Një djalë 14-vjeçar ka qëlluar për vdekje nënën e tij jashtë një gjykate në provincën pakistaneze Swabi.
Sipas raportimeve të mediave vendase, Nesehat Bibi, gruaja e Zubir, kishte ardhur në gjykatë për të marrë lirinë me kusht pas paditjes nga bashkëshorti i saj për tradhti bashkëshortore. Ajo po qëndronte në korridorin e pritjes, e shoqëruar nga një oficere policie femër, kur ndodhi incidenti i rëndë.
Sipas raportimeve një djalë i ishte afruar asaj në ambientet e pritjes dhe më pas kishte hapur zjarr duke e lënë të vdekur në vend. Raportimet thonë se djali ishte në fakt i biri i saj.
Sulmuesi kishte tentuar të largohej por ishte arrestuar nga policia bashkë me armën e krimit.
Raportimet thonë se gruaja e ndjerë 42-vjeçe ishte nënë e pesë djemve dhe tri vajzave.
Bashkëshorti i saj e kishte paditur më 25 maj 2021, duke e akuzuar se ishte larguar me një mikun e saj dhe se ata ishin martuar. Më vonë policia i kishte arrestuar të dy.
Autoritetet thanë se i akuzuari për vrasjen është 14-vjeçar dhe se i ati e kishte inkurajuar të vriste nënën e tij “për të ruajtur nderin”. Babai egoist kishte zgjedhur mënyrën më të leverdishme për “të ruajtur nderin e tij”, duke kthyer djalin e tij në vrasës, për të shpëtuar vetë nga akuzat./tch