Ditë më parë u shënua dita e punëtorëve. Pikërisht me 1 maj, kryeministri Albin Kurti në urimin e tij, ka dhënë një deklaratë që paksa habiti opinionin. Kurti deklaroi se në një vit qeverisje të tij janë krijuar hiç më pak se 25 mijë vende të reja të punës.
Tutje, i pari i ekzekutivit theksoi se janë zyrtarizuar edhe 10 mijë vende të tjera për vetëm 365 ditë të Qeverisë Kurti.
“Për t’ua lehtësuar barrën administrative bizneseve në deklarimin e punëtorëve, kemi publikuar format e kontratave të punës për kohë të caktuar, për shërbime të veçanta dhe për kohë të pacaktuar. Si rezultat i këtyre hapave në vitin 2021 kemi zyrtarizuar mbi 10,000 vende pune, teksa gjithsej janë hapur mbi 25,000 vende të reja pune”, shkroi Kurti.
Por me numrat dhe deklaratën e kryeministrit Kurti, nuk pajtohet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili më 1 maj së bashku me bashkëpunëtorët e tij protestuan për më shumë të drejta për punëtorët.
Në një prononcim për Nacionalen, Azemi tha se nuk ka mundësi të jenë punësuar një numër aq i madh punëtorëve.
“Duke i’u referuar statistikave, për katër muaj kemi 2 mijë punësime të reja, që i bije gjatë gjithë vitit mund të jete diku rreth 7-8 mijë punësime të reja”, deklaroi ai.
Madje kryesindikalisti i sektorit privat ka një tablo më të zymtë rreth punësimit në Kosovë në dy vitet e fundit. Duke cituar statistikat, Azemi tha se gjatë vitit të parë pandemik janë larguar mbi 60 mijë punëtorë.
“Sa i përket largimit nga puna, në bazë të statistikave, në vitin 2020 në fund të periudhës së dytë thuhet së janë të larguar mbi 60 mijë punëtorë për shkak të pandemisë. Kur flasim për shifra, ne flasim edhe për ata që nuk janë fare të regjistruar në ATK, dhe sipas të dhënave tona, del që mbi 50% e punëtoreve janë pa kontrata pune”, theksoi Azemi.
Me Kurtin rreth numrit të të punësuarve nuk pajtohet as ekonomisti, Mustafë Kadriaj.
Njohësi i ekonomisë e cilëson si të pavërtetë deklarimin e Kurtit rreth shifrave të punësimit, duke shtuar se sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si ai i afarizmit, tregtisë dhe industrisë, kanë shënuar rënie të të punësuarve.
“Shtim real të punësimit nuk ka, sepse faktorët që ndikojnë në punësim kanë tregues tjerë. Nuk kemi investime nga ana e qeverisë, aktiviteti ekonomik ka rënie, sektori i ndërtimtarisë ka rënie, sepse janë rritur kostot e prodhimit të cilat kanë ndikuar në reduktimin e fuqisë punëtore. Gjithashtu edhe sektori i afarizmit dhe tregtisë ka rënie si dy sektorë që ngërthejnë në vetvete një numër të madh të fuqisë punëtorë. Po ashtu, nuk mund të kemi rritje të punësimit derisa kemi rënie të mirëqenies tek qytetarët. Duhet të ketë të qartë kryeministri të i thirrë dhe të këndellet sepse punësimi është derivat i investimeve, pra, nuk mund të kemi punësim pa investime.”
Më 1 maj, kryeministri Kurti përmendi edhe punësimin e 4 mijë grave si të arritura të tij gjatë qeverisjen një vjeçare.