Loading…

3 ditë në hotel ‘Izgrev’: Punëtorët e ministrisë festojnë vitin 2019 me parat e qytetarëve në Strugë

  • 11/12/2019 | 19:24

3 ditë në hotel ‘Izgrev’: Punëtorët e ministrisë festojnë vitin 2019 me parat e qytetarëve në Strugë

Fundjava ka qenë relaksuese për punonjësit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Për t’i festuar sukseset e punës gjatë 2019-s, ministria që udhëhiqet nga Adrijana Hoxhiq, punonjësve të saj u organizoi udhëtim e qëndrim zyrtar në Strugë të Maqedonisë së Veriut, raporton KTV.

Tri ditë qëndrimi në hotelin “Izgrev”, më 6, 7 dhe 8 dhjetor, të 86 punonjësve nga kabineti e stafi civil, i kushtuan buxhetit të shtetit më shumë se 3 mijë e 475 euro.

Kjo shumë është paguar nga paratë e taksapaguesve vetëm për fjetje apo akomodim në këtë hotel luksoz.

“Për çështje të korrektësisë dhe saktësisë, sa u përket shpenzimeve financiare të MAPL-së, për akomodim/fjetje, vlera e mjeteve financiare të zotuara ka qenë 4,931.20€, ndërkaq vlera e mjeteve financiare të shpenzuara/mbuluara është 3,475.6 €”, ka thënë MAPL-ja për KTV-në.

Kjo ministri është arsyetuar për shkuarjen në Strugë, duke thënë se ky organizim është i përvitshëm.

Në fakt, ky udhëtim ishte planifikuar të bëhej në Shqipëri, por tërmeti që ndodhi në Durrës e ndryshoi lokacionin.

“MAPL-ja, çdo vit, organizon këshillimin vjetor me stafin me qëllim të diskutimit të planit të përbashkët të punës së MAPL-së me donatorët. Fillimisht, ky aktivitet është paraparë të mbulohet nga donatorët përkatës. Mirëpo, pasi që të njëjtët nuk kanë mundur ta mbulojnë 100%, është mbuluar nga të tria palët, OSBE-ja, projekti DEMOS dhe MAPL-ja”, ka thënë më tej ministri.

Në komunikimet e brendshme elektronike të zyrtarëve të kësaj ministrie, të cilat i ka siguruar televizioni, planifikohej që 98 punonjës të jenë në Strugë, duke e cekur edhe listën me emra për mëditje.

Një zyrtar i Ministrisë së Pushtetit Lokal ka shkruar se vlera e mëditjeve do të jetë e njëjtë sikur në Shqipëri, pra për tri ditë, secili person do të marrë nga 78 euro.

Por, të gjithë të ftuarit nuk morën pjesë. Në Strugë shkuan 86 persona, derisa prej tyre, 17 hoqën dorë nga mëditja.

5 mijë e 382 euro ishin planifikuar t’u ndaheshin vetëm për mëditje 69 punonjësve të MAPL-së, por kjo ka ndryshuar pas interesimit të KTV-së për rastin.

Adresimi i pyetjeve nga televizioni drejt Ministrisë së Pushtetit Lokal, ka bërë që ministrja Hoxhiq të marrë vendim për anulimin e marrjes së mëditjeve për udhëtimin në Strugë.

Ky vendim është protokoluar më 10 dhjetor.

Në hotelin “Izgrev” ka qëndruar për tri ditë edhe ministrja në detyrë, Adrijana Hoxhiq, e cila, siç ka mësuar KTV-ja, me vete kishte edhe vajzën e saj.

Punonjësit janë dërguar me dy autobusë, shpenzimet e të cilëve janë mbuluar përmes projektit të DEMOS-it zviceran.

Por, kishte edhe disa zyrtarë të kësaj ministrie, që kanë shfrytëzuar edhe veturat zyrtare.

Përveç sukseseve të prezantuara në këtë organizim, siç është thënë, në agjendën e punëtorisë 3-ditore, është diskutuar edhe plani i punës për vitin 2020.

Ministria e Pushtetit Lokal e ka vlerësuar këtë organizim treditor si rast jashtëzakonisht të mirë që i gjithë stafi të kalojë çaste sa më të mira.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë