Siç përfundoi 2015’a, nisi edhe viti që pasoi. 2016 mund të quhet si vit i protestave, madje edhe i gazit. I marsheve, e i bllokadave në parlament.
Ky vit nisi vrullshëm, me protesta që kërkonin të mos kalonin në Kuvend marrëveshjet për Demarkacionin me Malin e Zi dhe ajo për krijimin e Asociacionin e Komunave Serbe.
Përveç janarit, protestat vazhduan edhe në muajin shkurt. Veçse, kësaj here, kishte ndërruar forma e protestës dhe arsyeja. Opozita kishin zgjedhur të ‘plakun netët’ në tenda të ngritura në sheshin afër Kuvendit e Qeverisë, ku protestonin në kundërshtim të zgjedhjes së Hashim Thaçit president.
Me gaz, protesta e përleshje, Hashim Thaçi arrin të marr votat për president të vendit. Por, këto i arriti tek në votimin e tretë, pasi në dy votimet e para Thaçi nuk arriti të bind deputetët se është i duhuri për ta zënë karrigen e të parit të shtetit.
Në muajin e ardhshëm, atë prill, Thaçi u përball përsëri me probleme. Ani pse u organizua një prej inaugurimeve më prestigjioze në historikun e Kosovës, ku e ftuar ishte edhe presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq, kjo nuk arriti t’i ndalë aktivistët e VV’së për të dërguar mesazhin e mospajtimit me anë të gazit.
Me gjithë shqetësimin, Thaçi vazhdoi betimin, duke u bërë kështu presidenti i katërt pas pavarësisë, dhe i pesti në tërësi të historisë së Kosovës.
Ani pse protestat e deriatëhershme ishin mbarë opozitare, atyre nuk u shkoi gjatë, pasi në maj ndanë udhët. Në këtë muaj, VV’ja vendosi të heqë dorë nga protestat e përbashkëta opozitare. Por, AAK dhe Nisma vendosën që t’ia marrin rolin që kishte pasur VV’ja ndër vite – të organizimit të protestave.
Këtu opozita u nda nga fronti i përbashkët, meqë rast VV’ja vazhdoi rrugën e vetme, siç kishte bërë deri disa muaj para.
Po maji ishte muaji i një dëshpërimi të kosovarëve. Ani pse u rritën shpresat për viza, ato i morën vetëm shtetasit e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, duke lënë përsëri Kosovën si një prej vendeve të rralla të izoluara.
Muaji maj doli i bujshëm për Kosovën. Ani pse mosliberalizimi i vizave dëshpëroi kosovarët, ata u ekzaltuan me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Këto ishin ngjarjet e para pozitive deri afër mesit të vitit.
Qershori s’u shqua për ndonjë ngjarje madhore. Krejt çka ndodhi në këtë muaj, ishte përsëritja e dy kushteve të Kosovës për të plotësuar vazhdën e kushteve për marrjen e vizave.
Kosovës iu desht të pres më shumë se 6 muaj për ta marrë një lajm të mirë, përveç sportit.
Surinamen njohu Kosovën, duke u bërë vendi i 112’të që njeh pavarësinë e shtetit kosovar. Suriname ndodhet në Amerikën Jugore dhe ka 539 mijë banorë.
Gushti, i nxehtë u bë edhe më, kur qeveria provoi të kalonte marrëveshjen për demarkacionin përsëri. Kundërshtimet e opozitës dhe ekspertëve, disa edhe nga partia e kryeministrit, bën që kjo të shtyhet.
Gushti solli diçka që është bërë e pazakontë në Kosovë – një dorëheqje. Por, edhe ajo doli të jetë vetëm simbolike. Pas publikimit të disa audio-incizimeve ku përfshiheshin akterët më të lartë politikë të PDK’së, jep dorëheqje Adem Grabovci, i cili ishte akteri kryesor i gjithë përgjimeve. Megjithatë, Grabovci nuk del të jetë aq korrekt, pasi jep dorëheqje vetëm nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së. Ai vazhdon të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës.
Pas publikimit të këtyre përgjimeve, nuk ishte dorëheqja e Grabovcit e vetmja sekuencë. Kuvendi u gjuajt me dy granata dore, dyshimi për të cilat iu adresua 6 akivistëve të VV’së, të cilët u arrestuan më pas.
Gjatë këtij muaji dhe shtatorit, pësuan protesta, të cilat erdhën si rrjedhojë e publikimit të këtyre përgjimeve, e që tregonin se politikanë të rangut të lartë bisedonin për punësime.
Tetori ishte muaji i debatit për Trepçën. Afrimi i afatit për likudim, alarmoi Qeverinë e Kosovës, për të miratuar Ligjin për Trepçën. VV’ja dhe Lista Serbe ishin kundërshtar të këtij ligji, por për aryse të ndryshme. VV’ja thoshte se ky ligj e dëmton këtë kompani. Ndërkaq, Lista Serbe thoshte se Trepça i takon Serbisë, dhe me këtë ligj ajo po i merret shtetit serb.
Megjithatë, Kuvendi miratoi Ligjin për Trepçën, duke larguar rrezikun që gjiganti metalurgjik të hidhej në likuidim.
Në nëntor, sistemi i sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë u godit fuqishëm. Një aktivist i VV’së që po mbahej në paraburgim vdiq në rrethana të paqarta. Tashmë i ndjeri, Astrit Dehari, po vuante paraburgimin nën dyshimin për involvim në sulmin ndaj Kuvendit, së bashku me 5 aktivistë të tjerë.
Pas kësaj, VV’ja, pjesë e të cilës ishte Astrit Dehari, dhe shoqëria civile organizuan dhjetëra marshe protestuese. Ata kërkonin drejtësi për rastin Dehari. Madje, ata kërkonin një seancë të jashtëzakoshme në Kuvend, për të diskutuar për rastin e vdekjes së Deharit.
Mjekësia Ligjore konstatoi se Dehari kishte kryer vetëvrasje, mirëpo këtë version nuk e pranuan VV’ja, familja e Deharit dhe avokati mbrojtës.
Madje, avokati Tomë Gashi, prezantoi një raport tjetër të autopsisë, me të cilin argumentoi se Astrit Dehari ishte vrarë brenda qelisë së tij.
U desht të priten edhe 6 muaj të tjerë, për të marrë një lajm pozitiv për Kosovën. Përsëri, pozitivja erdhi nga njohja e Kosovës nga një shtet. Kësaj radhe ishte Singapuri ai që e njohu Kosovën, duke u bërë vendi i 113’të që njeh parvarësinë e shtetit të Kosovës.
Por, viti nuk u përmbyll me këtë lajm të mirë. Kosovës iu shtua edhe një ‘gajle’, pasi në projektin për rivitalizimin e urës së Ibrit, ‘biu një mur’.
Për të, pala kosovare është e bindur që do të rrënohet, ndërkaq serbët thonë se kjo ishte paraparë në projektin e BE’së.
Sido që të jetë, muri vazhdon të qëndrojë aty, në mbi dy metra gjatësi…
2016’a do të kujtohet për gjithçka që ndodhi në Kosovë, por më së shumti do të kujtohet që nuk ndodhi asgjë që ta çoi vendin drejt integrimit në BE, ku është edhe objektivi kryesor./gazetametro.net