritheksoj se kjo nuk është një tarifë e planifikuar apo e vendosur. Po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga kjo qeveri. Fatkeqësisht, ne jemi të detyruar të shqyrtojë alternativa financimi si rezultat i bllokimit të vazhdueshëm të fondeve nga qeveria aktuale”, ka njoftuar ai.
Sipas tij, paketa financiare prej 206 milionë eurosh po vazhdon të mbahet e bllokuar.
“Paketa financiare për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit arrinte vlerën prej rreth 206 milionë eurosh. Nga kjo shumë, deri në 40% ishin grant, pra para që nuk do të duhej të ktheheshin kurrë nga qytetarët. Ishin fonde falas, të siguruara për zhvillimin e Prishtinës dhe për realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në historinë e qytetit. Megjithatë, këto fonde u bllokuan dhe vazhdojnë të mbahen të bllokuara. Kjo do të thotë se Prishtinës po i mohohet mundësia për të përfituar nga qindra miliona euro investime, përfshirë dhjetëra miliona euro grant që nuk do të krijonin asnjë barrë shtesë për qytetarët dhe qytetarëve të Prishtinës po ju vështërsohet jeta”, u shpreh ai tutje.
Rama u shpreh se qytetarët e Prishtinës meritojnë zgjidhje. Meritojnë rrugë më të mira, transport më efikas dhe investime që e bëjnë kryeqytetin një qytet modern evropian, dhe se Prishtina nuk mund të presë pafundësisht./gazetametro.net